Kryeministri Edi Rama ka mbaruar fjalën e tij për mocionin me debat për çështjen McGonigal dhe është larguar nga Kuvendi.
Ai vetëm u justifikua për 45 minuta dhe paralajmëroi se kjo ishte hera e fundit që përballej me opozitën, teksa i ftoi të takohen më 14 maj.
Rama u largua pasi mbylli fjalën ku shpërtheu në ofendime ndaj opozitës.
Në fjalën e tij në mocionin me debat për çështjen “McGonigal”, Rama nuk la pa ironizuar kundërshtarët për zgjedhjet vendore të 14 Majit, por edhe pranoi se ka takuar McGonigal.
Në aktakuzën për McGonigal mund të jetë përmendur emri 14 herë, por këto nuk janë 14 akuza.
Ka qenë ky argumenti i parë i kryeministrit Edi Rama në mocionin me debat në Kuvend.
Kreu i qeverisë vetëm lexoi (gjysma në anglisht) para ligjvënësve në Parlament të gjitha herët që emri i tij është përmendur në aktakuzë, duke pohuar rast pas rasti që bëhet fjalë për fakte, ngjarje që kanë ndodhur, por jo për krime.Kreu i qeverisë u shpreh se nuk do të angazhohet në asnjë debat dhe diskutim me opozitën, por sipas tij, energjitë do t’i fokusojë në politikëbërje në dobi të qytetarëve.
“Nderin e përballjes me mua këtu apo jashtë këtyre mureve duke rrokanisur kokën e miletit, nuk keni për ta pasur më si deri dje. Mbushni mendjen vetes dhe i thoni sa të doni të tjerëve se jam fshehur dhe jam tretur. Në këtë vallen pa mbarim të shpatave tuaja janë kthyer në pjesë të pandarë të saj. Keni hyrë në vitin e 10 të rrugës kur më keni rrëzuar disa herë çdo vit, keni mbledhur 100 mijë deri në 200 mijë njerëz në bulevard duke më detyruar të fshihem në malin e Dajtit dhe më keni mundur në të gjitha zgjedhjet e 9 viteve të fundit dhe ky vit i 10 do jetë viti më i madh i fitores tuaj.
Në 14 Maj do të merrni dhe Vlorën dhe Uashingtonin prandaj unë ju hap rrugë përfundimisht dhe dua të them me zë të lartë: Ndihem fajtor, madje shumë fajtor që s’kam bërë dot atë që duhet kundër mjerimit të thellë të politikës në arenën tonë ku gëlon gomarllëku. Kjo nuk është politika. Politika është diçka krejt tjetër, e lartë dhe e dobishne, me njërëzit dhe për njerëzit. Do jem shumë i angazhuar në kurimin e virusit të kësaj politike të rëndë, tek vetja në radhë të parë”, tha ndër të tjera Kryeministri Rama.
Lini një Përgjigje