Tre dosje të forta të SPAK që e kanë lënë në ‘in hold’ mazhorancën...
Ditën e djeshme, Edi Rama ka zhvilluar një mbledhje të kryesisë së Ps-së, nga e cila thuajse nuk ka dalë asgjë. Disa media të lidhura me qeverinë, kanë bërë një koment të kallaisur, në lidhje me organizimin, por asnjë gjë konkrete.
Megjithatë, pas kësaj mbledhje pati disa lëvizje që janë treguese për të ilustruar atë që ka ndodhur brenda dyerve të mbyllura.
Në qarkun e Lezhës, kryebashkiaku Pjerin Ndreu ka postuar disa takime organizative që ka zhvilluar në Rrëshen; në Tiranë, Petro Koçi, ka postuar rrjesht disa takime organizative kryesisht në zonën strategjike të kombinatit; Milva Ikonomi, po ashtu ka postuar disa takime në organizatat socialiste të Fushë-Krujës.
Ndërkaq, Belinda Balluku, e ka nisur serinë e postimeve nga Dibra, me një foto nga një oxhak. “Zjarr në Dibër”, shkruante Balluku, e cila më pas ka publikuar takime me Bora Muzhaqin dhe Etien Xhafajn atje, ku kanë munguar deputetët socialistë të Dibrës. Sinjale këto jo të vogla për një zhvillim paksa ndryshe, ku pamë mungesa të rëndësishme, duke nisur nga Lindita Nikolla, deputetët e Dibrës apo edhe kreu politik i Durrësit, ish-kreu i OSHE-së, Ardian Çela.
Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se Edi Rama, ka njoftuar se në mars do të vendosen drejtuesit e rinj politik të qarqeve.
Marsi nuk është lënë pa qëllim, pasi në shkurt pritet një vrull i ri i SPAK mbi mazhorancën, e kjo ka bërë që gjithçka të lihet ‘in hold’.
Rama, duket ka dashur të jap një sinjal drejt prokurorisë Speciale që të tregojë se ku do të konsistojë goditja e radhës.
Pikërisht për këtë, ka ndaluar çdo drejtues qarku që të nisë aktivitete elektorale, përveç atyre deputetëve që nuk kanë të paktën denoncime në SPAK.
Bie në sy, se e vetmja drejtuese qarku që ka zhvilluar takime ka qenë Belinda Balluku, por edhe ajo, pa u përqendruar në organizatat socialiste.
Bastisja e fundit e SPAK në zyrat e bashkisë së Tiranës, ka rritur frikën jo vetëm tek ky institucion, por edhe në kupolën e PS-së, pasi bëhet fjalë për një lëvizje e nivelit të lartë.
Lëvizja e Ramës me Blendi Gonxhen, duket se ka synuar pikërisht një rast emergjence në këtë aspekt, por nga ana tjetër ka aktivizuar një manovër surprizë. Ku si krerë qarqesh do të vendosë kryebashkiakë si Benet Beci, Pjerin Ndreu, apo edhe Emral Dredhën në Vlorë. Kështu gjithçka varet nga manovra e shkurtit në SPAK, e cila po mban në ankth të gjithë kupolën e PS-së. Pasi fjalët janë se do të hapen tre dosje të forta të mazhorancës. Dosje që mund të shkaktojnë një ortek të tillë që të tundë nga themelet shumicën në pushtet, e të bëjë të pamundur më pas tentativën për një mandat të katërt në 2025-n. E ku sipas gjasave përveç zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, mund të mbahen edhe zgjedhje lokale në disa qytete të rëndësishme të vendit. Siç ndodhi me Serbinë e Aleksandër Vuçiçit./Pamfleti
Lini një Përgjigje