TAGS-AT E JAVËS

Editorial30 Janar 2024, 13:08

Lufta për paqe!

Shkruar nga Fadil Lepaja

 Lufta për paqe!

 Në Ballkan, palët po armatosen ... kjo mund të sjellë paqen!

Sërish vjen janari dhe bëhen llogaritë. Te ne në Kosovë, kjo këngë këndohet ndryshe. Thuhet “Sërish vjen marsi”. Pastaj ndizen zjarret në mars. Politika ngroh duart në atë zjarr, populli përkundet me lavdinë. Ai është i gjallë, ne jemi gjallë. Dolëm nga kutia. Mbijetuam!

Më 2019, pata shkruar për Kosovën në kutinë e Schroedinger-it. Ka vite që pyetemi, nëse kemi mbijetuar ose nuk kemi mbijetuar. Filozofi i lashtë do të thoshte: “Mendoj prandaj ekzistoj “, që rrjedhimisht do të thotë, e pritëm liberalizimin e vizave, dolëm nga kutia, mbijetuam.

O popull, macja është gjallë, kemi mbijetuar.

Natyrisht, dilemat rreth maces ende mbeten të njëjta, por jashtë kutisë. Populli ende i pamësuar me faktin se mund të ikë kur të dojë nga kutia, nuk po ikë.

Prognozat dolën huq. Kompanitë turistike, dhe kompanitë e tjera që prodhojnë histerinë e ikjes, më kot u përpoqën ta krijojnë histerinë. Kush kishte nevojë të ikte, iku, i ra Danubit e Saves, të gjithë lumenj të fryrë që na ndajnë nga Evropa.

Kush e kishte me patjetër, dimër e verë, korruptoi shqiptarë, serb, maqedonas, me një fjalë kë mundi dhe iku. Këta që mbetën, janë të vendosur...nuk ikim pa e marrë edhe Kosovën me vete, në Evropë.

Përndryshe janari agoi i ftohtë...

Nëse i referohemi thënies se dita e mirë shihet në mëngjes, viti i mbarë do të duhej të shihej në janar.

Por nuk po duket ende...

Mbarësia e një viti ndër ne nuk varet vetëm nga ne, vetëm nga puna e jonë. Ky është fati i vendeve të vogla. Sidoqoftë, lufta në Ukrainë, Covid-i e kanë humbur dramatiken. Qeveritë e kanë shpërnda barrën, e kanë gjuajtur mbi shpatullat e njeriut të vogël. Inflacioni po e bartë peshën e luftës në shpatullat e fuqishme popullore duke mbrojtur supet e brishta të elitave, sidomos atyre financiare dhe politike.

Në përgjithësi, flitet për shqiptarët shpatullgjerë dhe shtatshkurtër. Pra, mos mbaj dert.

Diçka gjithsesi po lulëzon, e kjo është ekonomia e luftës, bizneset që prodhojnë armë, energji dhe shërbime të tjera lufte.

Industria ushtarake evropiane dhe botërore është në lulëzim. Avionët, sistemet raketore, dronët, antidronët... gjithçka, veç a ke me shitë diçka për palët ndërluftuese. Ata më të fortit shesin për të dyja anët. Edhe ata që blejnë njëjtë, blejnë gjithçka, që ju duhet e nuk ju duhet.

Buxheti i luftës është thes pa fund. Nëse fiton njëra palë, rrënohet biznesi, pra lufta duhet të zgjasë për hire të biznesit. Së paku deri në janarin e ardhshëm.

Ajo që po ndodh në përmasa globale, njeriun e zakonshëm si gjithnjë po e gjen të përgatitur. Kur e di që asgjë nuk varet nga ti, përse të mos jesh i përgatitur për të papriturat. Populli e di, se befasia mund të vij vetëm për mirë dhe ... kjo nuk ndodhë shpesh. E mira vjen pas negociatave të shumta, për të mirën na përgatisin gjatë.

E kush e përballon paqen aq lehtë! Paqja globale sjell probleme të brendshme, e paqja nacionale sjell probleme shpirtërore, trupi dhe mendja demobilizohen, thjesht nuk punojnë me kapacitetin e plotë, ... i kap entropia shoqëritë ballkanike,  pa luftë.

Të përgatitur janë vetëm ata që e ndezin luftën dhe ata që përfitojnë nga lufta. Lufta sjell shkatërrime, zbrazen hambarët, pastaj vijnë ndërtimtarët. Do të rindërtohen shtëpitë, do të bëhen të banueshme, do të përtërihet infrastruktura, do të rihapen bizneset, do të rritet kërkesa për gjithçka, me një fjalë do të qelin sërish lulet,

Por, as më guximtarët nuk po arrijnë të mbledhin guximin dhe të deklarojnë se viti 2024 mund të jetë vit i rindërtimit, së paku jo pa u pa si do të shkojnë zgjedhjet presidenciale në SHBA. Nëse fiton Trump, ai e vendosë kur kryhet, edhe si kryhet.  E nëse fiton Biden, nuk dihet se kush do të vendosë. Nga po anon lobi i luftës?

Në Ballkan, palët po armatosen ... kjo mund të sjellë paqen!

Kështu, janari nuk ngjan me një mëngjes të lexueshëm për këtë vit. Një virus tjetër edhe më i vështirë, po duket si një kërcënim rutinë tashmë, ose industria farmaceutike nuk guxon të kruhet me lobin e luftës. Lufta botërore Perëndim-Rusi, në Ukrainë nuk duket se do të mbyllet me paqe, rindërtim, sivjet.

Mbetet të shihet janarin tjetër, ndoshta e lexojmë më qartë edhe fatin e rajonit.

Në rregull, dolëm nga kutia, mbijetuam, po mësimi? Insistoj se mësimi kosovar është global. Një luftë nuk përfundon me paqe, përfundon vetëm me fitore.

Paqja në Kosovë, së paku, e parë nga jashtë, është arritur më 1999, pra 25 vite më parë, por kërcënimet me luftë janë më reale se kurrë.

Kosova blen “Bajraktar”, “Javelin” e “brende” të tjera që e shqetësojnë fqinjin tonë verior, e Serbia rritë buxhetin. Më thuaj, vjen era paqe, apo luftë?

Në krejt këtë atmosferë të rënduar, në janar, një lajm i hidhur përshkoi mediat roze. Sërish Blero. U nda.

Janari i sivjetmë nuk e tregon vitin. Ndoshta tjetri thotë më shumë. E marsi, marsi vjen gjithnjë me të njëjtin refren!/Pamfleti

lufta për paqe fadil lepaja

Lini një Përgjigje