TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Shtator 2025, 14:35

‘Ministre Diella’, PD çon në Kushtetuese dekretin për Qeverinë dhe ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit

Shkruar nga Pamfleti

‘Ministre Diella’, PD çon në Kushtetuese dekretin

Partia Demokratike do i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretimin e Qeverisë, ku si pjesë e saj është edhe Diella, ministre e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, por edhe ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit.

Vendimi u bë i ditur nga kreu demokrat, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, pasi Kuvendi miratoi ndryshimet në Rregullore, ku sanksionohen 11 komisione parlamentare, 7 prej të cilave do të drejtohen nga PS.

Ish-Kryeministri kërkoi dërgimin e dekretit për Diellën në mënyrë urgjente në Gjykatën Kushtetuese për të arkivuar “ministren Diella në banesën e turpit të historisë”.

Berisha tha se opozita do të luftojë për rikthimin e standardeve, pavarësisht se e konsideron një betejë të vështirë.

“Ka zyrtarë të lartë të huaj që mërziten kur dëgjojnë për narkoshtetin shqiptar, por ka të tjerë që e falenderojnë me gjithë zemër opozitën për faktet dhe provat që paraqet”, tha Berisha.

Në vijim ai theksoi se ndryshimet që iu bënë komisioneve përbëjnë një akt flagrant, ngushtojnë hapësirat e komunikimit të opozitës në ndërkombëtarët

“Në Parlament u shkel rëndë Kushtetuta dhe Rregullorja. Dënoj me forcë shkeljen e Kushtetutës së vendit.

Shteti ligjor është zëvendësuar me narko-shtetin. Shqipëria nuk plotëson asnjë standard për të qenë në BE, përveç pozicionit gjeo-strategjik. Pushteti është përqendruar në një dorë. Mazhoranca përdor institucionet për të shtypur pluralizmin. Nuk ka standard një vend që zhvillon farsën elektorale, nuk ka asnjë standard një vend që është bërë epiqendër e trafikut të drogave të forta.

Ne e mbështesim plotësisht procesin e integrimit, por deklarojmë se Shqipëria nuk plotëson asnjë standard, përpos pozicionit gjeo-strategjik të saj, që e ka pasur që kur është formuar bota”, tha Berisha.

Ai tha se Komisioni i Integrimit ishte komisioni në të cilën opozita do të paraqiste të gjithë qëndrimet e saj në interes të procesit të integrimit.

 

Lini një Përgjigje