TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Maj 2025, 12:12

Mesazhi i Ramës për humbësit në PS që kërkuan pamjet filmike, Balla: Pa merak, e zgjidh KQZ!

Shkruar nga Pamfleti
Mesazhi i Ramës për humbësit në PS që kërkuan
Taulant Balla

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, tha se ankimimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve bëhen vetëm nga partitë politike, duke komentuar kështu kërkesat e depozituara nga kandidatë të ndryshëm për deputetë, të cilët pasi nuk fituan një mandat, kërkuan pamjet filmike.

“Secili ka të drejtë për të kërkuar, për të bërë transparencë, por falë parashikimeve të vendosura në Kodin Zgjedhor, por është KQZ që do të bëjë transparencë të këtij procesi. Të gjitha palët që kanë pretendime, ka një mënyrë sesi bëhen këto. Kodi zgjedhor parashikon që partitë politike mund të bëjnë ankesë. Transparencën, më mirë se sa e ka bërë KQZ, nuk e bën dot askush”, tha Balla. 

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste nga Parku Olimpik foli edhe për mbylljen e procesit të votës së diasporës për votën preferenciale.

“Në mbyllje të procesit ku janë vlerësuar dhe numëruar mbi 200 mijë vota nga diaspora, dua të falenderoj bashkëatdhetarët kudo në botë për pjesmarjen në këto zgjedhje dhe regjistrimin e tyre si votues nga jashtë.

Shqiptarët në diasporë treguan një nivel të lartë interesimi. Në 246 mijë bashkëatdhetarë të regjistruar, mbi 200 mijë ishin ata që i kthyen zarfat dhe kjo krahasuar me vendet e tjera  të cilat përdorin një sistem të ngjashëm, është një përqindje shumë e lartë.

Falenderoj ata që besuan dhe mbështetën PS-në për të vijuar rrugëtimin tonë historik drejt anëtarësimit në BE.Kjo javë ka qenë një kontekst i bukur dhe hisotorik pasi pas zgjedhjeve, Tirana u shndërrua në kryeqytet Evropian duke pritur Samitin më të madh edhe për nga pjesmarrja e udhëheqësve të zhvilluar deri tani nga Komuniteti Politik Europian”, tha Balla.

Ju rikujtojmë se votat e kandidatëve në Parkun Olimpik, shtuan edhe garën mes ‘shokëve’ të së njëjtës parti, ku në një grup WhatsApp të PS, ka pasur ‘përplasje’ mes garuesve për Tiranës.

Disa prej tyre, që mbetën jashtë Kuvendit, kanë kërkuar pamje filmike nga qendrat e numërimit të votave, duke hedhur dyshime për numërim jo të saktë.  

Për këtë pati edhe një mesazh nga vetë Edi Rama.

“Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale!

Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge.

Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim.

Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh. E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi”, ka shkruar Rama.

taulant balla rama

Lini një Përgjigje