
Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi që zhvilloi sot në Shirokë, përtëriti të njëjtën retorikë si disa ditë më parë, duke thënë se nuk do t’i mbështet ato bashki ku do të fitojë opozita, teksa shtoi se ky nuk është një kërcënim.
Ai mori shembullin e Bashkisë së Shkodrës për të sqaruar deklaratën, ku sipas tij kryebashkiaku Bardh Spahia e ka penguar qeverinë që të punojë dhe investojë në këtë qytet.
“Ne kemi firmosur kontratën për ujësjellësin, dhe bashkia nuk na jep lejen për të nisur punë. Nuk jep lejen që të të vijë uji. Uji me sa mua me rezulton jo vetëm që shkon në çezmat e të gjithëve, edhe të demokratëve, por mua nuk më rezulton që demokratët e duan ujin ngjyrë blu. Unë e di që e duan pa ngjyrë ujin. Kurse bashkia e Shkodrës dëshiron që demokratë e socialistë kërkon që etjen ta kenë blu. Nuk japin lejen për ujësjellës. Më thonë mua mos kërcëno që nuk do mbështesësh Shkodrën apo cilëndo bashki që do fitojnë ata të tjerët.
Unë nuk kërcënoj, por unë nuk e mbështes dot. Kjo do të thotë kjo që po ju them. Se ana tjetër e medaljes thotë diçka tjetër. Kudo ku ne kemi pasur mundësi të bëjmë punë për Shkodrën që nuk ka qenë në dorën e bashkisë dhe bashkia na ka penguar”, tha Rama.
Lini një Përgjigje