TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Maj 2025, 10:40

Me sytë nga SHBA, skenari i Berishës për 11 majin; si po fluturojnë “faktet” e opozitës për zgjedhjet

Shkruar nga Pamfleti

Me sytë nga SHBA, skenari i Berishës për 11 majin; si po

Ashtu sikundër drejtoi fushatën duke e kthyer 11 majin në një lloj referendumi mes tij dhe Edi Ramës, Berisha ka marrë përsipër edhe të vijojë procesin e denoncimeve, që më pas ‘ngarkohen’ në USB dhe fluturojnë drejt aleatëve të PD-së në botë. Në Parlamentin Europian do të shfrytëzohen lidhjet me eurodeputetët e PPE-së për të denoncuar çdo në çdo instancë të Brukselit

Disa orë pas nisjes së procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e 11 majit, kreu demokrat Sali Berisha deklaroi se proçesi ishte i manipuluar dhe se rezultati nuk do të njihej. Berisha gjithashtu nxitoi të deklaronte se do të ndiqte të njëjtën rrugë si 24 vite më parë, kur pas zgjedhjeve të 2001, ai ndërmorri një tur informues në Bruksel dhe vende të ndryshme europiane, duke damkosur zgjedhjet. Në atë kohë socialistët e drejtuar nga Fatos Nano numëronin 84 mandate, ndërsa sot PS e drejtuar nga Edi Rama do të ketë kontrollin e 83 vendeve në Parlamentin e ri.

Për besnikët e Berishës në PD sot është një situatë e ngjashme me 2001, edhe pse në më shumë se dy dekada kanë rrjedhur shumë ujëra dhe gjërat kanë ndryshuar. Por ata mendojnë se edhe 24 vite më parë kishim një Berishë të izoluar, ku i preferuar i europianëve ishte Genc Pollo, që në atë kohë kishte themeluar një parti të vogël, por që arriti të merrte 5 deputetë, ndonëse në 2025-ën, Berisha mban mbi shpatulla dy ‘non grata’, një nga SHBA dhe tjetra nga Mbretëria e Bashkuar.

E ndërsa 24 vite më parë, Fatos Nanos si lider i socialistëve nuk iu njohën 84 mandate, me të cilat në atë kohë zgjidheshin nga Presidenti i Republikës dhe pothuajse gjysma e drejtuesve të institucioneve Kushtetuese, sot Edi Ramës do i mjaftonin 71 mandate që të vijonte i qetë qeverisjen, pa kriza politike të shkaktuara. Dhe duket se kjo është arsyeja që në dallim nga 24 vite më parë, kur PD vinte në dyshim shumicën absolute të socialistëve në Kuvend, për 11 majin kërkohet mosnjohja e rezultatit, krijimi i një qeverie teknike dhe përsëritja e zgjedhjeve.  

Në selinë e PD-së duket se vëmendja dhe shpresa është te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ende nuk kanë bërë asnjë reagim lidhur me zgjedhjet e 11 majit. Nga SHBA nuk ka qoftë edhe një mesazh formal për të uruar fituesin, i cili 48 orë nga dita e zgjedhjeve arriti të marrë mesazhe formale nga liderët europianë dhe të BE-së për fitoren e mandatit të 4-t rradhazi si Kryeministër.

Berisha shfaqet çdo ditë në media, rreth mesditës, dhe paraqet ato që i konsideron si prova dhe fakte mbi manipulimin e zgjedhjeve. Ashtu sikundër drejtoi fushatën duke e kthyer 11 majin në një lloj referendumi mes tij dhe Edi Ramës, Berisha ka marrë përsipër edhe të vijojë procesin e denoncimeve, që më pas ‘ngarkohen’ në USB dhe fluturojnë drejt aleatëve të PD-së në botë. Në Parlamentin Europian do të shfrytëzohen lidhjet me eurodeputetët e PPE-së për të denoncuar çdo në çdo instancë të Brukselit.

Nuk dihet nëse në këtë betejë Berisha do të ketë në krah edhe Fredi Belerin, eurodeputetin e Nea Demokracia, i cili pas 11 majit u shfaq kritik, por pohoi se Kryeministri grek, e dinte që para zgjedhjeve që Edi Rama do të fitonte. Gjithsesi Mitsotakis ende nuk i ka dërguar një urim për fitoren e 11 majit Edi Ramës, sikundër mungoi edhe në samitin e Komunitetit Politik Europian që zhvilloi punimet në Tiranë mes 15 dhe 16 majit.

Ndërkohë në raport me SHBA-në, duket se pesha më e madhe i është lënë Fatmir Mediut, aleatit besnik të Berishës, që mundësoi jo vetëm ardhjen e Chris LaCivita si ‘strateg të fushatës’ së opozitës për 11 majin, por duket se ka luajtur edhe rolin e ‘shkjesit’ në kontratën me kompaninë lobuese “Continental Strategy”, e cila nëse zgjat dy vjet, ka një vlerë prej 6 mln dollarë. Por Mediu nuk do të jetë i vetëm, pasi nga selia e PD-së është mandatuar edhe Belind Këlliçi, ndërkohë që të tjerë emra janë ato të Gazment Bardhit dhe Agron Gjekmarkajt, dy drejtues politikë, njëri në Fier dhe tjetri në Lezhë.

Paralelisht me denoncimet ndërkombëtare, që janë në plan të parë dhe do të synohet të bëhet maksimumi përpara se ODIHR të publikojë raportin përfundimtar mbi 11 majin në korrik, duket se demokratët e Berishës do të fillojnë të analizojnë atë se çfarë nuk ka shkuar në funksionimin e tyre.

Nuk dihet ende se deri në çfarë mase do të zhvillohet një analizë e brendshme në PD, por nga raportimet, duket se java e dytë ose e tretë e qershorit, mund të shënojë edhe nisjen e procesit të analizës. Nga deklaratat publike të disa prej drejtuesve të PD-së është thënë se gjithçka do të analizohet dhe bazuar në këto analiza do të mbahen edhe përgjegjësitë, ndërsa duket se ky proces do të jetë ngushtësisht i lidhur me atë nëse do të ketë ose jo sukese strategjia për të ‘zhbërë’ 11 majin përmes lobimeve apo fushatave ndërkombëtare. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje