TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Maj 2025, 20:11

Live/ PS dhe PD mbyllin fushatën, militantët e të dyja forcave mblidhen në Tiranë (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Live/ PS dhe PD mbyllin fushatën, militantët e të dyja forcave

PD ka mbledhur militantët te Bulevardi i Ri, ndërsa PS te Parku Olimpik...

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike mbyllin sot fushatën elektorale. Të dyja forcat elektorale kanë nisur mitingjet që mbahen në Tiranë. PD ka mbledhur militantët te Bulevardi i Ri, ndërsa PS te Parku Olimpik.

Fushata e PS nisi me performancën e disa të rinjve, si edhe këngëtares Elvana Gjata. Vetë kryesocialsiti Rama u shfaq krah bashkëshortes së tij, linda Rama. Të dy u panë duke ecur së bashku mes turmës së mbështetësve, ndërsa më pas Linda Rama e ulur u pa edhe me një trëndafil në duar. Ndërsa PD nisi në ritmin e muzikës së Renis Gjokës dhe Stresit.

Më pas te të dyja forcat morën fjalën kandidatët e listës së Tiranës. Fillimisht ishin drejtuesit politikë, Belind Këlliçi dhe Ogerta Manastirliu, më pas emrat e tjerë.

Belind Këlliçi tha se PD është partia e vetme që të pamundurën e bën realitet, ndërsa theksoi se 11 maji “nuk është vetëm betejë politike, por lufta e duhur për dinjitetin tonë, për demokracinë, për Shqipërinë tonë”.

Edi Rama nga paniku se ky bulevard do të mbushej, ka bllokuar rrugët që në orët e para të mëngjesit. Pro, demokratët e gjetën rrugën për tu mbledhur bashkë, për të ardhur në këtë bulevard dhe për ta bërë më të bukur se kurrë. Fitorja është e jona.

Prezenca juaj madhështore është dëshmi e forcës tonë dhe provë e besimit tuaj. Pas vetëm 48 orësh Shqipëria do të jetë një vend më i mirë dhe kjo të dashur miq është vepra juaj, ju do ta bëni të tillë. Ju qytetarët e lirë që rezistuat.

Ne PD jemi partia që të pamundurën e bëjmë realitet. Kjo nuk është vetëm betejë politike, por lufta e duhur për dinjitetin tonë, për demokracinë, për Shqipërinë tonë. Për të ardhmen që vendosim ne”, tha Këlliçi.

Ndërsa Manastirliu në fjalën e saj, u shpreh se 11 Maji nuk është thjesht një datë zgjedhjesh, por një ditë historike.

Kemi qenë së bashku gjatë një fushate të jashtëzakonshme, me njerëzit, për njerëzit në çdo cep të Tiranës. Kemi trokitur në çdo derë, në çdo rrugë e lagje të Tiranës për të prezantuar vizionin dhe planin tonë ambicioz për Shqipërinë anëtare të BE. Kemi ndarë së bashku punët e mira të bëra në këto 12 vite. Ashtu sikurse kemi trokitur në çdo derë, kemi dëgjuar edhe kritika. Na kanë mbështetur dhe folur fjalë zemra sepse do të na bashkohen edhe më shumë qytetarë për punët që do të bëjmë në 4 vjeçarin e ardhshëm drejt Shqipërisë evropiane. Tirana ka folur në këtë fushatë përmes zërit të të rinjve, votues për herë të parë, që besojnë në Shqipërinë evropiane”, tha ajo.

Sipas saj, Tirana ka folur përmes fuqisë së grave dhe vajzave që i kanë dhënë zemrën kësaj fushate. Ka folur me qytetarinë, zgjuarsinë dhe besimin për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë evropiane, shtoi ajo.

Zhvillimet minutë pas minute

Balla: Plot 200 mijë motra e vëllezër në diasporë e kanë shtruar tanimë fitoren tonë

Mes shumë kandidatëve të PS foli Taulant Balla,i cili pati një mesazh për diasporën.

Shumë faleminderit për këtë mbështetje për këtë mbështetje spektakolare këtu në Tiranë, por dua një duartrokitje për diasporën. Plot 200 mijë e më shumë motra e vëllezër në diasporë e kanë shtruar tanimë fitoren e PS dhe është një fitore më e fortë se asnjë herë tjetër. Më e fortë se tre mandatet që kemi pasur deri tani. Por, kemi ende edhe pak orë në dispozicion. Nëse në Greqi, në mëngjes nxitoni çoni dhe ju fitoren si asnjë herë tjetër sepse Edi Rama dhe PS ia ngriti dinjitetin Shqipërisë dhe flamurit tonë kombëtar dhe tani kemi mundësinë që flamurin tonë ta ngremë në oborrin e Bashkimit Europian”, tha Balla.

Braçe: Shqiptarë votoni masivisht PS, jemi para një ngjarjeje historike

Erion Braçe, i cili garon në listën e hapur të PS-së në Tiranë, duke iu drejtuar qytetarëve, bëri thirrje që shqiptarët të votojnë masivisht në 11 maj per numrin 5.

Jemi para një ngjarje të madhe dhe historike. 35 vite me radhë, tre breza kanë kërkuar të jemi në Bashkimin Europian. Ja ku jemi dhe tani është koha për ne. Një lutje kam, çdo votë ka vlerë, dhe e merr vlerën në kutinë e votimit. Ndaj me zemër të fortë dhe mendje të kthjellët, ditën e diel në kutinë e votimit, për t’i bërë Shqiptarët pjesë të BE dhe për ta bërë këtë vend gjithnjë e më të mirë”, tha ai.

Deputeti britanik në mitingun e PD: Fitorja është pranë, votoni nr.1 për një të ardhme të madhe

Anëtari i parlamentit britanik, Lord Stewart Jackson, duke folur në mitingun e mbylljes së fushatës së PD-së, që u mbajt në bulevardin e Ri në Tiranë, i ka drejtuar një thirrje qytetarëve shqiptarë që të votojnë numrin 1 në fletën e votimit në zgjedhjet e 11 majit.

Ju dërgoj përshëndetje nga dhoma e lordëve në Britaninë e madhe! Është kënaqësi që ndodhem këtu. Po shikoja të gjithë këta të rinj dhe po shikoj sytë e tyre dhe pyes veten se si do të jetë e ardhmja e tyre. Një gjeneratë më parë, brezi i ri i këtij vendi të mrekullueshëm e hodhi tiraninë, komunizmin në emër të lirisë dhe demokracisë.

E ardhmja e Shqipërisë është një ardhme e begatë e cila na pret dhe në jemi në krye të rrugës. Ne mund të ndjekim rrugën e korrupsionit, makutërisë, ose mund të ndjekim një rrugë të re, e cila është drejt lirisë, demokracisë, punës, biznesit, prosperitetit, begatisë, rrugën e Shqipërisë drejt BE, drejt botës, një rrugë vizionare që do hap më tepër mundësi.

Fitorja është pranë, dilni, merrni familjet, miqtë për të shkruar drejt kësaj të ardhmeje për familjen tuaj, fëmijët, për të ardhmen dhe thojini të mbështesin PD për një të ardhme të madhe”, tha Jackson.

Xhafaj: Së bashku do të çojmë Shqipërinë drejt BE-së

Kandidati i PS në listën e hapur të Tiranës Fatmir Xhafaj tha se me 11 maj qytetarët do t’i japin një fitore të madhe PS. 

Në fjalën e tij për mbylljen e fushatës së PS në Parkun Olimpik të Tiranës, Xhafaj u shpreh se mandati i katërt do fitohet nga PS prej mbështetësve të saj. Ai tha gjithashtu se së bashku do të çojmë Shqipërinë drejt BE-së.

Shumë më pyesin pse mandati i katërt? Por jeni ju. Ne fitojmë se jeni. Ju së bashku me ne në kutitë te votimi do ti japim një fitore të madhe PS për Shqipërinë 2030 në BE. A mund ta bëj një përjashtim. Dëshiroj t’ia lë radhën Roit. Unë dhe Roi. Unë e djeshmja, Roi e nesërmja e PS”, tha Xhafaj.

Chris LaCivita: Shqipëria nuk mund të lejojë më një mandat tjetër të PS

Kryestrategu amerikan i fushatës së Partisë Demokratike, Chris LaCivita, u shfaq në mitingun përmbyllës të opozitës në Bulevardin e Ri në Tiranë, duke mbajtur një fjalim të fuqishëm para mbështetësve demokratë, vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 11 majit.

"Gjithnjë habitem sa e madhe është gjithë kjo turmë. Faleminderit Shqipëri, për mbështetjen tënde që ndan të ardhmen dhe shpresat e tua. Shqipëria sikurse e dëgjuam ndodhet në një udhëkryq. Jo vetëm për ëndërrat tuaja por dhe pozicionin në arenën ndërkombëtare. Shqipëria nuk mund të lejojë më një mandat të Edi Ramës. Korrupsioni, gjendja e vështirë ekonomike që ka shkatërruar familjet. Mungesa e një mundësie punësimi të qënderushme. Gjithçka përkufizon lumturinë tuaj, e ka marrë Edi Rama", tha ai.

Në përditësim...

 

Lini një Përgjigje