TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Korrik 2023, 15:15

Lefter Koka “shpërthen” në sallën e gjyqit: Jam në burg për shkak të Ilir Metës dhe fallxhores së tij!

Shkruar nga Pamfleti
Lefter Koka “shpërthen” në sallën e gjyqit: Jam
Koka dhe Bllako në sallën e gjyqit

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka ka shpërthyer në akuza të forta ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Sot ishte seanca e fundit gjyqësore për inceneratorin e Elbasanit, para se gjykata të japë vendimin. Pak ditë më parë SPAK kërkoi 10 vite burg për të, ndërsa sot Koka paraqiti mbrojtjen, duke qenë vetë i pranishëm në sallë. Pas një periudhe të gjatë heshtje, Koka vendosi të flasë duke sulmuar Metën, Kryemadhin dhe duke dërguar mesazhe të forta në adresë të qeverisë. Ish-presidentin ai e quajti fuks dhe sigurims.

Koka tha se është në burg për shkak të Metës dhe Kryemadhit, teksa shtoi se i gjithë procesi është një goditje politike nga ish-partia e tij.

"Një e vërtetë e thënë përgjysmë është e pavërtetë. Prokuroria u bazua tek kallëzimi LSI dhe për 2 vite nuk më mori në pyetje asnjëherë. Unë si ministër, Sekretari Përgjithshëm dhe Komisioni kemi zbatuar me përpikëri ligjin. Bëmë punën më të mirë dhe shërbyem me devotshmëri. Është kohë e vështirë që kërkon burra e burrni, unë si kam borxh askujt ta paguaj me lirinë time”, tha Koka.

Më tej ai u shpreh se është një proces gjyqësor i stisur njësoj si në sistemin komunist. Sipas tij, provat janë manipuluar, teksa u shpreh se nuk ka asnjë njohje apo kontakt me bosët e inceneratorëve. Po ashtu ai akuzoi prokurorinë se ka manipuluar provat. Koka tha se prokurori ka fshehur 40 fashikuj  hetimorë.

Akuza e prokurorisë është idiote! Kam hyrë në politikë si biznesmen dhe s`më bëri politika biznesmen. Po kthehemi 45 vite para në proceset e stisura të sistemit komunist. Është një alarm, jo vetëm për mua, por për të gjithë shoqërinë. Ky proces është i manipuluar fund e krye, por  besoj se e vërteta do të triumfojë. Nuk ekziston asnjë kontakt ose njohje me pronarët e inceneratorëve. Ata nuk i solla unë, por erdhën si propozim nga bota e biznesit. Prokurori devijoi hetimet dhe fraksionoi dosjen për të mos zbuluar të vërtetën. Drejtësia më herët sesa vonë do të dalë. Intriga e këtij procesi dashakeqës do të dalë dhe uroj të shërbejë për konsolidimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Prokurori fshehu 40 fashikuj hetimorë, ku gjenden provat për pafajësinë time. Më janë vënë në dispozicion nga gjykata 1 javë më parë. Akuza pësoi mutacione për t’i qëndruar besnike kallëzimit të LSI. Kurrë nuk i kam futur dorën në xhep dikujt. Unë jam në qeli për shkak të ish-presidentit dhe fallxhores së tij, ku mejhaneve ku rrinte deklaronte se do më fuste në burg", tha Koka.

Më herët ishte avokati i tij, i cili po ashtu foli për një proces poitik. Avokati i tij pretendoi se në lidhje me inceneratorin e Elbasanit, i është kërkuar mendim katër ministrive, Financave, Ekonomisë dhe Energjetikës, Mjedisit dhe Drejtësisë. Pra dukets e Koka fundos gjithë qeverinë.

"Gjatë kohës që janë bërë negociata me kompanitë e inceneratorit klienti im ka qenë jashtë vendit. Sa i përket procedurës së bërë me negocim pa shpallje, është bërë në kuadër të emergjencës mjedisore të shpallur nga Bashkia e Elbasanit. Në komisionet e ngritura, nuk ishte e përfshirë vetëm Ministria e Mjedisit, por kishte përfaqësues edhe nga ministritë e tjera. Në lidhje me këtë procedim janë pyetur 87 persona, janë vënë 33 numra në përgjim, 8 pajisje pc të Klodian Zotos janë sekuestruar, 11 institucione bankare, dy pajisje pc brenda kantinës së verës, nga të cilat nuk ka dalë asnjë provë direkte që e implikon z. Koka me akuzat", tha avokati.

Prokuroria e SPAK pak ditë më parë shpalli pretencat për inceneratorin e Elbasanit, ku kërkoi 10 vite burg për ish-ministrin Lefter Koka, i cili me gjykim të shkurtuar të vuajë 6 vite e 8 muaj burg.

Ish-ministri Lefter Koka akuzohet për “shpërdorim detyre” e kryer në bashkëpunim, “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve shtetërorë” si dhe “pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë penale”, kryer në bashkëpunim.

Lini një Përgjigje