TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Maj 2025, 15:36

Laboratori antisemit në Shqipëri: Pse u bashkuan Turqia dhe Irani kundër Komunitetit Mysliman?

Shkruar nga Pamfleti

Protesta artificiale në Korçë, loja e Ankarasë dhe Teheranit dhe sfida ndaj SHBA-së dhe trashëgimisë shqiptare...

Laboratori antisemit në Shqipëri: Pse u bashkuan Turqia dhe Irani

Xhamia e Mirahorit në Korçë është një prej institucioneve fetare më paqësore në vend dhe asnjëherë nuk ka qenë pjesë e përplasjes politike apo ndërkombëtare që herë pas here ka përfshirë Komunitetin Mysliman Shqiptar (KMSH).

Por javën e kaluar, pikërisht para këtij objekti të rëndësishëm kulti dhe simboli fetar, u organizua një skenë e pazakontë dhe e importuar: disa persona, që nuk kishin asnjë lidhje reale me Korçën, protestuan në emër të Gazës, duke tentuar ta kthejnë qytetin në një arenë artificiale konflikti.

Kjo protestë e sajuar vjen pas përpjekjeve për të krijuar një lëvizje të ngjashme në Tiranë, e cila gjithashtu dështoi.

Përzgjedhja e Korçës nuk është e rastësishme. Ky qytet është një shembull harmonie fetare mes ortodoksëve, myslimanëve dhe katolikëve, ndaj dhe përpjekja për të krijuar tension aty kishte synim të qartë për të gjeneruar lajm mediatik dhe konfuzion social.

Pas kësaj iniciative qëndron një aleancë jo e zakonshme mes dy shteteve rivale në Lindjen e Mesme: Turqisë dhe Iranit. Edhe pse tradicionalisht armiq, Ankaraja dhe Teherani këtë herë kanë bashkuar forcat kundër KMSH-së, duke u munduar ta portretizojnë atë si kundërshtare të interesave të tyre dhe si mbështetëse të politikës amerikane në rajon.

Një foto e vetëm katër individëve që protestuan para xhamisë së Mirahorit u përhap në mënyrë masive në rrjete sociale, që kontrollohen nga grupe të lidhura me të dy vendet, duke synuar të shpallnin publikisht një aleancë të fshehtë kundër Shqipërisë, KMSH-së dhe Shteteve të Bashkuara.

Laboratori antisemit në Shqipëri: Pse u bashkuan Turqia dhe Irani

Ky mesazh ishte gjithashtu një paralajmërim për Kryeministrin Edi Rama, duke i bërë presion që të pozicionohet kundër KMSH-së nëse nuk dëshiron të cilësohet si kundërshtar i Turqisë dhe Iranit.

Shqipëria po përdoret prej kohësh si një laborator ballkanik i antisemitizmit për të sulmuar dhe për të shtrembëruar të vërtetën historike të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky eksperiment nuk është thjesht një veprim i rastësishëm por pjesë e një projekti të mirëfinancuar nga presidenti turk, Erdogan, që ka investuar miliona për të nxitur antisemitizmin në vendin tonë.

Shqetësuese është se disa nga këto fonde kanë shkuar tek persona që janë pjesë e Partisë Socialiste, përfshirë një anëtar të Këshillit Bashkiak të Sarandës, i cili ka marrë para për të përhapur ndjenja antisemite në Tiranë.

Megjithatë, deri më tani këto përpjekje nuk kanë gjetur mbështetje reale në popull./Pamfleti

xhamia e mirahorit laboratori antisemit komuniteti mysliman turqia irani

Lini një Përgjigje