Ka nisur me tensione edhe seanca e parë e legjislaturës së XI, ku do të betohen e rinj të kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Seanca e parë e legjislaturës XI-të e gjeti Kuvendin me të njëjtën tension politik.
Partia Demokratike në Kuvend paraqiti të njëjtat akuza të vjetra se zgjedhjet ishin farsë, por në sallë u kthyen me argumentin se do të mbrojnë interesin e qytetarëve.
Seancën e sotme e drejtoi deputeti socialist Vasil Llajo, pasi Sali Berisha dhe Tritan Shehu refuzuan të marrin këtë detyrë si deputetët më të moshuar.
Pas ngritjes së komisionit të verifikimit të mandateve me 6 emra nga mazhoranca dhe 3 nga opozita, kreu demokrat Sali Berisha kërkoi fjalën në seancë.
“Nuk lexoi emrat e Bajrit, Pëllumb Gjokës. Nuk e lexoi emrat e deputetëve të vërtetë të partisë së krimit, por vetëm presto nomet”, tha Berisha ndërsa rreth foltores u mblodhën deputetë e tjerë opozitarë me pankarta në duar.
Berisha floli jashtë rendit të ditës dhe Llajo i mbyll fjalën.
“Të tregojmë që jemi të respektueshëm karshi rregullores”, tha deputeti i PS, Vasil Llajo, i cili hapi seancën pas refuzimit të Sali Berishës për të drejtuar Kuvendin si ligjvënësi më i vjetër.
Llajo hapi zyrtarisht seancën konstituive, ku fillimisht do të ngrejë komisionin për verifikimin e mandateve, duke shqyrtuar dosjet e ardhura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Derisa komisioni të bëjë punën e tij, deputetët e rinj do të largohen dhe do të rikthehen pasdite për t'u betuar një nga një.
Pas betimit, mazhoranca pritet të propozojë emrin e Niko Peleshit për kryetar të Kuvendit, siç u njoftua një ditë më parë nga kryesocialisti Edi Rama në Asamblenë e PS.
Votimi do të bëhet me fletë dhe kuti votimi, ndërsa pas shpalljes së rezultatit Llajo i lë vendin kryetarit të ri, i cili do të mbajë edhe fjalën e tij të parë.
Në seancën e radhës, kryeministri Edi Rama do t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e qeverisë së re dhe programin qeverisës. Pas votëbesimit, kabineti i “Rama 4” do të shkojë për dekretim dhe betim tek presidenti Bajram Begaj.
Debati në Kuvend:
Llajo: Kuvendi ngre një komision të përkohshëm për verifikimin e madateve. Komisioni përbëhet nga 9 anëtarë. 6 emra janë nga mazhoranca dhe 3 nga opozita.
Kryedemokrati Sali Berisha: Nuk lexoi emrat e Bajrit, Pëllumb Gjokës, nuk lexoj emrat e deputetëve të vërtetë të Partisë së krimit, të PS. Lexoi Lubi Ballukun…
Llajo: Ju lutem doktor Berisha, të respektojmë rregulloren. Protokolli i sotshëm përmban vetëm propozimet për emrat.
Më pas zoti Llajo iu drjtua mazhorancës, të cilës i kërkoi të propozonte emrat e vet.
Balla: Në emr të Grupit Parlamentar të PS-së propozoj Milva Ikonomi, Olsi Komici, Aulona Bylukbahsi, Hatixhe Konomi, Elton Korreshi dhe Arkend Balla.
Mazhoranca votoi pro emrave dhe zoti Llajo miratoi Komisionin e Përkohshëm për verifikimin e mandateve. Pas tensioneve seanca u mbyll për të rifilluar pasditen e sotme në orën 17:00.
Lini një Përgjigje