TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Korrik 2024, 22:18

Kush janë pushtetarët me vila në Lalëz? Në listë prokurorë, deputetë, ish-ministra dhe bosë krimi, SPAK merret me Fatos Tushen

Shkruar nga Pamfleti
Kush janë pushtetarët me vila në Lalëz? Në listë
Gjiri i Lalëzit

Kush janë sheikët e Lalëzit?

Kur ka ndërmend të zbarkojë Prokuroria e Posaçme në Gjirin e Lalëzit? Prej disa kohësh, prokurorët kanë filluar të shkojnë te pronat e personave nën hetim, por në “parajsën e pushtetarëve” ende nuk po shkohet. I vetmi aksion ishte bllokimi i gjysmës së vilës së Berishës, ndërkohë që shumë të tjerë po shijojnë pushimet në këto ditë të nxehta vere.

Por edhe pse aty duket sheshit se kemi të bëjmë me pastrim të parave të korrupsionit dhe krimit, SPAK merret me pronat e Fatos Tushes apo disa cironkave të tjerë. Jo se Tushe është burrë i mirë dhe nuk duhet hetuar, pasi dhe ai nëse ka vjedhur duhet të japë llogari. Por mendoni sa vlen apartamenti i Tushes në Vlorë para vilës së Ilir Metës, Berishës apo Arben Krajës.

Pamfleti” po tregon sot disa prej emrave që janë me vila në Lalëz, ndërkohë që ka shumë të tjerë që i kanë të fshehura. Pra njësoj si Ilir Beqaj, i cili e kishte deklaruar si të marrë me qira një apartament në Vlorë, por që dyshohet se e ka ai.

Por kush janë sheikët e Lalëzit?

Dy emra që dihen janë Sali Berisha dhe Ilir Meta. Sa i takon Berishës, vila figuron në emër të vajzës së tij, Argita Berisha. Në deklaratën e bërë në ILDKP janë dhënë detaje mbi ndërtimin e kësaj vile.

Znj. Argita Malltezi, pronare me pjesë takuese 50% e një gjysmë vile në Lalëz me vlerë ndërtimi 56 000 Euro dhe blerje Toke me vlerë 908 176 Lekë, të blerë në vitin 2004 sipas certifikatës së pronësisë më datë 23.05.2013. (Ndërtesa është blerë sipas kontratës së shitblerjes më 29.04.2013, ndërsa trualli është blerë nga ALUIZNI sipas kontratës së shitjes me datë 04.05.2013. Sipas kontratës së blerjes vlera e ndërtesës është 50 000 Euro, por janë bërë pagesa për punime shtesë me Mandat Pagese); Argita Malltezi, pronare me pjesë takuese 50% e një ndërtese banimi në Lalëz me vlerë 155 000 Euro, blerë nëpërmjet kontratës së shitjes me datë 13.07.2021. Prona është blerë me fonde të bashkëshortit Z. Jamarbër Malltezi”, thuhet në deklaratë. Në kuadër të hetimeve që SPAK ka nisur, vila është sekuestruar. Pra i vetmi aksion i mirë deri tani, por që mbetet të shihet deri në fund se cili do të jetë fati i saj.

Sa i takon Ilir Metës, vila është blerë në vitin 2010. Bëhet fjalë për një banesë me dy kate me sipërfaqe 317 metër katror. Vlera e kësaj vile nuk është deklaruar asnjëherë. Çifti presidencial është shprehur se kanë dhënë në këmbim 300 metra katrorë ambiente tregtare të pallatit në Laprakë në këmbim të saj.

Një emër tjetër i njohur është prokurori i SPAK, Arben Kraja. Edhe pse ai shihet si njeriu që duhet të hetojë ata që kanë vila në Lalëz, ka vetë një të tillë. “Është likuiduar për vitin 2018 shuma 72 000 Euro, datë 19.09.2018 vlera 10 000 Euro dhe datë 21.12.2018 vlera 62 000 Euro dhe ka mbetur gjendja e detyrimit kundrejt shoqërisë në vlerën 43 000 Euro”, shprehet Kraja në deklaratën pranë ILDKP.

Emër tjetër që e ka po të deklaruar vilën është ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Lleshaj ka si pronë të tij një apartament Duplex me sipërfaqe 120 m2, në një godinë me dy kate me sipërfaqe totale 480 m2.

Vilë ka edhe ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Ai ka deklaruar se në vitin 2009 ka blerë një vilë në Lalëz me sipërfaqe prej 79 m2, me një vlerë prej 35 mijë euro.

Tjetër politikan që e ka deklaruar zyrtarisht vilën është Florion Mima, ish-ministër i Ekonomisë i qeverisë “Berisha”. Në vitin 2015 ai deklaronte në ILDKP se ishte duke shlyer një vilë në Lalëz.

Janë dy ish-ministra të LSI, që flitet se kanë vila në Lalëz, por nuk ka asnjë deklarim zyrtar. Ata janë Petrit Vasili, ish-ministër i Drejtësisë dhe Edmond Haxhinasto, ish-ministër i Transportit. Edhe Arben Ristani doli që pushonte në Lalëz dhe madje ra pre e një grabitje te një vile ku rrinte familja e tij.

Një tjetër emër është ministri i Financave, Ervin Mete. Në vitin 2007, ai ka deklaruar blerjen e një trualli prej 500 metrash katrorë, por nuk jepen të dhëna nëse prona është zhvilluar me ndërtim. Ndërsa në vitin 2013 ka deklaruar 3 mijë metra tokë në Bizë, pranë Lalëzit.

Po ashtu flitet se ka vilë ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi dhe një numër i madh analistësh që ne i shohim përditë në televizione. Po ashtu nuk ka dyshim se një pjesë e madhe e bosëve të krimit kanë vila atje, si dhe shumë deputetë.

Duhet theksuar se shumica i kanë fshehur në emër të palëve të treta, ose duke i lënë në emër të kompanive që i kanë ndërtuar. Kështu që SPAK të mos shohë vetëm shtëpinë e Fatos Tushes, por të kalojë dhe në Lalëz. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje