Të tërë bëjnë propagandë, se kemi këtu DEA-n, FBI-në, dhe punët po ecin mirë, paçka se as edhe një qeveritar në detyrë, politikan, biznesmen, i madh nuk është dënuar deri sot...
Kapja e Peshqve të mëdhenj është gënjeshtër e madhe. Armiqtë më të zellshëm të demokracisë, shfaqen si miqtë më të besuar të drejtësisë. Mbrojnë dhe pasurojnë vetveten dhe shtypin shtresat dhe shpresat e shoqërisë.
Fshatarët janë mësuar me esetë e tyre diplomatike.
Artikulojnë në akull, sa ti që lexon saçmat e novelave novatore, e ke dhallë ajkën nën shtresën me shkumë, ku helmi nuk dallohet nga sherbeti.
Shampanjës ja njohin tharbëtimin dhe ëmbëlsinë, dhe dinë ta tundin shishen shend e verë, në tavolinat bosh, ku fshatarët presin peshkun e premtuar nga ambasadori Donald Lu, këtu e shtatë vjet më parë.
Po ku ndryshon Altin Dumani nga Adriatik Llalla, Arta Marku apo Arben Kraja?!
Vështirë të vështrosh vertikalisht, pas tavanit i kanë vënë tapë torollakët e fshatit tonë, që po tërbojnë nervat e nevojtarëve për drejtësi pa dredhi.
Dy të parët, flinin larg dosjeve, si frikacakë, dy të dytët mbi dosje, si trima.
Sipër malit më të lartë të vargmaleve të korrupsionit ballkanik, Altin Dumani nuk fluturon me krahët e tij si tre të tjerët, por me flatrat e ëndrrave që i fali një fallxhore tip drenushe, që erdhi këtej kockë e lëkurë dhe u largua si luaneshë që i qesh qimja.
Ambasadorja Yuri Kim, që na e la në derë këtë prokuror, duhet të jetë sot një grimcë lajmi në bilancin që Altin Dumani u bën sukseseve të drejtësisë.
Asnjëri nga 4 Klanet mafioze nuk ka një biletë për bilardon e burgut.
Po pse të vejnë andej këta, sa kohë bilat nuk futen në vrimat e Sali Berishës, Ilir Metës, Erion Veliajt dhe Edi Ramës dhe familjarëve të tyre?!
Bilardoja po luhet me dy gropa, atë të grisurën dhe atë më të grisurën.
Që sukseset e drejtësisë janë 18 zyrtarë të lartë nën akuzë, është qesharake.
Pra, në njërën vrimë bilat e korrupsionit, në tjetrën të shpërdorimit të detyrës.
Mjeshtëria diplomatike për të shpërlarë llumin e qeverisë e shpërndarë stabilitet stepave ku skifterët shqyejnë ekonominë e shqiptarëve, është menyja që në vend të lidhë nyjë procesin e nxitjes për frenim nëpër etapat ku kanë kaluar hajdutët historikisht, zgjidhë lopën që kërkon kaun.
Olsi Rama dhe Erion Veliaj, kanë nevojë për një dem drejtësie, por kurrsesi për një prokuror të tredhur, që sillet si ambasador amerikan e reflekset e pasqyrave rreket t’i thyejë në konferenca shtypi, si dikur Adriatik Llalla.
Të shtypurve, të plaçkiturve, nuk ju tingëllon mirë violina që i prin orkestrës së mafies qeveritare, edhe kur kryeprokurori sillet si ambasador amerikan dhe përdorë si hark shërbimet e inteligjencës.
Të tërë bëjnë propagandë, se kemi këtu DEA-n, FBI-në, dhe punët po ecin mirë, paçka se as edhe një qeveritar në detyrë, politikan, biznesmen, i madh nuk është dënuar deri sot.
Të njëjtën melodi ka luajtur edhe Adriatik Llalla, gënjeshtra të mëdha për kapjen e peshqve të mëdhenj./Pamfleti
Lini një Përgjigje