
Ilir Meta duket se shigjeton Kryemadhin, pasi në letra duket se ai nuk njihet si president i PL. Pra, praktikisht nuk bën dot asnjë veprim financiar dhe juridik.
Ilir Meta duket se e ka kuptuar se laku po ngushtohet pak nga pak. Dje ai njoftoi se i ishin bllokuar llogaritë bankare të Partisë së Lirisë, teksa sot është ndalur sërish te kjo çështje.
Ai pati një takim me strukturat në Pogradec, ku u pyet nga gazetarët mbi deklaratat e një dite më parë. Meta sulmoi fort SPAK dhe Altin Dumanin, teksa ngriti sërish teorinë e tradhtarëve brenda partisë.
“Së pari, SPAK është nën hetim nga unë dhe do të jetë nga gjithë shqiptarët, përfshirë Altin Dumanin. Së dyti, Dumani është mbrojtësi më i flaktë i gjithë krimeve dhe i korrupsionit skizofrenik të Ramës, duke e quajtuar si një krim intelektual grabitjen pa maska të qindra milionë eurove inceneratorit të Tiranës.
Lidhur me çështjen e djeshme, isha i detyruar të mblidhja kryesinë e PL, lidhur me një zhvillim të një banke të nivelit të dytë, që ka të bëjë se disa elemente që kanë qenë brenda PL dhe janë marrë nën kontroll nga Altin Dumani dhe përdoren për të bllokuar aktivitetin e PL. Se nuk ka se si një shefe zyre, t’i drejtohet personit zyrtar të autorizuar, zyrtar i PL për të bërë veprimet financiare të PL, në atë mënyrë dhe t’i kërkojë të paraqitet vetë presidenti i partisë, por pasi të shkojë në gjykatë bashkë e statutin dhe vërtetimin që është president i PL”, tha Meta.
Më tej ai sulmoi Prokurorinë e Posaçme dhe kërcënoi kreun e saj. Po ashtu, ai tregoi se vuan nga paranoja se SPAK fshihet pas gjithçkaje. Po ashtu ai duket se shigjeton Kryemadhin, pasi në letra Meta nuk njihet si president i PL. Pra, praktikisht nuk bën dot asnjë veprim financiar dhe juridik. Sipas tij, ata që ikën nga PL po e sabotojnë. Me pak fjalë, grupi i Kryemadhit.
“SPAK është organizatë terroriste dhe gjobëvënëse. Dumani ka thënë që gjykata vendos çfarë i themi ne. Dhe afërmenç prokuroria bën çfarë i thotë policia dhe mbi policinë është Rama. Nuk ka ndarje pushtetesh. Nuk ka çfarë na bllokon SPAK, një punonjës e bankës nuk sillet në atë mënyrë nëse nuk është e lidhur me strukturat e policisë, SPAK, SHISH apo personat e tjerë që kanë qenë pjesë e PL dhe që duan të krijojnë probleme që nuk mund t'i arrijnë dot”, tha ai.
Sinjalet janë se SPAK po shkon drejt kopsitjes së dosjes për Ilir Metën dhe kreun e PL nuk po e mban vendi, pasi mëngjes, drekë e darkë sulmon Altin Dumanin, teksa nuk i ka dalë ende inati me "ish-bashkëshorten". /Pamfleti
Lini një Përgjigje