
A do ja dredhë edhe Ermal Dredha Edi Ramës; siç ja drodhi i ati, Niko Dredha Fatos Nanos në pazare...
Në zgjedhjet e 6 marsit 2022, “Pamfleti” publikoi “çudinë”, që kandidati i PS, Rasim Spahiu, la Tiranën e postin Drejtor Banke me pagë mujore 2.7 milionë lekë dhe u bë Kryetar Bashkie në Dibër, me pagë 780 mijë lekë, duke deklaruar: - Po sakrifikojë për të zgjidhur hallet e banorëve”.
Ndërsa çudia e zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, është kandidati i PS, Ermal Dredha, i cili po lë postin Ambasador në Emiratet Arabe me pagë e trajtime shtetërore 8000 USD në muaj, për t’u bërë Kryetar Bashkie në Vlorë me pagë mujore neto 1200 USD.
Me garancinë si kandidat i përzgjedhur nga Edi Rama dhe nga Gramoz Ruçi, vjehrri i vëllait Herion Dredha; kandidati Ermal Dredha prej 2 javësh është kthyer në Shqipëri, ka transferuar Regjistrin e Gjendjes Civile të banimit nga Tirana në Vlorë e ka nisur takimet elektorale.
Po përse e la detyrën e diplomatit qysh nga nëntori 2013 e Ambasador në Emiratet Arabe qysh prej muajit maj 2016, ku takohej me personalitete të Botës e preferohej nga sheikët, për të kandiduar si Kryetar Bashkie në Vlorë, ku duhet të jetë “krye-brigadier” i punëve komunale?
Këtë “sakrificë”, kandidati Ermal Dredha dhe mediat e PS, po e trumbetojnë me dy motive:
1. Dëshira për t’i shërbyer Vlorës dhe “meraku e përgjegjësia, për t’i zgjidhur hallet e qytetarëve.
2. Të çojë më tej punët e mira që bëri babai i tij Niko Dredha, kur ishte krye bashkiak i Vlorës në vitet 1998-2000.
Sa për “merakun” e kandidatit Ermal Dredha, se po “sakrifikon” duke lënë postin diplomatik dhe pagën e trajtimet 8000 USD në muaj në Abu Dhabi, nuk besojmë se “e hanë” aq kollaj vlonjatët; mbasi po të kishte kaq “merak” nuk largohej nga Vlora në vitin 2000, kur Ilir Meta e mori këshilltar në Kryeministri.
Ndërsa më 2010-ën, kur Ilir Meta ishte Ministër i Jashtëm me PD-në, e bëri Drejtor Protokolli të Shtetit e i dha gradën “Ambasador”, ku qëndroi deri në nëntor 2013, kur po Ilir Meta e emëroi Konsull në Bari e më 2016- Ambasador në Emiratet Arabe ku është akoma.
Sa për “punët” e babait si Kryetar i Bashkisë- Vlorë në vitet 1998-2000, mbahen mend vetëm lejet e trojet shtetërore falas për pallatet dhe kullat e para buzë detit, që i ndërtuan klientët e Fatos Nanos, Ilir Metës, Skënder Gjinushit, Sali Berishës dhe trafikantë droge, klandestinësh e armësh.
Siç duket, i vetmi “shërbim” për të cilin Ermal Dredhën po e kandidojnë; është vazhdimi i trajtimit të Vlorës si zonë vilash, pallatesh e kullash e resortesh përgjatë vijës bregdetare; dhe “hambar” milionash nëpërmjet tenderëve, mbasi kjo bashki është e treta për marrje fondesh pas Tiranës e Durrësit.
Veçse, nëse zgjidhet Kryetar Bashkie i Vlorës, Ermal Dredha i Edi Ramës e Gramoz Ruçit, nuk duhet “ta dredh” në pazare, si babai që ia drodhi Fatos Nanos; dhe si siç ia drodhën Edi Ramës, dy kryetarët Shpëtim Gjika e Dritan Leli që i vendosi “pashai” Koço Kokëdhima./Pamfleti
Lini një Përgjigje