Pasiguritë që po përjetohen në Berlin dhe Paris, po e paralizojnë Bashkimin Evropian në një moment kyç. Ursula Von der Leyen ka bërë shumë premtime, por programi i saj për 100 ditët e para, është thuajse pa përmbajtje.
Komisioni Evropian, shprehu të martën shqetësim mbi mundësinë e rënies së qeverisë së Michel Barnier në Francë. Kjo ishte një ndërhyrje e rrallë e Ursula von der Leyen në politikën kombëtare të një shteti anëtar. “Ne nuk jemi asnjëherë të lumtur nëse rrezikohet një qeveri dhe shkohet drejt një periudhë pasigurie, e cila ka pasoja më të gjera në kontekstin ekonomik”- tha zëdhënësja e Komisionit Paula Pinho.
Në mandatin e saj të parë, presidentja e KE Von der Leyen ishte e kujdesshme dhe ngurronte të komentonte krizat politikë të brendshme. Por duke pasur parasysh peshën e Francës në Bashkimin Evropian, anëtarja e dytë më e madhe për sa i përket popullsisë dhe ekonomisë, dhe me një deficit që tashmë duket jashtë kontrollit, një paralizë e gjatë e qeverisë në Paris është një skenar shumë alarmant për Brukselin.
Ndërsa Gjermania do të shkojë në zgjedhje më 23 shkurt 2025, për Komisionin Evropian kjo mund të nënkuptojë edhe zgjatjen e letargjisë në të cilën BE hyri që një vit më parë, në funksion të zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit dhe ripërtëritjes së të institucioneve të bllokut.
Ndërkohë është e gjatë lista e emergjencave: lufta e Rusisë kundër Ukrainës, rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, varësitë e shumta nga Kina. Dhe me Parisin dhe Berlinin në ngërç, mungojnë kushtet politike për t’i dhënë mundësi Komisionin Evropian të bëjë propozime dhe të reagojë me vendosmëri ndaj ngjarjeve aktuale.
Komisioni i ri i zonjës Von der Leyen e mori zyrtarisht detyrën më 1 dhjetor. Në të njëjtën ditë nisën punë edhe Presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas.
Por “derisa të ketë një qeveri të re në Berlin, dhe ky proces mund të zgjasë disa muaj, pak gjëra do të lëvizin në Bruksel” shpjegon një diplomat për Il Foglio. Afati kohor për formimin e një koalicioni të ri në Gjermani, mund të zgjasë deri në maj ose qershor të vitit të ardhshëm.
“Unë nuk pres që të ketë ndonjë nismë serioze, përpara se kancelar të bëhet Friedrich Merz”- konfirmon një zyrtar i BE-së. Në korridoret e institucioneve evropiane merret si e mirëqenë fitorja e kreut të Unionit CDU-CSU.
“Dilema është nëse ai do të detyrohet të qeverisë me socialdemokratët e SPD-së, me të Gjelbërit apo me liberalët e FDP-së. Për politikat e Bashkimit Evropian, mund të jetë vendimtar lloji i koalicionit që do të formojë Merz”- shpjegon më tej zyrtari.
Në Francë, politika evropiane përfshihet në domenin e rezervuar të Presidentit të Republikës. Por Emmanuel Macron është i detyruar të vuajë presionin nga e djathta dhe e majta ekstreme, të cilët kërkojnë vazhdimisht dorëheqjen e tij. Nëse nuk do të ketë një rikthim të papritur të ndjenjës së përgjegjësisë tek e majta e moderuar (Socialistët dhe të Gjelbërit), dalja nga kriza nuk do të mund të shihet në horizont.
Macron do të jetë në gjendje që të thërrasë zgjedhjet e reja parlamentare vetëm në qershor të vitit 2025, dhe rezultati do të jetë ende i pasigurt. Deri atëherë, ai do të shpërqendrohet nga problemet e brendshme. Tregjet janë nën tension (bonot franceze janë në të njëjtin nivel me ato greke).
Në rrezik është besueshmëria e rregullave të reja të Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes. Komisioni Evropian i frikësohet ndërmarrjes së hapave, të cilat mund ta nxisin elektoratin drejt partive ekstremiste. Ursula von der Leyen po pret të shohë se si do të evoluojë kriza në Paris, përpara se të vendosë nëse do të nënshkruajë apo jo marrëveshjen tregtare Mercosur me vendet e Amerikës Latine.
Pasiguritë që po përjetohen në Berlin dhe Paris, po e paralizojnë Bashkimin Evropian në një moment kyç. Ursula Von der Leyen ka bërë shumë premtime, por programi i saj për 100 ditët e para, është paksa pa përmbajtje. Më 11 dhjetor Komisioni Evropian do të zhvillojë një debat orientues mbi marrëdhëniet që duhet të ketë blloku me Shtetet e Bashkuara në të ardhmen.
Më 15 janar 2025, Brukseli do të publikojë “Busullën mbi konkurrencën”. Ndërsa vetëm më 11 shkurt të vitit që vjen, do të miratohet programi i punës për 2025-ën. Një javë më vonë do të prezantohet “vizioni” mbi të ardhmen e bujqësisë në kontinent.
Më 26 shkurt, menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Gjermani, do të publikohet “Marrëveshja e industrisë së pastër” dhe paketa e thjeshtëzimit. Në 100 ditët e para të komisionit të ri, u premtua edhe “Libri i Bardhë i mbrojtjes”, për të cilin nuk ka ende një datë prezantimi.
Von der Leyen ka njoftuar se ajo do të merret personalisht me krizën në industrinë e automobilave, duke nisur një dialog strategjik për të ardhmen e sektorit. “Busulla” , “libri i bardhë”, “vizioni”, “dialogu strategjik”: që të gjitha këto janë shprehje që në zhargonin e BE-së tregojnë dokumente që përmbajnë ide, udhëzime, opsione dhe mundësi për t’u eksploruar dhe ndjekur.
Por përveç rasteve të kufizuara, nuk do të ketë propozime legjislative konkrete. Në këto kushte, ligjet kryesore të legjislaturës së re, do të nisin të miratohet duke nisur nga mesi i vitit të ardhshëm./Përshtati Pamfleti nga “Il Foglio”
Lini një Përgjigje