Deputeti Edi Paloka e ka konsideruar ‘pervers’ vendimin e Ilirjan Celibashit, i cili njohu si kryetar të PD-së Lulzim Bashën. Paloka thekson se sot Celibashi u soll si Rama, jo pse njohu Bashën si kryetar, po se me një dëshirë perverse po kërkon ta poshtërojë deri në fund.
“Sot Celibashi u soll si Rama… jo pse “njohu” L.B si kryetar, po se me një dëshire perverse, po kërkon ta poshtërojë deri në fund. Rama, si pervers që është, ka gjithmonë dëshirë që ata që ka blerë apo i mban peng në çfarëdolloj mënyre, t’i poshtërojë publikisht. Këtë beri sot dhe Celibashi; i kërkoi L.B së dorëhequr prej një viti që të firmosë si kryetar partie. Për t’i shpëtuar këtij poshtërimi (jo se poshtërimin e ka problem), L.B arriti edhe të falsifikojë një palo “autorizim”, të cilit i vuri një datë përpara ditës që ai kishte shpallur dorëheqjen. Po pikërisht këtë nuk ia lejoi Celibashi dhe i kërkoi që të vetëposhtërohet deri në fund.
Që L.B do firmosë, nuk ka njeri dyshime, se kur je peng, kështu të ndodh, nuk të lënë as të ikësh pa iu shërbyer deri në fund. Kështu që siç do thoshte pengmarrësi i tij në këtë rast: “L.B do firmosi “si Çeço” se ashtu i duhet Ramës”. Sa për faktin që vazhdon të shkelet ligji, procedurat, afatet ligjore, e më e rëndësishmja dhe Kushtetuta, për këtë nuk pyet më njeri në guvernën e përbashkët Rama-Kim-McGonigal”, ka shkruar Paloka.
Pas shqyrtimit të dy kërkesave të Partisë Demokratike, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se nga ana ligjore, kryetar i PD është Lulzim Basha, jo Sali Berisha, por shtoi gjithashtu se dokumentacioni i grupimit të Enkelejd Alibeajt është i paplotë. E po ashtu, nuk ka as përputhje me Kodin Zgjedhor. Para Celibashit, përfaqësuesit e grupit të Alibeajt dhe Sali Berishës dhanë argumentet e tyre pse duhet të regjistrohen në zgjedhje.
Po ashtu, sot në rendin e ditës ishte kërkesa e regjistrimit për 7 parti të tjera, kështu që nga KQZ u miratuan kërkesat e PS dhe Partisë së Lirisë. Deri më tani, 49 parti politike kanë dorëzuar në KQZ kërkesën për garuar në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023. Pas këtij regjistrimi paraprak, në 15 mars aplikohet për koalicionet dhe në 27 mars depozitohet lista e kandidatëve për kryetar bashkie dhe lista shumë-emërore e kandidatëve për këshillat bashkiak.
Lini një Përgjigje