Apeli i Gjykatës së Posaçme ka refuzuar ankimimin e Arben Ahmetajt për kontrollin e banesës së bashkëjetueses së tij.
Përmes këtij vendimi, Apeli e konsideron të rregullt kontrollin e para 20 ditësh ndërkohë që duket mbetet në fuqi sekuestroja që i është vendosur banesës.
Gjyqtari i Apelit të Posaçëm Dhimitër Lara e mori vendimin në dhomë këshillimi. Avokati i Ahmetaj, theksoi në ankimimin e bërë në gjykatë se kontrollet e ushtruara në banesën e bashkëjetueses së deputetit, Erjola Hoxha, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe cënojnë sovranitetin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu në ankimim nënvizohej se kontrollet janë të pabazuara në prova dhe se kanë cënuar dinjitetin njerëzor në zonjës Hoxha me shkeljen e privatësisë.
Dy javë më parë Arben Ahmetaj i konsideroi të paligjshme kontrollet që janë bërë nga Byroja Kombëtare e Hetimit e SPAK në vilat në pronësi të bashkëjetueses së tij dhe ish gruas. Ahmetaj thoshte se kontrolli në një prej vilave minimalisht është anti kushtetues pasi nuk është marrë leje nga Kuvendi duke qenë se ai është deputet dhe jeton aty. Sipas Ahmetaj njëkohësisht bashkëjetuesja nuk ishte informuar paraprakisht për të pasur praninë e një mbrojtësi ligjor.
Arben Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për 4 akuza shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim të parave dhe përftimi të paligjshëm të interesave.
Në kuadër të hetimeve, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zbarkuar për kontroll në disa nga pasuritë në emër të ish-bashkëshortes së Arben Ahmetaj, Albina Mançka dhe të bashkëjetuese Erjola Hoxha. Gjatë kontrollit tek vila në zonën e Hamallajt, u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh. Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes u sekuestruan vetëm disa dokumente. Pas këtij kontrolli SPAK ka marrë vendimin për të sekuestruar 2 vila në kuadër të hetimit ndaj ish-zv. Kryeministrit Arben Ahmetaj. U vendos sekuestro preventive për vilën në Palasë të ish-bashkëshortes së ish-ministrit, Albina Mançka si dhe vilën në Hamallaj në pronësi të bashkëjetueses Erjola Kodra, ku Ahmetaj thotë se jeton. Më herët ish-gruaja e Arben Ahmetaj, ka deklaruar se vila nuk është pronë e saj. Gjatë marrjes në pyetje Maçka, ka pretenduar se vilën në Palasë ja ka lënë një shoqja e saj e cila jeton në Zvicër dhe pretendon se ka vetëm një banesë në ish-Bllok. Dera e vilës në Palasë të Vlorës është hapur me forcë nga zjarrfikësja, ndërsa janë sekuestruar sende personale dhe fatura. Mësohet se janë sekuestruar fatura e dokumente në emrin e saj, që verifikojnë se banesa është në pronësi të saj. Veprimet e BKH-së janë kryer me mbështetje të policisë së Vlorës.
Lini një Përgjigje