TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Shkurt 2025, 19:13

Kokalari mesazh LaCivita: Ju po punoni për një komunist si Berisha, që mban Ramën e korruptuar në pushtet

Shkruar nga Pamfleti

Kokalari mesazh LaCivita: Ju po punoni për një komunist si Berisha,

Aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari ka postuar në rrjetet sociale një reagim pas deklaratave të Chris LaCivita, i cili një ditë më parë tha se nuk punon për komunistët.

Kokalari në postimin e saj shprehet se Sali Berisha është komunisti që drejton opozitën në Shqipëri, ndërsa ka publikuar një teser të PPSH-së, që tregon lidhjen e kreut demokrat me partinë e Enver Hoxhës, por edhe disa foto të asaj kohe me diktatorin.

“Po ndaj me ju një postim të bërë ku kam sqaruar Chris LaCiviten për ccfarë kam kuptuar këto tre vitet e fundit që jam marrë me pak politikë dhe në Shqipëri”, shkruan Kokalari.

Referuar intervistës së fundit të LaCivita për Syri TV, ku tha se “mundi komunistët dhe socialistët në SHBA, po i mundë edhe në Shqipëri”, Kokalari shkruan se “me gjithë respektin e duhur, Chris, ti nuk munde askënd. Presidenti Trump, Elon Musk, RFK Jr., Vivek, Tulsi dhe baza besnike e Presidentit Trump i bënë të gjitha këto. Sigurisht që ju ndihmuat, por nuk fituat kundër socialistëve dhe komunistëve të Amerikës. Ky ishte një koment mashtrues që iu bë shqiptarëve, dhe kjo nuk është e drejtë”.

“Nëse @ChrisLaCivita nuk e di, më lejoni të shpjegoj se ai tashmë punon për kreun komunist të opozitës”, shkruan ndër të tjera Kokalari.

Në vijim ajo shprehet se “Sali Berisha ishte infiltrimi komunist që mori peng partinë, hoqi shumicën e mendjeve të ndritura dhe elementët e djathtë, shumë prej të cilëve ishin persekutuar nga regjimi komunist dhe vrau demokracinë në Shqipëri. Rama, Berisha dhe Meta (ish-president dhe një socialist aktual i ulur në burg për korrupsion) kanë bërë rotacion pushteti mes tyre për 33 vitet e fundit. Unë i referohem atyre si regjimi post-komunist dhe elita e korruptuar që duhet të shkatërrohet plotësisht përpara se konservatorizmi të lulëzojë në Shqipëri. Edi Rama është politikani i korruptuar që Shqipëria duhet të heqë qafe, por siç mësova këto tre vitet e fundit, Sali Berisha është komunisti që nuk e lë opozitën të arrijë të largojë Ramën sepse ai do të kryesojë partinë që të mund ta përdorë atë për të mbrojtur veten dhe familjen e tij nga hetimi i korrupsionit dhe sanksionet e SHBA dhe Britanisë së Madhe”.

“Shqiptarët nuk janë budallenj dhe nuk i besojnë Berishës dhe prandaj Berisha nuk i ka votat. Këtu duhet të shtoj se nuk ka meritokraci brenda partisë. Ata besojnë që të ketë një proces votimi dhe tani pasi e kam shtyrë, po zbatojnë primaret, por përsëri i kam kapur duke vjedhur dhe manipuluar votat ndaj miqve të tyre në 2022. Pra në thelb partia ka zero demokraci. Berisha u tregon besnikeve të tij se kë do apo nuk do ne parti dhe kryesi, dhe ata gjejne menyren si ta bëjnë këtë.

Pra @ChrisLaCivita, për ironi, ju po punoni për një komunist, dhe mjerisht, një republikan dhe dikush që ishte pjesë e fushatës MAGA, po dëmton konservatorët e vërtetë në Shqipëri që duhet të heqin qafe Berishën në mënyrë që të heqin qafe Ramën. Përndryshe, Edi Rama do të fitojë sërish majin që vjen, sepse Rama nuk është budalla që të lejojë dikë aq të korruptuar sa Berisha t'i marrë pushtetin”, shkruan ndër të tjera Kokalari.

Lini një Përgjigje