
Deputetja e Partisë Socialiste, Etilda Gjonaj ka shprehur qëndrimin e saj në lidhje me kërkesën për arrestimin e Arben Ahmetaj.
Në një prononcim për gazetarët nga ambientet e jashtme të Kuvendit, Gjonaj nënvizoi se organet e drejtësisë nuk do të pengohen për të bërë punën e tyre. Më tej, ajo u shpreh se ndihet keq që kolegu i tyre do të shkojë në burg, por shtoi se tashmë kjo është një çështje që i takon drejtësisë.
“Ka pasur një vendimarrje dje në Këshillin e Mandateve, dhe vullneti është shumë i qartë për të lënë organet e drejtësisë për të bërë punën e tyre. Personalisht ndihem keq, por për sa kohë është një çështje që i takon drejtësisë, do zbatojmë çfarë drejtësia ka vendosur”, tha Gjonaj.
Kujtojmë se një ditë më parë, Këshilli i Mandateve vendosi t’i japë autorizim SPAK-ut për arrestimin dhe kontrollin e banesës së Ahmetajt.
Mazhoranca dhe opozita në Këshill, ndonëse me raporte të ndryshme, ishin në një qëndrim të përbashkët sa i përket dhënies së autorizimit për kërkesën e SPAK-ut.
Lini një Përgjigje