
Avokati Arben Llangozi ka komentuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme ndaj Kuvendit për autorizimin e masës së “arrestit në shtëpi”, për ish kryeministrin Sali Berisha.
Sipas Llangozit masat ndaj ish-kryeministrit do të vijnë duke u ashpërsuar, pasi ai nuk iu bind vendimit të gjykatës në fillim.
Por masë më të ashpër sipas tij nuk do të ketë, për shkak edhe të moshës së Berishës.
“Masat ndaj zotit Berisha do të ashpërsohen, për arsye se ai nuk arriti t’ju bindej vendimit të gjykatës. Abuzoi me imunitetin që i kishte dhënë ligji dhe SPAK këtë gabim që kishte bërë në fillim e korrigjoi, por e korrigjoi me një ashpërsim mase për zotin Berisha. Mendoj se masa për zotin Berisha mund të jetë “Arrest në shtëpi”, sepse masë më të madhe apo më shtrënguese nuk mund të ketë për shkak të moshës së zotit Berisha dhe mendoj që ashpërsimi do jetë ky”, thotë Llangozi.
Nga ana tjetër, ai vlerëson se është e padiskutueshme që Parlamenti do ta miratojë kërkesën e SPAK për ta vënë Berishën nën arrest shtëpie dhe do t’i hiqet imuniteti.
“Është e padiskutueshme që Kuvendi dhe Parlamenti do e miratojnë kërkesën e Prokurorisë, siç ka vijuar edhe me të tjerë personazhe të politikës dhe i është hequr imuniteti nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”, shton avokati.
Llangozi shton se tani e tutje lufta ndaj Berishës do të bëhet më e ashpër dhe ai do të dalë i humbur përpara drejtësisë.
“Lufta për Berishën tani do të bëhet më e ashpër dhe mendoj se do të dalë i humbur përpara drejtësisë. Që do të thotë se do të ketë penalitete, do të dënohet, por edhe masa do t’i ashpërsohet. Për shkak të moshës, referuar edhe Kodit të Procedurës Penale, zotit Berisha nuk mund t’i caktohet as masa e arrestit në shtëpi. Por referuar kërkesës që Prokuroria kishte bërë, ajo kërkon këtë masë vetëm për ashpërsim të masës kundrejt tij. Dhe mendoj se kjo do të jetë masa më e ashpër për zotin Berisha.”, shprehet Arben Llangozi.
Lini një Përgjigje