
Partia Demokratike do të jetë pjesë e zgjedhjeve të 14 majit.
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka rrëzuar vendimin e Komisionerit Ilirian Celibashi për të lënë jashtë zgjedhjeve PD, duke vendosur që kjo parti të garojë në zgjedhjet e 14 Majit si parti e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.
Celibashi refuzoi regjistrimin, me argumentin se kryetar i saj figuron Lulzim Basha në regjistrin e gjykatës dhe kërkoi që ai të firmosë një deklaratë solemne për angazhimin në zgjedhje. Por KAS ka pranuar zhvillimet në PD se Basha është dorëhequr dhe ka kërkuar që deklarata solemne të nënshkruhet nga drejtuesi i komanduar Enkelejd Alibeaj. Po ashtu i ka dhënë urdhër Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve që të regjistrojë PD dhe ajo të jetë pjesë e garës.
“Në përfundim të shqyrtim KAS, bazuar në nenin 21 të Kodit Zgjedhor, vendosi: rrëzimin e kërkesës ankimore më numër 33 të ankuesit Partia Demokratike përfaqësuar nga zoti Ledio Nuraj. Pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore numër 32 të ankuesit Partia Demokratike përfaqësuar nga zoti Indrit Sefa.
Ankuesi të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë: deklaratën me të dhënat për nënkryetarin, zotin Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar; deklaratën e angazhimit solemne të nënshkruar nga Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë, detyrimin e Komisionerit Shtetëror të regjistrojë subjektin zgjedhor Partia Demokratike, me nënkryetarin Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor brenda pesë ditëve nga shpallja e tij”, thuhet në vendimin e lexuar nga relatori i çështjet, Koli Bele. Nga ana tjetër KAS i mbylli Berishës derën e PD, i cili tani do fshihet pas Ilir Metës.
Dy ditë më parë, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve refuzoi të regjistronte PD si parti në zgjedhjet parlamentare duke u kapur pas faktit se kryetari i saj ligjor është Basha. Por juristët e PD këmbëngulën se ai ka dhënë dorëheqjen dhe ja ka deleguar kompetencat Enkelejd Alibeajt. Celibashi nuk e pranoi një argument të tillë dhe u duk se i bëri qokën Berishës. Ky i fundit do futet si koalicion dhe për sa kohë Alibeaj mbetej jashtë zgjedhjeve, ai do e kishte të lehtë garën. Por për KAS, Basha është dorëhequr dhe tani PD drejtohet nga Alibeaj, emri i të cilit pritet të jetë përbri logos së PD në fletën e votimit.
Lini një Përgjigje