Kreu i PL-së, Ilir Meta ka sulmuar ministrin e ri të Mbrojtjes, Pirro Vëngun.
Në deklartatë për mediat, Meta thotë se Vëngu është një figurë e dyshimtë dhe se ministri i Mbrojtjes nuk mund të jetë dhe grek dhe shqiptarë.
Meta tha se Vëngu vjen nga Porti i Durrësit dhe ka bërë një sërë shkeljesh të rënda ligjore dhe ka firmosur marrëzira.
“Është ministri i Mbrojtjes dhe nuk mund të jetë dhe shqiptar dhe grek. Nuk mund të ketë dy pasaporta. Është një figurë e dyshimtë se vjen nga Porti i Durrësit i Alabarit. Ka bërë shkelje të rënda ligjore dhe ka firmosur marrëzira”, tha Meta.
Ndërkohë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes Kryetarit të Grupit Gazment Bardhi i ka kërkuar sot SPAK-ut të nisë hetimet për ish-drejtorin e Autoritetit Portual Durrës, Ministrin e ri të Mbrojtjes, Pirro Vëngu.
"Shkak për këtë kallëzim është bërë një procedurë tenderi e realizuar në muajin Korrik 2024 nga Autoriteti Portual Durrës, i cili ka nënshkruar një kontratë konsulence me kompaninë hollandeze Royal Haskoning DHV, me vlerë 12 milionë euro, për mbikëqyrjen e punimeve për ndërtimin e portit të ri të integruar të Durrësit në Porto-Romano. Kjo kontratë është lidhur me negocim të drejtpërdrejtë ndërmjet drejtorit të Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vëngu dhe përfaqësuesve të kompanisë private Royal Haskoning DHV, pa iu nënshtruar procedurave të zakonshme të prokurimit publik. Ish-drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vëngu rezulton se ka shmangur të gjitha rregullat e prokurimit publik, duke përzgjedhur drejtpërdrejtë kompaninë fituese, duke cënuar haptazi interesin publik dhe dëmtuar rëndë Buxhetin e Shtetit, me qëllim përfitimin ekonomik të subjektit privat", lexohet në njoftimin e PD.
"Në këto kushte, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara mbi prova, se Pirro Vëngu, ish-drejtor i Autoritetit Portual Durrës, dhe aktualisht ministër i Mbrojtjes, ka konsumuar veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal", shton njoftimi i Partisë Demokratike.
Lini një Përgjigje