TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Gusht 2024, 21:04

“Jemi ndër vendet më të braktisura nga banorët”, Berisha: Nga viti 2014 deri në 2022 janë larguar 40% e shqiptarëve

Shkruar nga Pamfleti
“Jemi ndër vendet më të braktisura nga banorët”,
Sali Berisha

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha foli lidhur me emigracionin masiv të shqiptarëve. Ai tha se sipas Organizatës Botërore të Emigracionit, Shqipëria renditet në krye të vendeve të braktisura nga banorët e saj.

Berisha u shpreh se nga 2014-2022 vetëm në vendet e hapësirës Shengen emigruan në total 35% e popullatës së vendi. Sipas tij nëse llogariten edhe emigrimet në vendet e tjera si Australi, SHBA, Zvicër etj, rezultojnë 40% të larguar.

Të vërteta të hidhura të narko-regjimit të Edi Ramës, të kësaj diktature bandash që bazohet në aleancën e pushtetit me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Të dashur miq, mediat dhe organizatat ndërkombëtare informuan ndofta lajmin më tronditës të 33 viteve. Sipas Organizatës Botërore të Emigracionit, Shqipëria renditet në krye të vendeve të braktisura nga banorët e saj. Sipas kësaj organizate, më seriozja në këtë fushë në botë, 66% e shqiptarëve në këto tri dekada janë larguar nga Shqipëria.

Sot në Shqipëri banojnë vetëm 34% e shtetasve shqiptarë që janë lindur dhe janë rritur në këtë vend. Mbi 1.6 milionë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. E vërteta është se në vitin 1991 shqiptarët të cilët kishin gjithësej 204 dollarë për frymë dhe dolën nga sistemi hiperkolektivist-socialist, si fantazma më shumë, se sa si njerëz, u takuan me lirinë, por dhimbjet e urisë, dhimbjet e mjerimit i detyruan ata masivisht të largohen nga Shqipëria.

Qindra e mijëra u larguan nga deti, nga toka, nga ky vend. Por e rëndë dhe e tmerrshme është se largimet më të mëdha, 40% të atyre që janë larguar nga Shqipëria këto 30 vite, u larguan pas vitit 2014. Në vitet 2005-2013, edhe pas heqjes së vizave kishte qarkullim, kishte edhe largime, por pati më shumë kthime në Shqipëri. 180 mijë familje shqiptare u kthyen nga emigracioni në Shqipëri. Numri i shqiptarëve në Shqipëri u rrit nga viti në vit. Kurse nga 2014 dhe në vazhdim filloi procesi i zbrazjes masive të Shqipërisë, i zbrazjes së Shqipërisë nga shqiptarët sa kurrë ndonjëherë nga ndonjë luftë, sa kurrë ndonjëherë nga ndonjë tragjedi, zi buke, apo epidemi.

Gjatë këtyre viteve, sipas EUROSTAT nga 2014-2022 vetëm në vendet e hapësirës Shengen emigruan në total 35% e popullatës së vendit, apo 981 506 shtetas shqiptarë, nga të cilët po sipas EUROSTAT 991 670 kërkuan azil politik në vendet e hapësirës së Shengen. 311 650 qëndrojnë ilegalë në këto vende, kurse 478 245 mijë arritën të marrin dokumente të rregullta, apo kishin marrë dokumente të rregullta.

Pra, shifrat e EUROSTAT vetëm në zonën e Shengen tregojnë se u larguan 35% e shqiptarëve, por në rast se shtojmë këtu të larguarit për në Britaninë e Madhe, 43 mijë të larguar me Green Card në SHBA me lotari, këto së bashku e çojnë në 38% numrin e të larguarve nga Shqipëria. Dhe në rast se shtohen zona tjera Kanada, Australi, Norvegji, Zvicër, Lindje e Mesme dhe kudo, numri i të larguarve nga Shqipëria nga 2014 e gjer sot arrin në 40% të shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

emigracioni

Lini një Përgjigje