TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Qershor 2024, 19:04

Javë ankthi për Berishën/ Nga djegia e mandatit te vula e PD, brenda 10 ditësh vendoset fati politik i “non gratës”

Shkruar nga Pamfleti
Javë ankthi për Berishën/ Nga djegia e mandatit te vula e PD,
Berisha duke u folur militantëve nga dritarja

11 dhe 20 qershori, janë dy datat vendimtare për fatin politik të Berishës...

Ditët në vijim do të jenë vendimtare sa i takon fatit politik të Sali Berishës. Prej 33 vitesh ka dominuar politikën shqiptare, por në 10 ditët që vijnë, ai mund të marrë dy goditje finale, që do ta nxjerrin tërësisht nga politika.

Më 11 qershor pritet që të vendoset në Apel fati i vulës së PD. Kanë dy vite grupi i Berishës dhe i Bashës që rropaten gjyqeve dhe nëpër studio televizive duke thënë se kush e drejton PD. Por të martën mund të kemi një vendim të formës së prerë se kujt i takon PD. Apeli e ktheu në Shkallë të Parë rastin, mirëpo çështja shkoi në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi që Gjykata e Apelit të marrë një vendim final. Pra Apeli duhet të thotë nëse i takon Berishës apo Bashës vula e PD. Seanca do të mbahet në orën 10 dhe trupa gjykuese përbëhet nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro. Nëse nuk do të ketë shtyrje, shpresohet që Apeli të marrë një vendim final.

Ky vendim ka rëndësi të madhe, pasi në varësi të tij do të përcaktohet fati i grupimeve të Berishës dhe Bashës. Nëse vula i mbetet Bashës, Berisha nuk futet dot në zgjedhje dhe do të duhet të krijojë parti të re, ose do strehohet te Ilir Meta dhe partitë e vogla.

E njëjta gjë dhe nëse ndodh e kundërta. Basha del jashtë loje, pasi ka shumë pak deputetë pas vetes dhe zgjidhja e vetme do të jetë të dalë me parti më vete.

Por ky nuk do të jetë zhvillimi i vetëm që po pret me ankth Berisha. Më 20 qershor bëhen fiks 6 muaj që kur ai nuk ka shkelur në Parlament. Kjo do të thotë se sipas Kushtetutës atij duhet t’i hiqet mandati i deputetit. SPAK dhe GJKKO e kanë ndaluar të shkojë në Kuvend. Tani e ka vetë Berisha në dorë, nëse do e thyejë masën e sigurisë dhe të rrezikojë më pas burgun, apo aty do të vuloset fundi i tij politik. Pra në harkun e 10 ditëve do të ketë dy zhvillime shumë të forta, të cilat do ndryshojnë fatin e PD dhe të politikës në vend. /Pamfleti

Lini një Përgjigje