Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, ka dhënë detaje si është situata me shqiptarët në Izrael dhe Iran, vende të cilat kanë nisur prej 5 ditësh një konflikt të armatosur mes tyre.
Pesë qytetarë shqiptarë, që ndodheshin në Izrael për arsye turistike dhe profesionale, janë larguar sot nga Izraeli në mënyrë të sigurt përmes Egjiptit.
Ata ndodhen tashmë në Egjipt, në gjendje të mirë shëndetësore, dhe pritet të kthehen së shpejti në Shqipëri.
Ministri i jashtëm, Igli Hasani shkruan se largimi dhe kthimi i tyre u mundësua nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet ambasadave në Tel Aviv dhe Kajro.
“Falënderojmë autoritetet izraelite, Ambasadën Greke dhe Ambasadën Bullgare në Tel Aviv, autoritetet egjiptiane, si dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban për mbështetjen dhe bashkëpunimin e dhënë.”, shkruan Hasani.
Ndërkohë liderët e G7 kërkuan zbutje tensioneve në Lindjen e Mesme, përfshirë edhe një armëpushim në Gaza. Në një deklaratë të përbashkët ata ritheksuan angazhimin për paqe e stabilitet në rajon, duke shtuar se brenda këtij konteksti Izraeli ka të drejtën të mbrojë veten.
Presidenti amerikan Donald Trump u largua më herët nga samiti në Kanada, duke u thënë gazetarëve se duhej të kthehej në vend, për arsye që dihen. Largimi i tij erdhi teksa Izraeli dhe Irani sulmuan njëri-tjetrin për të pestën ditë me radhë.
Qarkulluan raportime se Trump kishte urdhëruar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për t’u takuar pas kthimit të tij, duke nxitur zërat për një përfshirje të mundshme të SHBA në ofensivën izraelite kundër Iranit. Por, Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë sugjerimet, ndërsa vetë Trump iu drejtua platformës sociale “Social Truth” për të përgënjeshtruar deklaratën e Macron, se ai ishte larguar më herët për të punuar mbi një paqe të mundshme mes Izraelit dhe Iranit.
“Presidenti francez Emmanuel Macron, të cilit i pëlqen publiciteti, tha se u largova nga samiti i G7 për të punuar mbi një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit. Gabim. Ai nuk ka asnjë ide përse u ktheva, por me siguri që kjo nuk ka të bëjë me armëpushimin. Është më e madhe se kjo. Qëllimisht ose jo. Emmanuel gjithmonë e kupton gabim”, shkroi Trump.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi dërgimin e kapaciteteve shtesë në Lindjen e Mesme, për të përforcuar posturën mbrojtëse të Pentagonit. Më herët, Presidenti kishte postuar në rrjetet sociale se Teherani duhet të kishte nënshkruar marrëveshjen e propozuar prej tij, në raundin e fundit të bisedimeve bërthamore.
“Thjesht dhe qartë, Irani nuk mund të ketë një armë bërthamor”, shkroi ai.
Trump u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve atje të evakuojnë menjëherë kryeqytetin Teheran, me 17 milionë banorë, por pa ofruar detaje të mëtejshme. Gjatë pjesëmarrjes në samit, Presidenti amerikan e cilësoi një gabim dëbimin e Rusisë nga G7.
Lini një Përgjigje