Sulmi i së dielës në Banjskë të Zveçanit në Kosovë tregoi tendencën e serbëve për rikthimin e konfliktit të Ballkan.
Kështu e sheh ish-ambasadori shqiptar në OKB, Agim Nesho, sulmin terrorist të 3 ditëve më parë ku u vra efektivi Afrim Bunjaku.
Në një lidhje për “Dita jonë” ai tha se ky konflikt është pjesë e një skenari më të thellë dhe më të gjatë. Sipas tij, ëndrra e Serbisë është të zbatojë projektet ruso-serbe duke ndarë Kosovën dhe për të krijuar rolin dominues në Ballkan.
“Ka tendencë nga serbët për rikthim të konfliktit në Ballkan. Këtë tregoi edhe sulmi terrorist që është një përgatitje e formacioneve ushtarake serbe për të mbajtur në këmbë konfliktin e ngrirë në veriun e Kosovës. Është strategji e vjetër e serbëve, diçka e përgatitur, pasi nuk kanë pranuar realitetin e vitit 2008 të krijimit të Republikës së Kosovës. Ky konflikt është pjesë e një skenari më të thellë e më të gjatë. Ata do presin rastin se kur mund të bëhet një zgjidhje e tillë. Serbia vazhdon të zbatojë projektet ruso serbe për të qenë të fituar për të ndarë Kosovën dhe për të krijuar rolin dominues në Ballkan, kjo është ëndrra e vjetër e Serbisë”., tha ai.
Ish-diplomati paralajmëroi edhe skenarët më të këqij serb pas sulmit terrorist të së dielës.
“Ne duhet të jemi të përgatitur. Skenari kryesor që Serbia po pret konferencën që do të mbyllë rezultatin e luftës në Ukrainë. Serbia duke iu bashkuar Rusisë mendon që ky është shansi më i madh për t’u futur edhe ajo në marrëveshjen ndërkombëtare për të marrë diçka nga Kosova. Kjo është e papranueshme, por është një teori që po ndjek politika e nacionalizmit serb. Deklarata e Vuçiçit që nuk do ta njohë kurrë Kosovës është e papranueshme, sidomos për filozofinë europiane. Kompromisi janë mjetet e diplomacisë moderne perëndimore. Vuçiç nuk e pranon këtë gjë, ka një politikë që ruhet nga regjimi autokratik, ka projektet e tij për Ballkanin dhe mendoj që nuk do të bëhet kurrë pjesë e BE-së përsa kohë që regjimi nacionalist të jetë në Serbi. Dialogu po pengohet prej tyre, nuk mund të ketë dialog të njëanshëm”.
Ai vlerëson kryeministrin Kurti për qëndrimin e tij në princip, ndërsa nuk kurseu kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama për politikën e ndjekur me Vuçiç dhe Kosovën. Sipas tij Rama duhet të largohet urgjentisht nga përkrahja indirekt që i bën presidentit serb.
Lini një Përgjigje