
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka thënë se Shqipëria nuk meriton të qeveriset nga një Qeveri si ajo që prezantoi investigimit të “RAI3”.
Bardhi theksoi se në qeveri nuk kemi shërbëtorë të qytetarëve por shërbëtorë të krimit të organizuar, duke i cilësuar si grabitqarë të parave publike.
Ai tha se kryeministri zgjohet çdo mëngjes me hallin personal të Olsi Ramës, Agaçit, Veliajt dhe Ballukut, duke theksuar se halli i tyre është halli i pushtetit të tij.
“Shqipëria nuk meriton të qeveriset nga një Qeveri si ajo që na prezantoi investigimi më i fundit i ‘Rai 3’, ku me fakte, pohonte atë që ne e ndjejmë cdo ditë. Në qeverisje nuk kemi shërbëtorët e qytetarëve, por shërbëtorët e krimit të organizuar. Në qeverisje nuk kemi administratorët e parave dhe pasurive publike, por kemi grabitqarët e parave dhe pasurive publike. Në qeverisje nuk kemi një Kryeministër që zgjohet çdo mëngjes për të menduar dhe zgjidhur hallet e qytetarëve, por një Kryeministër që zgjohet çdo mëngjes me hallin personal të Olsit, me hallin personal të Agacit, me hallin personal të Erion Veliajt, me hallin personal të Belinda Ballukut, me hallin personal të Arben Ahmetajt, e me radhë, duke u bërë avokatinë atyre, jo falas, por me koston e hallit të tij personal. Sepse e di shumë mirë që halli i Olsit është halli i pushtetit të tij, halli i Agacit është halli i pushtetit të tij, halli i Erionit është halli i pushtetit të tij”, thotë Bardhi.
Ndër të tjera ai tha se Rama po sulmon median shtetërore italiane vetëm se tha të vërtetën dhe po bëhet avokat i krimit dhe korrupsionit duke mbrojtur Olsin dhe Agaçin. Ai theksoi se pavërësisht kërcënimeve, nuk ia mbyll dot gojën opozitës. Bardhi tha se Rama ka një muaj që fshihet duke mos ardhur në Kuvend për tu mos u përballur me të vërtetat, duke e cilësuar si frikacak.
“Prej një jave merret nga mëngjesi në darkë, duke sulmuar median shtetërore italiane Rai 3, vetëm pse ajo i tha publikut të vërtetën. Merret prej një jave me avokatinë e Olsit apo Agacit, a thua se është mandatuar për të bërë avokatinë e krimit dhe korrupsionit. Merret prej një jave me sulme ndaj opozitës, sepse ka kuptuar që nuk ia mbyll dot gojën opozitës, as me shantazhe, as me burgosje, as me kërcënime.
Prandaj ka një muaj që fshihet, nuk vjen në Kuvend, sepse nuk përballet dot me të vërteta, ndërkohë që ka konsumuar nga aferat që i dalin çdo ditë të gjitha alibitë. Nuk ka më gënjeshtër dhe alibi që i mbulon të vërtetat. E ka kuptuar, prandaj si frikacak fshihet nga llogaridhënia në Kuvend, i fshihet opozitës, ju fshihet ju qytetarëve. Por ai nuk mund të fshihet për shumë gjatë. Koha e përballjes me të vërtetën, koha ku ai duhet ti jap llogari qytetarëve për këtë që ka bërë në 11 vjet, është më afër se kurrë. Ajo do të jetë ora ku akrepat për Shqipërinë do të ecin para, ndërkohë akrepat e orës për Edi Ramën pasi kanë ngec në vend numëro, do të fillojnë të shkojnë mbrapa”, tha ai.
Lini një Përgjigje