“Luftë” e madhe për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të SHBA...
Inaugurimi i Donald Trump më 20 janar, padyshim do të jetë ngjarja më e madhe botërore. Ai do të marrë për herë të dytë detyrën, por këtë herë është rikthyer shumë më i fortë. Thuajse të gjithë liderët botërorë duan të jenë atë ditë aty dhe padyshim nuk kishte se si të mungonin politikanët shqiptarë.
Kur fitoi Trump, u hap shampanja në radhët e PD, pasi të gjithë mendojnë se “kaq e pati fukarallëku” dhe tani me rikthimin e tij opozita nuk do të ketë më telashe me drejtësinë, do vijë në pushtet, etj. Dhe nuk ka se si opozita të mos shfrytëzojë një ngjarje si inaugurimi i Trump.
Disa eksponentë të saj do të shkojnë disa ditë para në SHBA, me qëllim që të hedhin në Facebook disa foto nga periferia e Capitol Hill, aty ku dhe do të bëhet ceremonia e betimit. Njësoj si Meta në vitin 2017, ku ishte qindrat metra larg.
Deri më tani është konfirmuar se dy amerikanët më të flaktë që do të jenë atje janë Belind Këlliçi dhe Fatmir Mediu. Të dy janë parë shpesh javët e fundit në SHBA dhe si duket kanë arritur t’i gjejnë nja dy ftesa për të qenë aty. Kjo u konfirmuar dje nga vetë Këlliçi, i ftuar në emisionin e Ylli Rakipit.
“Më 20 janar do të jem në inaugurimin e zoti Trump. Patjetër do të ketë dhe shumë të tjerë. Më duket zoti Mediu...”, tha ai.
Por sipas informacioneve, do të ketë dhe emra të tjerë, si nga radhët e opozitës ashtu dhe nga Partia Socialiste. Vërtet PD po gëzon hapur për fitoren e Trump, por në fakt më të gëzuar janë socialistët. Rama ka krijuar miqësi të fortë me Trump, për të mos thënë se hyri deri në familje me projektin për Sazanin.
Por problemi nuk është prania aty, problemi është se politika shqiptare mendon ende se do të gënjejë shqiptarët me një foto në Kapitol.
Si Rama, që harxhoi 80 mijë dollarë për një foto me Obamën, si Basha me Trump, apo dhe si Meta, kanë shitur foto të kapur korridoreve si mbështetje nga amerikanët. Ku janë sot Basha me Metën? Po Berisha? Po Rama, e ka vërtet mbështetjen e tyre?
Pra, në pushtet nuk të sjell një foto me Trump, por të sjellin votat e shqiptarëve. Shpresojmë që dhe t’i deklarojnë shpenzimet për fotot që do të nxjerrin më 20 janar se mos ju ngjan si Meta, i cili po rropatet burgjeve./Pamfleti
Lini një Përgjigje