
Ish-presidenti Bamir Topi ka folur lidhur me “21 Janarin”, ku mbetën të vrarë 4 protestues. Ai tha se është i gatshëm të dëshmojë, edhe pse nuk është thirrur ende nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.
Bamir Topi e konsideron “21 janarin” si një ngjarje qendrore gjatë presidencës së tij. Sipas tij, politika nuk ka qenë kurrë e motivuar për të bërë gjyqin e kësaj ngjarjeje ndërsa akuzon kryeministrin Rama për mosveprim.
Ish-presidenti ndalet edhe në librin e tij autobiografik “Nocturn”, në të cilin ka shkruar edhe për “21 janarin”.
“Unë kam thënë të vërtetat e mia. Për 21 janarin ka edhe aktorë të tjerë, aktorë të terrenit, grupimet politikë, institucionet, ata që kanë operuar në terren, duke nisur me mediat, por edhe me njerëzit e ligjit. Nuk e kam trajtuar specifikisht 21 janarin, por është pjesë e udhëtimit tim presidencial, ku patjetër ngjarja e 21 janarit është ngjarje qendrore. Libri i takon 2018 dhe nuk është shkruar menjëherë kur kam lënë presidencën.
Duhet të kemi respekt për institucionin, është në juridiksionin e tyre që të mendojnë edhe metodikën e gjitha me radhë. Di të them që u bënë 14 vite që unë flas për 21 janarin. Politika duhej të ishte kujtuar për t’i bërë gjyqin politik 21 janarin, se nëse drejtësia ka në dorë çështjen, unë nuk komentoj vendimet e drejtësisë, por dua të them që politika s’ka qenë e motivuar për ta bërë gjyqin e 21 janarit”, u shpreh Bamir Topi.
Ai përmendi mbylljen e komisionit hetimor për 21 janarin pa një raport, ndërsa theksoi se kjo është një mungesë përgjegjësie nga politika. Sipas tij, pasi fitoi zgjedhjet në 2013, Rama duhej të ishte vënë në lëvizje dhe të hapte me procedurë punën e komisionit hetimor.
“Ai komision hetimor është rast unik, i vetmi komision që e ka mbyllur detyrën e vet pa një raport. Këtu mund të akuzohen politikisht dhe ata që e kanë arkivuar pa një raport, mund të ishte edhe me dy raporte. Politika e ka lënë gjyqin e 21 janarit stand by. Politikisht do bëj me faj së pari kryeministrin aktual i cili e shfrytëzon ritualin e 21 janarit çdo vit, demonstrata e heshtur e janarit, i takonte atij të rihapte me procedurë punën e komisionit hetimor të 21 janarit kur mori detyrën", tha Topi për “Report Tv”.
Lini një Përgjigje