TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Janar 2025, 20:47

Anulimi i primareve, bashkimi në diversitet dhe dorëzimi i Berishës

Shkruar nga Pamfleti

Anulimi i primareve, bashkimi në diversitet dhe dorëzimi i

E ndërsa pritej që pas bashkimit në diversitet mund të përcaktoheshin disa rregulla apo të përmirësohej ai procesi i primareve të 2023-it, Berisha duket se ka vendosur të hedhë në “kosh” atë që e konsideronte si risi për tranzicionin politik në Shqipëri.

Sali Berisha premtimin më të madh që bëri kur nisi betejën për të marrë “de jure” drejtimin e Partisë Demokratike në 2021 ishin primaret.

Berisha premtoi se kandidatët për kryetarë bashkie apo deputetët do të zgjidheshin nga anëtarësia e partisë. Një proces të tillë e aplikoi në 2023-in kur përcaktoi kandidatët për kryebashkiakë. Pavarësisht se procesi pati shumë të meta dhe ndërhyrje në rezultat, duke nxjerrë si fitues emra që kishin treguar besnikëri apo kishin dhënë prova si besnikë, Berisha e shiti atë si zhvillimin më pozitiv jo vetëm në PD, por në të gjithë politikën shqiptare.

Dhe si për të treguar se kjo mënyrë zgjedhjeje apo përcaktimi kandidatësh do të përmirësohej dhe nuk do të ndryshonte, Berisha deklarohej për sanksionimin e fuqisë së votës së anëtarëve të PD-së.

Pas përplasjeve të shumta në këtë parti, grupimeve të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, betejave në gjykata për logo e vulë, ndodhi ai që u pagëzua si “bashkimi në diversitet”. Me pak fjalë deputetët që dikur ishin në krah të Bashës, iu bashkuan grupimit të Berishës, pavarësisht se mund të ndanin ide dhe qëndrime të ndryshme, dhe këtij bashkimit iu shtua nga pas edhe diversiteti.

Nga ky moment, palët e bashkuara u ndjenë mirë me njëra-tjetrën, lanë mënjanë përplasjet dhe duket se secili u futën në një garë se kush do të tregohej më i bindur ndaj Berishës, kush do të bënte më shumë lajka dhe kush do të tregonte më shumë besnikëri.

Gjithçka u bë dhe vijon të bëhet me një qëllim: sigurimi i një vendi në atë që konsiderohet si lista e sigurtë për deputet, apo 1/3 e listës së mbyllur.

E ndërsa pritej që pas bashkimit në diversitet mund të përcaktoheshin disa rregulla apo të përmirësohej ai procesi i primareve të 2023-it, Berisha duket se ka vendosur të hedhë në “kosh” atë që e konsideronte si risi për tranzicionin politik në Shqipëri.

Një ditë më parë, kur kanë mbetur rreth 4 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, Berisha iu shmang pyetjes se kur do të mbaheshin primaret, as e pohoi dhe as e mohoi.

Por në një kohë kur nuk janë mbledhur minimalisht emrat që kanë dëshirë të garojnë, të cilët më pas bazuar në statusin që vetë ka miratuar Berisha duhet të verifikohen dhe më pas i nënshtrohen votimit të anëtarëve, sipas qarqeve.

Ndoshta Berisha mund të vendosë që këtë proces që do kohën e tij ta realizojë edhe brenda 1 dite apo 1 jave dhe në fund të deklarojë se e mbajti “fjalën”, por mundësia më e madhe është që ai të ketë anuluar gjithçka.

Dhe ndoshta shkaku më i fortë i zhbërjes së primareve është pikërisht “bashkimi në diversitet”, pasi ata që i ka sulmuar si të shitur e tradhëtarë dhe sot i ka në krah, ata që u shfaqën me hunj e drurë për të mbrojtur selinë ku strehohej Basha në janar 2022, mund të mos arrinin të votoheshin nga anëtarët që e ndoqën Berishën nga 11 dhjetori i 2021 kur thirri Kuvendin e jashtëzakonshëm, në 18 dhjetor 2021 kur mbajti referendumin, dhe në primaret e 2023-it.

Shumë prej deputetëve të sotëm që i servilosen dhe lajkatosen mund të mos ishin pjesë e asnjërës prej listave për deputet, nëse do të votonte anëtarësia, ose Berishës do ti duhej edhe njëherë të mbushte kutitë dhe korrigjonte procesverbalet, ashtu siç bëri në 2023 kur caktoi në emër të anëtarëve kandidatët për kryebashkiakë. Tashmë ata që ka në krah si deputet i ka më të bindurit, më kokulurit, më të gjunjëzuarit, pavarësisht se pas disa muajsh me përfundimin e zgjedhjeve, mund të shfaqen si më “rebelët”. /Pamfleti/

Lini një Përgjigje