
Gjykata e Lartë ka caktuar datën 9 tetor për shqyrtimin e kërkesës së ish-presidentit Ilir Meta, i cili kërkon zbutjen e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në një masë më të lehtë. Seanca do të mbahet nën drejtimin e gjyqtares Irena Gjoka, e caktuar përmes shortit elektronik.
Meta kërkon shfuqizimin e vendimeve të mëparshme të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe të Apelit, të cilat refuzuan lirinë e tij. Në vendimin e fundit, dhënë më 13 gusht, Apeli i la në fuqi masën e paraburgimit, duke rrëzuar pretendimet e mbrojtjes se nuk kishte asnjë kusht ligjor për mbajtjen e tij në qeli. Ish-presidenti zgjodhi të mos jetë i pranishëm në seancë, ndërsa përfaqësohej nga avokatët e tij.
Meta akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa ndodhet në muajin e 11-të të paraburgimit. Dosja ndaj tij, ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe tre të tjerëve është ende në fazën e shqyrtimit paraprak.
Përzgjedhja e gjyqtares Irena Gjoka ka shkaktuar reagime politike. Zyrtarë të Partisë së Lirisë kërkuan largimin e saj nga procesi, ndërsa avokati Cakrani deklaroi se ende nuk është vendosur nëse do të kërkohet zyrtarisht përjashtimi i saj.
Lini një Përgjigje