Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë më 12 Qershor ankimimin e Ilir Alimehmetit, kandidatit të Partisë Demokratike, i cili kërkon rinumërim ose rivlerësim të votave në të gjitha KZAZ-të e Qarkut Tiranë.
Trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor që do të shqyrtojë ankimin, përbëhet nga gjyqtarët: Entela Shedula (Relatore); Artan Çupi; Rexhep Bekteshi; Ornela Naqellari; Enkel Peza.
“Në bazë të Urdhrit Dt.03.06.2025 të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, seanca gjyqësore është planifikuar të zhvillohet më datë 12.06.2025, ora 11:00, në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit”, thuhet në një njoftim të Kolegjit Zgjedhor.
Me 18 mijë vota preferenciale, mjeku i njohur Ilir Alimehmeti nuk arriti që të siguronte një mandat në zgjedhjet e 11 majit.
Alimehmeti ka thënë se dy elemente kryesore që mungojnë në vendin tonë janë demokracia funksionale dhe kushtetueshmëria.
“Ne kemi një situatë ku në 2025 ne marrim notë të ulët apo kaluese, që nuk jemi të aftë akoma të ofrojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Ky është problemi jonë i të gjithëve ne. Asnjë nuk përjashtohet. Ky arsyetim dhe pastaj do i hyjmë edhe konceptit se si është keqmenaxhuar ligji për t’i larguar zgjedhësit nga të zgjedhurit sepse ky është problemi, ne do të gjejmë një situatë ku besoj unë që në qoftë se kërkojmë një vend me demokraci funksionale dhe kushtetueshmëri, Shqipëria po i largohet gjithmonë e më shumë këtyre dy elementeve dhe si rrjedhojë shqiptarët që kërkojnë demokraci funksionale dhe kushtetueshmëri, po largohen nga Shqipëria. Në 2025 nuk është më çështje personale, por është çështje kombëtare”, shprehet Alimehmeti.
Lini një Përgjigje