TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Qershor 2025, 09:59

Hetimet zgjedhore, kreu i SPAK: Janë ushtruar kontrolle banesash dhe zyrash, sekuestruam prova të rëndësishme

Shkruar nga Pamfleti
Hetimet zgjedhore, kreu i SPAK: Janë ushtruar kontrolle banesash dhe
Kreu i SPAK, Altin Dumani

Kreu i SPAK, Altin Dumani deklaroi se janë evidentuar 192 raste të dyshuara për krime zgjedhore.

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka raportuar lidhur me hetimet për procesin zgjedhor, teksa u shpreh se prokurorët e posaçëm kanë ushtruar kontrolle personale të banesave dhe në zyra të personave të dyshuar.

Në tryezën e organizuar me temë “Drejt një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri”, kreu i SPAK bëri bilancin e punës së institucionit që ai drejton në lidhje me hetimet e krimeve të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Dumani tha se janë marrë në tërësi 192 materiale që lidhen me dyshimet për krime zgjedhore, prej të cilave 43 janë regjistruar si procedime penale dhe aktualisht janë nën hetim.

“Janë administruar 192 materiale që lidhen me dyshime për krime zgjedhore. Nga këto 43 materiale zgjedhore janë regjistruar si procedime penale, kanë kaluar në fazën hetimit. Për 43 është vendosur mosfillimi i hetimit për mungesë te elementëve. 40 janë dërguar për kompetencë pranë Prokurorive të rretheve, 22 materiale janë dërguar për verifikim në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, 17 materiale janë bashkuar me materiale të tjera”, tha Dumani.

Kreu i SPAK tregoi edhe burimin e kallëzimeve për krime zgjedhore, 9 prej të cilave nga 43 janë nisur me iniciativë nga vetë Prokuroria e Posaçme. Sipas tij, pjesa dërrmuese e veprave penale kanë të bëjnë me korrupsionin aktiv në zgjedhje.

“Nga 43, 22 janë iniciuar mbi bazën e referimeve, 1 nga SHKB, 9 janë regjistruar kryesisht me iniciativë të SPAK, 3 kanë ardhur nga kallëzimet e shtetasve, 3 janë referuar nga Prokuroritë e rretheve, 4 janë kallëzuar nga subjektet politike dhe 1 është ndarë nga një tjetër kallëzim ekzistues.

35 materiale janë regjistruar për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.

4 janë regjistruar për korrupsion aktiv dhe pasiv.

1 për përdorimin e funksionit publik për qëllime politike

1 për përdorimin e funksionit publik për qëllime politike dhe shpërdorim detyre

1 për kanosje ose dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje", theksoi kreu i SPAK.

Në lidhje me hetimet për krime zgjedhore, Dumani tha se janë ekzekutuar 20 vendime gjykate që lejuan kontrolle në ambiente të ndryshme, nga ku janë sekuestruar dokumente dhe prova të rëndësishme që pritet t’i shërbejnë procesit hetimor.

"Hetimet për shumë nga procedimet penale janë aktive dhe janë nënshtruar disa kontrolle banese, zyre personale, janë ekzekutuar 20 vendime gjykate për lejim kontrolli, janë sekuestruar prova e dokumente.

Sfidat nuk janë të pakta. Duke ju referuar materialeve të partive që kanë mbërritur në SPAK, kemi vënë re që kallëzimet e tyre kanë qenë të paplota dhe jo të sakta.

SPAK është vënë në kontakt me denoncuesit e partive politike dhe është konkluduar se në çdo rast të ngritur nga subjekte politike, SPAK ka bërë verifikimet përkatëse. Për çdo kallëzim, kemi kryer të gjitha verifikimet e nevojshme”, tha Dumani.

Lini një Përgjigje