TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Maj 2025, 15:55

Grushti ndaj sekretarit të KZAZ në Kashar, Celibashi revokon akreditimin e të gjithë vëzhguesve

Shkruar nga Pamfleti

Grushti ndaj sekretarit të KZAZ në Kashar, Celibashi revokon

Procesi i numërimit të votave në njësinë administrative Kashar është ndërprerë përkohësisht, pas një incidenti të rëndë që ka ndodhur brenda ambienteve të Qendrës së Numërimit në KZAZ nr. 30. Burime zyrtare konfirmojnë se një nga vëzhguesit e kandidatit të Partisë Socialiste, Ornaldo Rakipi, ka goditur me grusht sekretarin e KZAZ-së, Remzi Memedi, në prani të komisionerëve dhe vëzhguesve të tjerë.

Ngjarja ka shkaktuar kaos dhe tension, duke çuar në pezullimin e menjëhershëm të procesit. Për pasojë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërhyrë me vendim të posaçëm, duke revokuar akreditimin e të gjithë vëzhguesve të KZAZ nr. 30, qarku Tiranë. Vendimi mban firmën e Komisionerit Shtetëror Ilirjan Celibashi dhe është bërë publik në orën 14:30 të datës 15 maj 2025.

Në dokumentin zyrtar thuhet se “KZAZ nr. 30 do të caktojë vetëm 1 vëzhgues për çdo tavolinë numërimi për secilin subjekt zgjedhor, dhe në rastin e koalicioneve deri në 3 vëzhgues”, duke kufizuar ndjeshëm praninë e monitoruesve në qendër. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe është i apelueshëm brenda 3 ditëve në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Ky incident i rëndë hedh hije të errëta mbi integritetin e procesit të numërimit në Tiranë, veçanërisht në një moment ku votat e diasporës mund të ndikojnë drejtpërdrejt rezultatin përfundimtar të disa mandateve të diskutueshme në kryeqytet. Në mënyrë ironike, vetë Ornaldo Rakipi është në garë për të siguruar një nga mandatet në Tiranë, me 6,859 vota preferenciale, pasi rrezikohet nga Xhemal Qefalia. 

 

Lini një Përgjigje