Duhet urgjentisht një qeveri e re e unitetit kombëtar...
Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Greqisë nuk kanë qenë asnjëherë normale. Trashëgimia e pushtimit turk të Greqisë në shekullin XV, helmon të gjitha lidhjet midis turqve dhe grekëve. Grekët i kujtojnë shtypësit e tyre turq si barbarët e tjerë që pushtuan vendin e tyre. Ata luftuan fort për t’u çliruar nga tirania e turqve.
Megjithatë, turqit myslimanë e dinë se jetojnë në tokën që ua vodhën grekëve. Por po ashtu e kujtojnë edhe perandorinë e tyre në Evropën Juglindore dhe Lindjen e Mesme dhe duan që ta rikrijojnë atë. President i Turqisë Erdogan synon që të bëhet sulltan.
Ai tallet me diplomatët perëndimorë kur flet për paqen dhe sigurinë, ndërsa paralelisht planifikon të kundërtën e asaj që garanton paqe dhe siguri. Po ashtu, përfiton nga përçarja dhe kaosi politik dhe presidencial në Amerikë, e cila e themeloi NATO-n si krahun e saj të politikës së jashtme.
Erdogan tallet me financimin e pamend nga SHBA të luftërave në Ukrainë dhe Izrael.
Ai përfiton nga iluzionet e Amerikës për një hegjemoni planetare. Kërkon pagesa në para apo territore greke në këmbim të qëndrimit në NATO-s. Në vitin 1963, presidenti amerikan Lyndon Johnson ra dakord me Turqinë, dhe kjo e fundit pushtoi 1/3 e ishullit grek të Qipros.
Pesëdhjetë vjet pas pushtimit të Qipros Veriore në vitin 1974, turqit duan akoma më shumë. Erdogan po e detyron udhëheqjen amerikane të NATO-s që ta përgatisë Greqinë për të humbur më shumë territore ndaj Turqisë. Këtë herë objektivi i Erdogan, është pushtimi i të gjithë detit Egje dhe i qindra ishujve grekë.
Pavarësisht përpjekjeve të Amerikës për ta pasur Turqinë dhe Greqinë në kampin e saj ushtarak të NATO-s, të dyja vendet mezi e durojnë njëra-tjetrën. Fiksimi i Amerikës për të luftuar ndaj Rusinë përmes Ukrainës, nuk po i lë as kohë apo interes Departamentit të Shtetit apo Shtëpisë së Bardhë për të zgjidhur problemet e pazgjidhura strategjike midis këtyre dy “aleatëve” të NATO-s.
Edhe Bashkimi Evropian e shpërfill Greqinë dhe marrëdhëniet e saj të pasigurta me Turqinë. Por kjo nuk është për t’u habitur. Gjatë administratës së Obamës në SHBA, Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i Amerikës, gati e shkatërruan Greqinë duke i përdorur paratë që Greqia mori hua prej tyre, për të shpëtuar nga falimentimi bankat amerikane dhe evropiane.
Të gjithë pjesëmarrësit në tragjedinë greke të borxhit, BE-së, FMN-së dhe vetë Greqia, e dinin se metodat BE-FMN për “lehtësimin” e borxhit ishin të paligjshme dhe kriminale, por ata kishin fuqinë dhe e trajtuan Greqinë si një koloni. Por le të rikthehemi tek drama greko-turke në Egje e cila zien herë pas here.
Episodi i fundit ndodhi në datat 23-25 korrik 2024. Një anije kërkimore italiane, Ievoli Relume, po hartonte zonën nënujore midis ishujve grekë Kassos dhe Karpathos në Egjeun Juglindor. Plani është të vendoset një kabllo nënujore midis Qipros dhe Kretës, që të transportohet energjia elektrike nga njëri ishull në tjetrin.
Teksa anija po hulumtonte peizazhin nënujor, mbërritën 5 luftanije turke. Ato e urdhëruan anijen italiane të ndalte punën. Turqit pretendonin sovranitetin mbi detin rreth ishujve Kasos dhe Karpathos. Ne nuk e dimë se çfarë ndodhi saktësisht që e shmangu luftën. Dy luftanije greke mbërritën dhe u përballën me 5 luftanijet e Turqisë.
Gazetarët grekë spekulojnë se pati një bisedë telefonike midis Ministrave të Jashtëm të Greqisë dhe Turqisë, George Gerapetritis dhe Hakan Fidan, dhe kriza u zbut. Madje Turqia mori meritën për shmangien e konfliktit për shkak të “shkeljes” së ujërave të saj territoriale, duke falënderuar autoritetet greke dhe italiane për njohjen e juridiksionit të saj në Detin Egje.
Në fakt ishin luftanijet turke, ato po shkelnin ligjin ndërkombëtar duke qenë në ujërat e zonës ekskluzive ekonomike të Greqisë. Për më tepër, prania e tyre pranë ishujve grekë ishte e paligjshme, provokuese dhe fyese. Ato mund të kishin nxitur fillimin e luftës midis Turqisë dhe Greqisë.
Ministria greke e Mbrojtjes nuk ka folur në detaje. Më 26 korrik 2024, zëdhënësi i saj tha vetëm këtë: “Asnjë respekt nuk u tregua apo do të tregohet në të ardhmen nga Forcat e Armatosura Greke ndaj veprimeve të paligjshme të Turqisë brenda zonës së kufizuar ligjërisht midis Greqisë dhe Egjiptit”.
Por pavarësisht kësaj retorike të fortë, Greqia duhet t’i ketë ofruar diçka Turqisë për të tërhequr anijet e saj luftarake. Ndoshta autoritetet greke, kanë njohur fshehurazi një lloj “juridiksioni” të përbashkët turko-grek apo vetëm turk të Egjeut? Për Erdoganin, kjo do të ishte një ëndërr e realizuar: Atdheu Blu.
Por pavarësisht kësaj ngjarje, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, planifikon të takohet me Erdoganin në shtator në Nju Jork. Dikush mund të pyesë:Çfarë ka për të diskutuar? Në vend se të nisë një fushatë emergjente për të forcuar ushtrinë e vendit të tij dhe atë të Republikës së Qipros, dhe të krijojë aleanca me vende që nuk e pëlqejnë Turqinë, Mitsotakis po ia hap më shumë dyert politikave kriminale të Erdogan.
Ai vazhdon të japë sinjale bashkëpunimi me armikun mijëravjeçar të popullit grek. Ndoshta ka iluzionin se Shtetet e Bashkuara do t’i tregojnë vendin. Por Mitsotakis duhet ta dijë se në këtë moment parazgjedhor, Amerika nuk është në gjendje ta kundërshtojë Turqinë. Askush nuk e di se kush do të jetë president i saj janarin e vitit të ardhshëm.
Dhe sundimtarët e Amerikës janë të vendosur të vazhdojnë luftërat në Ukrainë dhe Izrael.
Mendimi se SHBA-ja do të ndihmojë Greqinë kundër Turqisë, është ndoshta i huaj për shumicën e amerikanëve. Filo-helenizmi po dobësohet shumë. Edhe greko-amerikanët e pasur, i shpenzojnë tani paratë e tyre më shumë për mobilimin e kishave dhe për të shijuar mbrëmjet gala, sesa për të lobuar për Greqinë apo Helenizmin.
Për më tepër, asnjë vend nuk mbështetet tek të tjerët për ta shpëtuar nga armiqtë e tij. Ndaj analisti Konstantinos Grivas, profesor i studimeve strategjike në Akademinë Ushtarake Helenike të Evelpidonit, dyshon se Mitsotakis po e bën Greqinë të dobët ndaj ndikimit turk dhe më të rrezikuar ndaj një pushtimi të mundshëm.
Në të njëjtën kohë, thotë Grivas, qeveria greke po ua shpërlan trurin grekëve, duke u thënë se gjithçka është në rregull me Turqinë, kur në fakt Turqia po përgatitet për luftë kundër Greqisë.
Një kritik tjetër i Mitsotakis është Leonidas Chrysanthopoulos , ish-ambasador grek në Turqi.
Ai është i bindur se gjatë krizës së 25 korrikut, Greqia e negocioi me zyrtarët turq hegjemoninë e saj në Egje. Në këto kushte, Grivas dhe Chrysanthopoulos, thonë se Greqisë i duhet një qeveri e unitetit kombëtar, për ta përgatitur vendin për t’u përballur me Turqinë në fushën e betejës, nëse është e nevojshme./Përshtati Pamfleti nga “Counter Punch”
Shënim: Evaggelos Vallianatos, profesor mbi historinë greke dhe evropiane në Universitetin e Uiskonsin, SHBA.
Lini një Përgjigje