Gjykata e Lartë vulosi dje çështjen e betimit të Fredi Belerit dhe kjo nuk ka kaluar pa vëmendje në mediat greke...
Mediat greke vijojnë të ndjekin me kërshëri zhvillimet për Fredi Belerin. Dje Gjykata e Lartë mori një tjetër vendim kundër tij, duke u shprehur se të drejtën për ta lejuar apo jo të betohet si kryebashkiak e ka SPAK. Lajmi ka bërë bujë në Athinë dhe “Tanea” i ka kushtuar një artikull të gjatë me titullin: “Taktikat dhe pengesat e betimit të Belerit”.
Duke citur Belerin, gazeta greke shprehet se drejtësia shqiptare është kapur politikisht, ndërsa shton se Athina do e ndjekë deri në fund këtë çështje.
“Gjykata e Lartë ka vendosur që Gjykata Speciale është kompetente për të marrë përfundimisht vendimin nëse kryetari i zgjedhur i Himarës duhet të betohet. Taktikat dhe vazhdimi i tentativës për të kontrolluar drejtësinë me qëllim pengimin e betimit dhe marrjes së detyrës vazhdon të denoncohet nga kryetari i zgjedhur – tashmë – i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleris, në të gjitha deklaratat e tij. E gjithë kjo ndërkohë që loja vazhdon se cila gjykatë ka juridiksion për të marrë vendimin nëse Beleris duhet të lejohet të bëjë betimin. Me Athinën që deklaron vendosmërinë për të vazhduar përpjekjet e saj, me qëllim që të mos ndikojë në vendimin e drejtësisë, por të lejojë betimin e kryetarit të zgjedhur të Himarës”, shprehet gazeta e njohur greke.
Nga ana tjetër portali, "Stagon News”, është bazuar te zbardhja e dosjes hetimore për Belerin. Sipas portalit, dëshmitarët janë paguar nga qeveria dhe kjo tregon planin politik të qeverisë për shfarosjen politike të Belerit.
“Të shpejta janë zhvillimet në rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleris, pasi është bërë publik një dokument audio, për të cilin dëshmitari kryesor pretendon se është financuar nga policia shqiptare. Audioja është publikuar në platformën X nga himara.gr dhe përfshin bisedën e dëshmitarit me një avokat. Ai pranon se ka marrë para nga policia e shtetit, por nuk specifikon shumën që ka marrë. “Po kam marrë një shpërblim për këtë punë”, tha ai i pyetur nëse financohej. Po ashtu, i pyetur se “kush i ka dhënë lekët” ai është përgjigjur “policia e shtetit”, ndërsa ka thënë “nuk më kujtohet” se sa para ka marrë për këtë rast. Vihet re se Fredi Beleris në deklaratat që ka bërë për akuzat me të cilat përballet është shprehur se “çështja është ngritur politikisht”. Duhet theksuar se ish-kryeministri i Shqipërisë, Berisha, kishte zbuluar pak ditë më parë për financimin e dëshmitarit të vetëm të prokurorisë ndaj kryebashkiakut Fredi Beleris. Le të shohim se çfarë do të bëjë Edi Rama tani”, shkruan portali.
Ajo që vihet re është se mbi vendimin që mori dje Gjykata e Lartë nuk pati asnjë reagim nga Athina. Deri tani Greqia kërkonte nga qeveria që të lejonte Belerin të betohet, por me vendimin e djeshëm, Gjykata e Lartë vendosi që kryebashkiaku i zgjedhur të jetë në dorën e SPAK. /Pamfleti
Lini një Përgjigje