
Kryeministrit Rama deklaroi sot nga Asambleja e PS-së, se PD-ja do të përfundojë me të njëjtin numër mandatesh si në ’97-ën. Por për Gazment Bardhin, parashikimet e Ramës nuk janë gjë tjetër veç se llogaritje e lekëve të krimit që planifikon të hedhë në fushatë.
Me anë të një reagimi në rrjetin social “Facebook”, Bardhi tha se Rama nuk bëri gjë tjetër ditën e sotme në Asamble, veçse shkriu totalisht PS-në, duke vendosur në poste kyçe persona të cilët i komandon dhe i ka në xhep.
Më tej deputeti i PD-së shtoi se Rama flet për 2030 ndërsa mendjen e ka te 1997, duke shtuar se Rama është i njëjti person i para 11 viteve më parë, i cili përzuri të rinjtë dhe fuqizoi kriminelët. Në fund Bardhi u bëri thirrje qytetarëve që të bëhen bashkë në zgjedhje si mundësin e vetme për të larguar nga pushteti këtë qeveri të korruptuar.
Postimi i plotë i Bardhit:
Lajmi i vetëm nga Asambleja personale e Edi Ramës është shkrirja totale e Partisë Socialiste dhe zëvendësimi i figurave të kësaj force politike me pupacë në xhepin e brendshëm të xhaketës së vjetruar dhe të bërë pis nga ai vetë. I vetmi që nuk ndryshon është Edi Rama, i cili për pushtetin personal është gati t'i verë flakën Shqipërisë, e jo më partisë së tij.
Asnjë ide, asnjë reflektim, llogaridhënie, asnjë ndjesë për çfarë ka shkuar keq. Vetëm vazhdim i refrenit të vjetër, fajëso dhe sulmo kundërshtarin, bëj sikur ke ardhur sot në pushtet dhe nuk ke patur shansin e mundësinë për të rritur rrogat, pensionet, për të forcuar e zhvilluar ekonominë, apo për të luftuar krimin e korrupsionin.
Flet për 2030, por mendjen e ka tek 1997. Flet për zhvillim, por mendja i punon vetëm për shkatërrim. Flet për të rinjtë, por mendjen e ka si të fuqizojë kriminelët dhe të korruptuarit. Me pak fjalë, i njëjti në 11 vite, tjetër gjë thotë dhe tjetër gjë bën.
I vetmi institut modern ku bazohen parashikimet e tij elektorale janë paratë e vjedhura e të drogës që do hedhë, dhe aktivizimi i bandave që janë shtabet e tij elektorale. Sa herë shihni atë portret që ben si profet, duhet të kujtoni të gjithë horrat, trafikantët e vrasësit që qendrojnë pas tij, duhet të kujtoni qindra milionë euro të grabitura në rrugë, tunele, koncesione e inceneratorë. Kjo ēshtë e verteta e tij zgjedhore, asgjë tjetër!
Sot më shumë se kurrë ndonjëherë duhet kurajo e bashkim për ta shpëtuar Shqiperinë nga kjo thundër e piset, e korruptuar dhe e zhytur në krim.
Lini një Përgjigje