
Lulzim Basha ka reaguar pas Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku kryeministri Rama prezantoi ekipin e ri për zgjedhjet e 2025 dhe renditi punët e qeverisë.
Për Bashën, ky ishte një teatër i shëmtuar i Ramës që synon t’i trajtojë qytetarët pa spektatorë, teksa komentoi dhe vendimin e kryeministrit për listat e hapura. Ai ka akuzuar kryeministrin për pazare me Berishën teksa shkruan se: "Dyshja që në pazarin e vulës ndanë copa pushteti, Rama qeverinë e korruptuar, Berisha opozitën fasadë".
“Si përherë, shumë e për lumë.
Hipokrizia për të sharë partnerin me të cilin mbylli listat dhe liroi të korruptuarit e tij përmes amnistisë, është teatri i shëmtuar që riciklon veten vit pas viti. Qëllimi është t’i trajtojnë qytetarët si spektatorë, pa fuqi vendimmarrëse, pa liri politike, pa zë në zhvillimin e vendit.
Qesharake rrahja e gjoksit të kryeministrit që drejton qeverinë më të korruptuar në Europë, teksa thotë se ai do të kandidojë në pjesën e hapur të listave. Ç’nevojë ka ta trajtojë si trimëri kandidimin te pjesa e hapur e listave, kur kishte mundësinë që t’i hapnin ato për të gjithë? Kjo është vetëm tallja e radhës me qytetarët, të cilëve i'u mohua e drejta e zgjedhjes nga dyshja që në pazarin e vulës ndanë copa pushteti, Rama qeverinë e korruptuar, Berisha opozitën fasadë. Prandaj në zgjedhjet e ardhshme oferta e tyre është shumë e qartë: Voto Ramën merr Berishën, voto Berishën mbaj Ramën.
Demokratët Euroatlantikë qëndrojnë të vendosur kundër këtij pazari që cakton mandatet në tavolinë dhe Shqipërinë e ndan si plaçkë për dyshen e vjetër dhe klientelën e tyre.
Shqipëria meriton më shumë”, shkruan Basha në rrjetet sociale.
Gjatë Asamblesë së PS, Rama ironizoi duke thënë se emrat e lodhur nxorën ‘fitues’ Lulzim Bashën disa herë e tani duan të nxjerrin fitues edhe Berishën.
“Të gjithë humbësa e të raskapitur. Që e nxorën Lulin e shkretë sa e sa herë fitues e tani do nxjerrin fitues katin e tetë. Edhe pastaj thonë se nuk fitohet përballë diktaturës së Edi Ramës”, u shpreh kryeministri.
Lini një Përgjigje