TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Shkurt 2024, 20:45

Çfarë fshihet pas vizitës së Blinken në Tiranë, në ditën e gjyqit të McGonigal për dosjen shqiptare?

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë fshihet pas vizitës së Blinken në Tiranë,
Antony Blinken

Historia ka treguar se sa herë që në Tiranë mbërrijnë personalitete të nivelit kaq të lartë, fshihet diçka tjetër.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritet që javën e ardhshme të vizitojë për herë të parë Shqipërinë. Edhe pse Ambasada Amerikane nuk e ka konfirmuar zyrtarisht, pritet që Blinken të mbërrijë në vendin tonë më 15 shkurt dhe të ketë disa takime me rëndësi më 16 shkurt.

Sipas informacioneve të deritanishme, emrat që ai do të takojë janë kryeministri Rama dhe ministri i Jashtëm, Igli Hasani, por axhenda është duke u përgatitur dhe pritet që të shtohen emra si presidenti apo personazhe të tjerë.

Por vizita e tij në vendin tonë ka ngjallur shumë pikëpyetje. Së pari nuk u njoftua nga vetë DASH apo Ambasada, por informacioni ju dha një gazetari pranë PS. Lajmi u shit nga burime diplomatike në SHBA, por në fakt doli nga qeveria këtu. Elementi tjetër është se Blinken vjen në Tiranë në një datë jo dhe aq të pazakontë.

Më 16 shkurt në SHBA do të zhvillohet gjyqi ndaj ish-agjentit të FBI, Charles McGonigal. Ai pritet të dënohet për dosjen shqiptare, atë të takimit me kryeministrin Rama dhe marrjes së parave nga njerëzit pranë tij. Data ndoshta dhe mund të jetë rastësore, por e sigurt është se dënimi i McGonigal nuk do të kalojë kaq lehtë për kryeministrin në raportet me amerikanët.

Megjithatë, pyetja që shtrohet është: Pse do të vijë Blinken në vendin tonë?

Historia ka treguar se sa herë që në Tiranë mbërrijnë personalitete të nivelit kaq të lartë, fshihet diçka tjetër.

Në vitin 2012 erdhi në Tiranë Hillary Clinton. Në atë kohë edhe ajo ishte Sekretare Shteti dhe u prit me shumë nderime nga qeveria "Berisha". Ndonëse u shit si një vizitë që mbështeste qeverinë, në fakt fshihej diçka tjetër: Muxhahedinët iranianë. Në vizitën e saj u ra dakord që Shqipëria të merrte disa prej muxhahedinëve iranianë dhe fillimisht u ra dakord për 300.

Në shkurt të vitit 2016 erdhi në Tiranë, John Kerry. Edhe ai në cilësinë e Sekretarit të Shtetit. Ndonëse qëllimi i vizitës u mbajt i fshehtë, më pas doli se në fakt bëhej fjalë po për muxhahedinët. Rama i dha fjalën për strehimin e të gjithë muxhahedinëve dhe solli 3 mijë persona në vendin tonë.

Mos vallë pas vizitës së Blinken fshihet diçka tjetër? Në Lindjen e Mesme situata po vlon. Mbetet të shihet, por e sigurt është se qëllimi do të dalë pas disa muajsh. Vështirë se Blinken vjen në Tiranë vetëm për të përshëndetur Ramën dhe për të treguar raportet e mira mes dy vendeve. /Pamfleti

Lini një Përgjigje