Nën hijen e akuzave për lidhje me UDB-në, komisionerja për Zgjerim Marta Kos përballet me presion në rritje në Bruksel. Seanca e prillit pritet të zbardhë nëse bëhet fjalë për një sulm politik apo për një çështje që prek integritetin e një prej figurave kyçe të BE-së, njëkohësisht dhe mikesha e Edi Ramës...
Në fund të muajit prill, një nga figurat më të rëndësishme të Komisionit Evropian për zgjerimin, Marta Kos, do të përballet me një nga momentet më delikate të karrierës së saj politike. Komisionerja do të duhet të japë sqarime përpara eurodeputetëve mbi akuzat që e lidhin me shërbimin sekret të ish-Jugosllavisë, UDB-në, një strukturë që në historinë e Evropës Lindore mbart një peshë të rëndë politike dhe simbolike.
Çështja nuk është e re, por mënyra si është rikthyer në vëmendje e bën atë edhe më të ndjeshme. Gjithçka u ndez sërish pas publikimit të një libri në Parlamentin Evropian, ku autori pretendon se ekzistojnë dokumente që sugjerojnë bashkëpunimin e saj me shërbimet sekrete në vitet ’80. Këto pretendime u morën menjëherë nga eurodeputetë të Partisë Popullore Evropiane, të cilët kërkuan sqarime zyrtare.
“Në dokumentet e reja sugjerohet se Marta Kos, si kandidate, ka gënjyer para komitetit parlamentar të Parlamentit Evropian, pasi deklaroi se kurrë nuk ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave”, është shprehur eurodeputetja sllovene Romana Tomc, duke e çuar çështjen në një nivel institucional.
Edhe pse Komisioni Evropian ka tentuar të mbyllë debatin duke theksuar se Kos ka kaluar të gjitha filtrat e verifikimit, presioni politik nuk është zbehur. Përkundrazi, fakti që një seancë e mëparshme u anulua nga vetë Kos, pikërisht në momentin kur dolën këto informacione, vetëm sa ka shtuar dyshimet dhe interesin publik.
“Komisionerja Kos ka kaluar një proces të gjerë dhe të detajuar verifikimi… Komisioni nuk ka komente të tjera”, është përgjigjur zëdhënësi i Komisionit Evropian, një qëndrim që më shumë duket si përpjekje për të mbyllur debatin sesa për ta sqaruar atë.
Në sfondin e gjithë kësaj historie, emri i Marta Kos nuk është i panjohur për politikën shqiptare. Ajo konsiderohet si një nga zërat më të afërt me qeverinë shqiptare në Bruksel dhe shpesh është perceptuar si një mbështetëse e linjës së kryeministrit Edi Rama në procesin e integrimit. Pikërisht ky raport i afërt ka bërë që kritikët ta shohin me më shumë dyshim heshtjen apo qëndrimet e saj në raste të caktuara që kanë përfshirë qeverinë shqiptare.
Në këtë kontekst, pyetjet që po shtrohen në Bruksel marrin një dimension më të gjerë: a bëhet fjalë vetëm për akuza të vjetra të rikthyera në lojë politike, apo për një çështje që kërkon transparencë të plotë nga një prej figurave kyçe të zgjerimit të BE-së?
UDB, shërbimi sekret jugosllav, është një nga strukturat më të diskutuara të periudhës së Luftës së Ftohtë, e njohur për ndjekjen e kundërshtarëve politikë dhe operacionet e saj brenda dhe jashtë vendit. Çdo lidhje, qoftë edhe e supozuar, me këtë strukturë, mbetet një akuzë e rëndë për çdo zyrtar publik në Evropë.
Ndërkohë, në Parlamentin Evropian pritet një përballje direkte. Eurodeputetët kanë paralajmëruar se do të kërkojnë përgjigje të qarta, ndërsa nga radhët e PPE-së është dhënë edhe një paralajmërim i hapur për vështirësinë e kësaj seance.
“Herët a vonë do të duhet të vijë në AFET dhe nuk do ta ketë të lehtë”, është shprehur një zyrtar evropian, duke lënë të kuptohet se kjo nuk do të jetë një procedurë formale, por një test i vërtetë për besueshmërinë e saj.
Përtej akuzave konkrete, rasti i Marta Kos po kthehet në një provë për vetë standardet që Bashkimi Evropian kërkon të imponojë, jo vetëm për vendet që aspirojnë anëtarësimin, por edhe për vetë përfaqësuesit e tij. /Pamfleti
Lini një Përgjigje