TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Mars 2026, 21:17

'Lideri Global' që drejton një vend shumë të vogël!

Shkruar nga Pamfleti
'Lideri Global' që drejton një vend shumë të
Edi Rama

Për Edi Ramën, Shqipëria është një vend shumë i vogël për “kapacitetet e tij”. Lideri Global meriton të ishte kreu i SHBA, Italisë, Francës, Britanisë, apo i kujtdo tjetër, vetëm i Shqipërisë jo. Të paktën këtë nënkupton ai në një intervistë për revistën franceze “Le Point”. Revista fillimisht e ka mbajtur titullin: “Edi Rama: Jam kryeministër i një vendi shumë të vogël”. Më pas titulli u ndërrua, si duket me ndonjë telefonatë nga Tirana. 

Gazetarja franceze e ka pyetur për protestën e opozitës, manovrat e tij me luftën në Iran, por dhe freskun që po i bën Donald Trump-it. Po ashtu nuk janë kursyer te trafiqet dhe droga. Gjithashtu e kanë pyetur për afrimin me familjen e Trump dhe raportet me Evropianët.

Materiali i plotë:

“Rama, ik!”, brohorisnin këtë të hënë pranverore disa qindra protestues të pajisur me molotovë dhe flakadanë, jo shumë larg zyrës së Kryeministrit Edi Rama, drejtuesi socialist i Shqipërisë i rizgjedhur për herë të katërt me më shumë se 53% të votave vitin e kaluar. “Jo qeveri të korruptuar, po Shqipëri europiane!”, këmbëngulin ata. Kjo lëvizje proteste vazhdon prej disa javësh, por e ka të vështirë të marrë përmasa.

Për Edi Ramën, ajo është mbi të gjitha një provë e dukshme e dinamizmit demokratik. Në vitet 1990, kryeministri karizmatik i këtij vendi ballkanik me rreth 2.7 milionë banorë jetonte në Qytetin Ndërkombëtar të Arteve në Paris si… piktor. Fillimisht ministër i Kulturës, më pas kryetar i bashkisë së kryeqytetit shqiptar Tiranë, ai drejton që prej vitit 2013 fatet e kësaj ish-diktature komuniste me vendosmëri dhe pragmatizëm, duke shfaqur në samitet diplomatike shtatin e tij të lartë dhe të dallueshëm si ish-basketbollist (ai është mbi 2 metra).

“Për Shqipërinë dalin në pah dy emra: Ismail Kadare, shkrimtari ynë më i famshëm, dhe Edi Rama”, shprehej së fundmi një diplomat lokal, duke shtuar se “ndonjëherë, të jesh një vend i vogël me një drejtues të madh në çdo kuptim, na leverdis”. A i referohej ai tribunës së samitit inaugurues të Bordit të ri të Paqes të ideuar nga Donald Trump në shkurt, ku Edi Rama qëndronte menjëherë pas presidentit amerikan?

Shumë i aftë, ky lider europian i një vendi anëtar të NATO-s që prej vitit 2009 është thellësisht proamerikan… por edhe fortësisht proeuropian. Prej kohësh, Edi Rama di të jetë i dobishëm për Uashingtonin – duke pranuar, për shembull, të strehojë në territorin e tij të vetmen bazë në botë të Muxhahedinëve të Popullit (MEK), një grup opozitar iranian kundër regjimit të mollahëve – ndërkohë që vazhdon të mbrojë nevojën për një Europë të bashkuar, ku Tirana dëshiron absolutisht të bëhet pjesë, sa më shpejt të jetë e mundur, edhe pse procesi i anëtarësimit, kërkues, vazhdon prej njëzet e tre vitesh.

Në zyrën e tij në qendër të Tiranës, me mure të zbukuruara me vizatimet e tij, Edi Rama na pret për një intervistë pa dorashka dhe në gjuhën frënge.

-Në luftën midis koalicionit amerikano-izraelit dhe Iranit, ndërsa shumica e kryeqyteteve europiane kërkojnë një deeskalim të menjëhershëm, pse mbështesni vijën e ashpër të Uashingtonit?

Nuk kam zgjedhur të marr një pozicion rrënjësisht të ndryshëm nga vendet e tjera europiane, por Shqipëria ka një histori të fundit shumë të veçantë me regjimin e vrasësve në pushtet në Teheran. Sot, Shqipëria është një nga vendet e rralla që nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin.

-Vendi juaj ka qenë objekt i një sulmi kibernetik iranian në vitin 2022…

Po. Sulmuesit i përkisnin një grupi të renditur në dhjetëshen më të rrezikshme në botë për kiberterrorizëm. Pas këtij sulmi kibernetik, morëm vendimin të ndërpresim çdo marrëdhënie me Iranin. Ky agresion ndodhi sepse ne strehojmë një grup opozitar iranian.

-Ju strehoni një bazë trajnimi dhe logjistike të Muxhahedinëve të Popullit iranian, që përfshin rreth 3 000 persona. Është i vetmi strehim në botë i këtij grupi opozitar ndaj regjimit të mollahëve, i cili në vitin 2002 zbuloi ekzistencën e programit bërthamor sekret të Iranit. Teherani e ka cilësuar këtë bazë si objektiv legjitim për raketat e tij. A keni frikë nga sulme në territorin tuaj?

Nuk duhet t’i pyesësh kurrë shqiptarët nëse kanë frikë nga diçka. Ne nuk kemi frikë nga asgjë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, askush nuk i donte hebrenjtë. Ky vend, edhe pse shumë i varfër dhe me shumicë myslimane, u bë strehë për ta. Shqipëria hyri në histori si i vetmi vend europian që doli nga lufta me më shumë hebrenj sesa kishte në fillim. Ata iknin nga kudo, përveç Shqipërisë, ku përkundrazi vinin. Gjatë kësaj periudhe, popullsia hebraike në Shqipëri u shumëfishua me njëzet. Sepse shqiptarët nuk kanë frikë nga asgjë.

-I keni pranuar këtë organizatë opozitare ndaj regjimit iranian sepse SHBA jua kërkuan dhe askush nuk i donte…

I kemi pranuar për arsye thjesht humanitare. Më parë, ata ndodheshin në kampin Liberty në Irak, ku ishin objektiv i shërbimeve iraniane.

-A ju kërkuan Shtetet e Bashkuara t’i prisnit?

Shtetet e Bashkuara na e kërkuan dhe ne thamë po. Por askush nuk donte as afganët pas katastrofës së tërheqjes nga Afganistani në vitin 2021. Këtu, ne kemi strehuar më shumë se 4 000, kur të gjithë u kishin kthyer shpinën. Bëhej fjalë për njerëz që kishin shërbyer në misionet tona; gra, akademikë, youtuberë që besuan në mrekullinë e demokracisë, lirisë, barazisë dhe vëllazërisë. Kur amerikanët thanë “po shkojmë në Afganistan”, ne shkuam, si shumë të tjerë. Pastaj u larguam sepse amerikanët u larguan. Më pas thamë “nuk do t’u kthejmë shpinën”. Kështu që afganët erdhën këtu. Shqipëria jeton me të gdhendur në mendje Kodin e shqiptarëve të Mesjetës, ligjin tonë të parë të shkruar. Një nen i këtij ligji thotë se për një shqiptar, më e rëndësishmja është “Zoti yt dhe miku yt”. Kjo do të thotë se nëse jeni mysafiri ynë, ne ju mbrojmë.

-Ju nuk keni frikë nga asgjë që mund të vijë nga regjimi aktual në Iran, i cili vazhdon të bëjë kërcënime ndaj kësaj baze?

Ne jemi anëtarë të NATO-s. Të sulmosh një nga vendet e saj nuk është diçka e thjeshtë. Ne jemi të mbrojtur. Përmenda Turqinë, e cila ka kapacitetet e veta kundërraketore dhe kundërajrore, por që gjithsesi është mbrojtur nga NATO.

-Le të kthehemi te situata e Shqipërisë në raport me Europën. A nuk keni përshtypjen se, duke mbështetur vijën e ashpër të Uashingtonit, po e fusni vendin tuaj në një spirale që mund të bëhet e pakontrollueshme?

Nuk mendoj. Së pari, sepse nuk ka një qëndrim të unifikuar mes të gjitha vendeve europiane. Së dyti, sepse qëndrimi ynë lidhet me një vend që e ka shpallur armiqësinë ndaj nesh, dhe jo anasjelltas. Së treti, sepse Shqipëria ka një përvojë të fundit me diktaturën, e cila nuk ishte një teokraci, por një “ateokraci”.

-Një “ateokraci”?

Shqipëria ka qenë i vetmi vend në Europë, dhe ndoshta në botë, që ka përfshirë në Kushtetutë natyrën ateiste të Republikës… Jo laike, por ateiste, çka do të thoshte se çdo shprehje e fesë, qoftë do shprehje e fesë, qoftë edhe përmes një Bible, mund të të çonte në burg. Bibla konsiderohej armë. Në disa raste, ekstremet takohen, dhe më ka dukur tronditëse që, ndërkohë që dhjetëra mijëra qytetarë iranianë vriteshin si qen në rrugët e Teheranit, pothuajse askush në Europë nuk tha asgjë.

-Emmanuel Macron ka thënë se nuk mund të ketë ndryshim regjimi nën bomba. Djali i ajatollah Khameneit, Mojtaba Khamenei, sapo është emëruar. Regjimi iranian nuk ka rënë. Duke u rreshtuar me qëndrimin amerikan, a nuk jeni në një linjë të ndryshme nga ajo e Bashkimit Europian?

Së pari, nuk ka një linjë të vetme të Bashkimit Europian. Së dyti, presidenti i Republikës Franceze është president i një republike shumë të madhe. Unë jam kryeministër i një vendi shumë të vogël. Nuk po flas për ndryshim regjimi. Po flas për domosdoshmërinë absolute për ta bërë këtë regjim të paaftë për të sulmuar fqinjët e tij.

-A keni përshtypjen se koalicioni izraelito-amerikan po vepron në mënyrë efektive?

Absolutisht.

-Nëse Parlamenti Europian do të votonte një rezolutë që dënon ofensivën, a mund të shfaqej Shqipëria si “dele e zezë” mes vendeve kandidate për në Bashkimin Europian?

Shqipëria nuk është anëtare e Parlamentit Europian. Është një vend kandidat, që është duke negociuar me Bashkimin Europian. Dhe, e përsëris, Bashkimi Europian nuk ka një linjë të formalizuar për këtë konflikt. Për më tepër, kjo nuk është kontradiktore.

-Në qershor 2025, me rastin e panairit të aviacionit në Bourget, ju keni blerë një sistem radar francez të prodhuar nga Thales, GM400 Alpha, që ende nuk ju është dorëzuar. Për sigurinë strategjike të Shqipërisë, a refuzoni ekskluzivitetin amerikan, duke qenë se më parë furnizoheshit nga Lockheed Martin?

Ne kemi detyrimin të ndjekim vendet e mëdha. Kur je kryeministër i Shqipërisë, ke privilegjin të takosh të gjithë të mëdhenjtë e botës, por jo peshën për të vendosur fatin e botës… Ata vendosin, dhe ti i ndjek. Nëse kanë të drejtë dhe ka sukses, mund të thuash: “Jam pjesë e kësaj”. Por nëse gabojnë dhe bëjnë diçka të gabuar, atëherë mund të thuash se është faji i tyre!

-A do të blini europiane për pjesën tjetër të mbrojtjes?

Do të blejmë europiane, izraelite, amerikane, sigurisht. Do të blejmë gjithçka që duhet.

-Ishulli i Sazanit ka qenë gjithmonë një vend i privilegjuar për mbrojtjen dhe mbikëqyrjen e bregdetit tuaj. Megjithatë, ju po e privatizoni atë në favor të projekteve imobiliare të Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump, gjë që ka shkaktuar shumë debat…

Në botën e sotme, mund të thuash të vërtetën, por gënjeshtra do të jetë gjithmonë më tërheqëse… Nuk kemi folur kurrë për privatizimin e ishullit të Sazanit. Nuk do ta privatizojmë. Si shtet shqiptar, ne do të jemi partnerë të kësaj nisme të bukur.

-Zona ushtarake në ishull, a do të ruhet?

Nuk ka më postë ushtarake në ishull prej shumë kohësh. Sot, Shqipëria është një demokraci; nuk kemi nevojë për këtë ishull si një post strategjik ushtarak. Do të mbetet një aktivitet radar minimal, pothuajse i padukshëm, dhe pjesa tjetër do të jetë shumë e mirë. Është një projekt me dy aspekte: ishulli dhe gadishulli. Është një dhuratë që Shqipëria do t’i bëjë Europës.

-Cilat janë lidhjet e Shqipërisë me Jared Kushner?

Kur Jared Kushner erdhi në Shqipëri me bashkëshorten e tij, vjehrri i tij kishte 50% mundësi të përfundonte në burg dhe/ose të kthehej në Shtëpinë e Bardhë. Dhe pak njerëz mund të bastonin për rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë! Unë e prita këtë çift fillimisht sepse janë amerikanë. Nëse je amerikan dhe vjen në Shqipëri, je gjithmonë i mirëpritur. Njësoj edhe nëse je francez. Së dyti, e gjeta të shkëlqyer.

-Në ç’kuptim?

Nga ana njerëzore, është i shkëlqyer. Gjithmonë them se nëse njerëzit do ta njihnin personalisht Jared dhe Ivanka, do të mahniteshin nga thjeshtësia, edukata dhe modestia e tyre.

-Po flasim për dhëndrin e presidentit të Shteteve të Bashkuara…

Unë jam rritur në komunizëm, dhëndri i këtij, djali i atij… për mua ka rëndësi personi! Mund të jetë dhëndri i Maduro-s, nëse është një njeri i mirë dhe nuk ka lidhje me vjehrrin e tij, atëherë është një njeri i mirë. Por Jared dhe Ivanka janë të shkëlqyer! Projekti i tyre është një projekt i gjeneratës së re të turizmit, i orientuar plotësisht drejt natyrës.

-Një organizatë e madhe mjedisore është kundër…

Organizatat mjedisore janë krijuar për të qenë kundër çdo projekti! Ato na ndihmojnë të jemi më të kujdesshëm, të përmirësojmë analizat tona, dhe kjo është e rëndësishme, por secili duhet të qëndrojë në vendin e vet. Një grup arkitektësh të shkëlqyer, ku bën pjesë edhe Jean Nouvel, po merr pjesë në këtë projekt.

-Më 19 shkurt, ju ishit në Uashington për Këshillin e Paqes të Donald Trump, ku madje ishit i ftuar nderi. Pse vendosët të bëheni një nga shtyllat e këtij projekti?

Shqipëria nuk ka asnjë marrëdhënie me Rusinë. Është i vetmi vend europian që nuk ka pasur asnjë vizitë të nivelit të lartë nga Moska që nga viti 1960. Rusia politike nuk na mungon. Sa i përket Rusisë kulturore, letrare, muzikore, që është e shkëlqyer, ajo është në bibliotekat tona. Megjithatë, më duket shqetësuese që Europa nuk ka folur me Rusinë gjatë gjithë luftës në Ukrainë. Më duket shqetësuese që Europa nuk arrin të shoqërojë armët që i dërgon Ukrainës me një fjalë diplomatike.

-Unë ju bëj një pyetje për SHBA dhe ju më përgjigjeni për Rusinë. Nuk doni të më flisni për SHBA? Pse përmendni Vladimir Putinin sa herë që ju flas për Donald Trump?

Putini e ka rishpikur Europën, ka rishpikur marrëdhëniet mes Europës dhe idesë së zgjerimit, ka rishpikur NATO-n si një forcë të domosdoshme duke sulmuar Ukrainën. Trump ndoshta nuk e ka krijuar Këshillin e tij të Paqes për të rishpikur OKB-në, por efekti është i njëjtë! Jam ftuar në Uashington nga presidenti i Shteteve të Bashkuara për një nismë që mbledh rreth tryezës njerëz që përfaqësojnë vendet e tyre. Imagjinoni të thosha jo! Do të ishte marrëzi.

-Në fjalimin tuaj katërminutësh në podium, e cilësuat OKB-në si një “gjigant në agoni”, gjë që i pëlqeu shumë Donald Trump…

Është e vërtetë, por nuk e bëra për t’i pëlqyer Donald Trump. Dhe shpresoj që ajo që ai po bën ta ndihmojë OKB-në të zgjohet. Të gjithë thonë të njëjtën gjë si unë për OKB-në! Nuk njoh asnjë lider ndërkombëtar që të mos bëjë një “pff” kur shkon në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së (bën grimasa).

-Deri në këtë pikë?

Sigurisht! Nuk po them se duhet të shpërbëhet OKB-ja… por ajo duhet të reformohet dhe të rishpiket.

-A po e rishpik Donald Trump me Bordin e tij të Paqes?

Ai po merr pjesë në këtë proces.

-Duke marrë pjesë në këtë Bord, a nuk rrezikoni të jepni përshtypjen se Shqipëria po bëhet një “kalë troje” amerikan në Europë, ndërkohë që dëshironi të hyni në Bashkimin Europian?

Nuk e di nëse kjo u pëlqen apo jo europianëve. Nuk kam informacion për këtë…

-Ju e dini shumë mirë që nuk u pëlqen europianëve.

Jo, nuk mendoj kështu… Në Europë, ne jetojmë ende në një botë ku zgjedhjet tona janë të lira! Nuk mendoj se mund të refuzohen ftesat. Për shembull, Kina është një realitet i largët nga ne. Shqipëria është i vetmi vend europian pa investime kineze. Dhe megjithatë më është dukur shqetësuese që nuk kishte asnjë përfaqësues të lartë europian në Pekin për 80-vjetorin e fitores kineze kundër Japonisë.

-Pse ju shqetësoi kjo mungesë?

Ishte një përvjetor antifashist, ku kinezët treguan në ekran të madh mbërritjen e forcave amerikane në Itali. Ata luajtën gjithashtu himnin “Bella Ciao”. Nderuan me medalje pilotë amerikanë dhe anglezë. Atëherë pse të mos shkohej? Çfarë është kjo? Europa gjithmonë ka ditur të flasë me të gjithë, duhet ta rikthejë këtë aftësi.

-A nuk po e bën këtë?

Në Europë, Viktor Orban trajtohet si një lloj i përjashtuari. Kur Orban thoshte “duhet një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës”, të gjithë thoshin “jo, jo”… dhe kur Donald Trump thotë “armëpushim”, europianët e zbulojnë dhe e përsërisin. Pse duhet të presim Donald Trump për të menduar për një armëpushim? Pse Europa nuk është tashmë në tryezën e negociatave? Unë jam 100% me Ukrainën. Ndihem i nderuar të jem mik i Volodymyr Zelenskyt. Është një person që e respektoj. Nuk po them, si disa pacifistë në Itali dhe Francë, që duhet të ndalojmë dërgimin e armëve. Por duhej t’i jepnim më shumë dhe më shpejt. Dhe në të njëjtën kohë, duhej të flisnim me Rusinë.

-A ndiheni më afër Macron apo Orban?

Pse duhet të bëjmë ndarje të tilla? Jam i nderuar që kam jetuar në Paris, që kam marrë Legjionin e Nderit dhe që kam miqësi me presidentin francez. Por jam gjithashtu i nderuar të jem mik i Viktor Orban.

-Nuk jeni gjithmonë dakord me Orban…

Jo, nuk jam plotësisht dakord, por ai kishte të drejtë për nevojën e armëpushimit.

-Ideja juaj është të flitet me të gjithë?

Me të gjithë, përveç regjimeve terroriste si ai në Iran.

-A do të prisni shqiptarët e dëbuar nga Franca?

Gjithmonë. Është shtëpia e tyre. Nuk më takon mua të them nëse duhet të kthehen apo jo, por mendoj se duhet të kthehen sepse sot është më mirë këtu sesa në Francë për ta.

-Anëtarësimi i vendit tuaj në Bashkimin Evropian është i rëndësishëm për ju. Por cili është përfitimi për Evropën nga mirëpritja e Shqipërisë?

Evropa duhet ta çojë në jetë projektin e madh të themeluesve të saj. Dhe gjithmonë ka një pikë në të cilën debati ngec. A duhet të ketë më shumë apo më pak Evropë? Më pak Evropë do të sillte më pak zgjidhje dhe më shumë probleme. Ne kemi nevojë për më shumë Evropë. Por gjithashtu kemi nevojë për më shumë fleksibilitet. Kjo do të thotë që ata që thonë se sovraniteti kombëtar nuk mund të delegohet plotësisht kanë të drejtë. Nga ana tjetër, ata që thonë se duhet të kthehemi në të kaluarën gabohen. Sigurisht, Evropa mund të jetojë pa Shqipërinë. Por, nëse ka kufij jashtë BE-së, ka edhe kufij të brendshëm. Shqipëria nuk është në zemër të Evropës, por është në stomakun e saj (ai përkëdhel barkun).

-Çfarë do të thuash me këtë?

Jemi në mes. Për të dalë nga Ballkani Perëndimor, duhet të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian. Pse një burrë dy metra i gjatë si unë ka nevojë për këtë nyjë të vogël në stomak? Kjo nyjë e vogël është e parëndësishme… por mund të bëhet domethënëse nëse shndërrohet në një burim dhimbjeje. Evropa duhet të jetë e bashkuar. Etërit themelues donin një Evropë të bashkuar. Dhe nëse Evropa ka probleme sot, këto rrjedhin edhe nga ky projekt i madh që nuk është përfunduar.

-Zyrtarët evropianë besojnë se vendi juaj nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar pastrimin e parave dhe korrupsionin. Porti i Durrësit, qyteti i dytë më i madh në vendin tuaj, konsiderohet një qendër e madhe e pastrimit të parave në ajër të hapur. Cili është reagimi juaj për këtë?

Ky lloj pretendimi i pabazuar, i paraqitur si i vërtetë, është sëmundja e botës sonë. Durrësi është qyteti i dytë më i madh në vend, por porti i tij nuk është një operacion i madh pastrimi parash në ajër të hapur. Problemet në Durrës janë shumë më pak të rëndësishme se gjetkë. A nuk kanë probleme të ngjashme edhe Marseja, Roterdami, Antverpi apo Barcelona? /Përshtati "Pamfleti"

3 Komente

    1. T
      Tony

      Ky Edua me kujtoi nje shokun tim edhe ai Edi qe kur shkonte te doktorri per vizite luante rrolin e psikopatit qe te merrte benefitse nga shteti. Kur hynte te doktorri hiqte kepucet e i mbante nen sqetull, ai e pyeste si je, Edi i pergjigjej kam nje mace te bukur, doktorri cfare ben, Edi pse kur hipi ne autobus njerezit me shohin vetem mua etj. Keshtu Edi i fitoi benefitset. Ky trapi i dha pergjigjet krejt si Edi Londres. Keta te "medhenjte" kujtojne se jane te ditur por harrojne qe populli eshte 99%. Shihni mire o mjerane se si i leviz syte si gjarper majtas-djathtas. Ndersa Saliu sheh me bisht te syve anash si skile. Keta jane veti te karakterit shume te poshter te njeriut e sidomos te Shqiptarit. Shqiptari te shikon drejt ne kokerr te syrit si shqiponje e te ha gjalle me shikim ngaqe nuk ka frike e turp te tregoje urrejtjen, ndershmerine e miresine. Psh, Englezet kane shikim te turbullt qe nuk i kupton se ku shohin drejt, anash, lart a poshte.

      1. L
        La

        Po shaiperia nuk eshte prona jote o i marre qe ti duhet ta dhurosh

        Lini një Përgjigje