
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së kreut të SPAK, Altin Dumani i cili tha se krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori.
Basha u shpreh se kjo është një këmbanë alarmi që duhet të na shqetësojë të gjithëve.
Ai vijoi duke thënë se sulmet e politikës, inkurajojnë krimin që të kërcënojë drejtësinë teksa riktheksoi mbështetjen e Partisë Demokratike ndaj SPAK-ut.
"Deklarata e kreut të SPAK-ut se krimi i organizuar ka kërcënuar familjle një prokurori është një kambanë alarmi që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Çdo sulm i politikës ndaj sistemit të drejtësisë, nuk bën gjë tjetër vetëm se inkurajon krimin e organizuar të bëjë, gjithashtu, të njëjtën gjë. Ndaj Partia Demokratike e Shqipërisë dhe unë i kemi dhënë dhe vijojmë t'i japim SPAK-ut dhe organeve të reja të drejtësisë mbështetje pa kushte. Vetëm një drejtësi e pasulmuar nga politika, do të jetë një drejtësi e duhur për të mirën e njerëzve. Vetëm një drejtësi që i shërben shqiptarëve, është një drejtësi imune ndaj çdo kërcënimi", shkruan Basha.
Lini një Përgjigje