
Nazizmi, Edi Rama dhe rruga për rrëzimin e tij...
Shqipëria po përballet me një situatë kritike që kërkon një ndryshim thelbësor. Edi Rama ka qeverisur vendin për shumë vite, dhe pavarësisht përpjekjeve të opozitës, ai vazhdon të mbajë pushtetin pa u sfiduar seriozisht. Protestat e organizuara deri më tani nga opozita po rezultojnë të jenë gjithnjë e më të dobëta dhe pa rezultate konkrete. Pra, pyetja që duhet të shtrojmë është: Çfarë duhet të bëjmë për të sjellë ndryshimin që Shqipëria ka kaq shumë nevojë?
Historia na ka treguar se ndryshimet e mëdha ndodhin vetëm kur ekziston një krizë që i detyron njerëzit të reagojnë. Çdo revolucion apo transformim shoqëror ka lindur nga nevoja për të përmbysur sistemin aktual për shkak të interesave materiale dhe luftës për pushtet. Të pretendosh ndryshe është një iluzion, sepse ata që janë në pushtet nuk e lëshojnë atë me dëshirë.
Një shembull historik i fuqishëm është ngritja e Hitlerit në Gjermani në vitin 1933. Hitleri nuk do të kishte ardhur kurrë në pushtet po të mos ishte për krizën ekonomike që kishte përfshirë Gjermaninë pas Luftës së Parë Botërore dhe Depresionit të Madh. Në atë kohë, miliona gjermanë ishin të dëshpëruar dhe të pa shpresë, duke kërkuar një udhëheqës që mund të ofronte një rrugëdalje nga kaosi ekonomik dhe social. Jo se nuk kishte qasje të tjera alternative por Hitleri dhe partia e tij naziste ofruan një fabul të fuqishme dhe bindëse, që manipuloi ndjenjat dhe aspiratat e gjermanëve, duke u bërë për ta një shpëtimtarë i mundshëm. Kjo tregoi se jo vetëm interesat materiale, por edhe fabulat dhe perceptimet që krijohen në kohë krize, janë çelësi për ndryshime të mëdha politike. Por 12 vitet e udhëheqjes naziste nuk i përmirësuan interesat materiale të gjermanëve, përkundrazi sollën shkatërrimin e tyre deri në momentin që u adaptua demokracia liberale dhe u krijua një tjetër fabul duke hedhur poshtë atë të nazistëve.
Në mënyrë të ngjashme, Edi Rama ka arritur të mbajë pushtetin duke krijuar një krizë të qëllimshme dhe duke ndërtuar një fabul që i bën shqiptarët të ndihen të përfaqësuar, pavarësisht realitetit të vërtetë. Kjo fabul është forca e tij më e madhe dhe njëkohësisht dobësia më e madhe e opozitës, e cila nuk ka arritur ende të ofrojë një alternativë të besueshme që të sfidojë këtë narrativë. Në këtë fabul të kopsitur mire, Edi Rama ka arritur ti ngulisë në kokë shqiptarëve që Saliu është me të. Qoftë përmes lejeve për ndërtimin e kullave që i jep të birit, apo qoftë edhe përmes lajmeve që shpërndan në media për marrëveshje poshtë tavolinës me opozitën. Rama ka ndërtuar fabulën perfekte dhe ka arritur të afrojë afër vetes edhe demokratët më besnikë të Saliut.
Është e qartë që personi që do të përfaqësojë opozitën në Shqipëri duhet të jetë i aftë të ndërtojë një krizë reale dhe jo thjesht një krizë mediatike për të thënë se në Shqipëri ka krizë. Kriza e vërtetë duhet të jetë një tronditje e thellë që prek interesat materiale dhe perceptimet e popullit, duke e bërë të qartë se sistemi i ngritur nga Edi Rama nuk përputhet më me nevojat dhe aspiratat e shqiptarëve.
Fakti që Edi Rama po fiton çdo vit e më bindshëm është tregues i qartë se interesat materiale të popullit nuk janë në kundërshtim me sistemin që ai ka ngritur. Rama arriti ti mbushë mendjen më shumë se një milion shqiptarëve, dhe për ta sfiduar këtë dominim, duhet krijuar një fabul e re që është po aq e fuqishme dhe e besueshme.
Për ta rrëzuar Ramën dhe për të sjellë një ndryshim të vërtetë në Shqipëri, nuk mjafton të mbështetemi te protestat dhe kërkesat boshe. Duhet të krijohet një krizë reale, që të trondisë bazën e pushtetit të tij dhe të ndryshojë fabulën që ai ka ndërtuar. Ne duhet të prezantojmë një vizion të ri për Shqipërinë, një fabul të fuqishme që e bën të qartë se Rama nuk është më zgjedhja e duhur për të ardhmen e vendit tonë.
Krizat kanë qenë gjithmonë motori i ndryshimeve të mëdha politike dhe sociale. Ashtu si në rastin e Gjermanisë, kur ndryshimi erdhi si rezultat i krizës ekonomike, edhe në Shqipëri, një krizë e re mund të jetë çelësi për të sjellë ndryshimin e nevojshëm. Opozita duhet të krijojë kushtet për një krizë dhe të ndërtojë një fabul të re, që të përqafohet nga të gjithë shqiptarët dhe që sfidon status quo-në e Edi Ramës./Pamfleti

Lini një Përgjigje