TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Maj 2025, 17:58

Krimet zgjedhore, SPAK mësyn në Bashkinë e Klosit; shoqërohen disa zyrtarë dhe u sekuestrohen telefonat

Shkruar nga Pamfleti

Krimet zgjedhore, SPAK mësyn në Bashkinë e Klosit;

Por edhe pse ka pasur disa operacione, deri më tani nuk ka pasur ndonjë arrestim të bujshëm nga SPAK...

Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë mësyrë sot në Bashkinë e Klosit, pasi ka dyshime për përfshirje të zyrtarëve dhe personave të tjerë në blerje votash gjatë zgjedhjeve të 11 majit.

Sipas informacioneve mediatike, janë shoqëruar disa funksionarë në këtë bashki dhe u janë sekuestruar telefonat. Po ashtu dyshohet se të përfshirë janë dhe efektivë policie. Sipas burimeve, aksioni është udhëhequr nga prokurori Elvin Gokaj. Dyshimet janë se zyrtarët kanë blerë vota për PS.

Ky aksion është në vazhdën e shumë të tjerëve. Pak ditë më parë u zhvillua një aksion i ngjashëm në Vaun e Dejës, ku ju sekuestrua celulari kryebashkiakut. Po ashtu ka pasur kontrolle në Shkodër, ku në shënjestër kanë qenë përfaqësues të PSD. Madje ju sekuestrua celulari shoqëruesit të Tom Doshit.

Në të njëjtën kohë, veprime të ngjashme janë kryer edhe në Fier dhe Elbasan, në bashkëpunim me Policinë Vendore.

Por edhe pse ka pasur disa operacione, deri më tani nuk ka pasur ndonjë arrestim të bujshëm nga SPAK. Kjo ka bërë që dhe opozita të nisë sulmet, duke e akuzuar se nuk bëri asgjë për të parandaluar krimet.  

Po sot, kreu i SPAK, Altin Dumani, Kryeprokurori Olsjan Çela dhe kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, patën një takim mëngjesin e sotëm me diplomatët e akredituar në Tiranë, ku në fokus ishin zgjedhjet e 11 majit dhe ndjekja e procedurave për luftën ndaj krimit zgjedhor.

Në takimin e zhvilluar në Ambasadën franceze në Tiranë, ishin ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Holandës, Austrisë, Italisë, Zvicrës, Britanisë së Madhe dhe E ngarkuara me Punë e SHBA.

Në takim mori pjesë edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian si dhe kreu i Misionit të Vëzhguesve të ODIHR-it, Lamberto Zannier.

Mësohet se diplomatët janë njohur me detaje lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor, bashkëpunimin mes institucioneve në kuadër të hetimit të krimit zgjedhor dhe ppërballjen me drejtësinë të personave përgjegjës.

Sipas raportimeve, gjatë takimit, kreu i SPAK dhe Kryeprokurori kanë informuan diplomatët lidhur me hapat që po ndjekin kundër krimit zgjedhor, denoncimet, trajtimet, bashkëpunimin mes Prokurorisë Speciale dhe Prokurorive të rretheve.

Në këtë kuadër, mësohet se Dumani dhe Çela kanë informuar ambasadorët lidhur me mekanizmat që po ndiqen për hetimin dhe më pas çuarjen para gjykatës të personave të dyshuar për krime zgjedhore. Në këtë kuadër, SPAK po heton 39 dosje lidhur me zgjedhjet e 11 majit, ndërkohë që shumë raste po ndiqen nga Prokuroritë e rretheve, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.

Në takim u vu theksi në bashkëpunimin ndërinstitucional, por edhe me partnerët ndërkombëtarë lidhur me goditjen e krimit zgjedhor. Raportohet se nga diplomatët është kërkuar që të gjitha çështjet që kanë lidhje me krimin zgjedhor të hetohen me shpejtësi dhe me transparencë, si një mënyrë për të rritur besimin e publikut ndaj institucioneve të drejtësisë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje