Si qeveria kërkon të vërë nën kontroll SPAK-un...
Zbardhen rekomandimet e plota të qeverisë për Prokurorinë e Posaçme, rekomandime që u kthyen në mollë sherri mes qeverisë dhe Altin Dumanit.
Dje ishte ministri Ulsi Manja që i prezantoi, por rekomandimet nuk u pritën mirë nga Altin Dumani, duke dëshmuar qartë se ekziston një raport i akullt mes dy institucioneve.
Por pse u acarua Dumani?
Në dokumentin “Për miratimin e rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit, për vitin 2025”, i siguruar nga “Pamfleti”, bie në sy se janë kthyer në dokument të gjitha akuzat e Edi Ramës, të bëra në muajin shkurt, kur u arrestua Erion Veliaj.
Të gjithë e mbajmë mend se si kreu i qeverisë dilte 3-4 herë në ditë dhe godiste SPAK, duke e akuzuar se po abuzon me pushtetin dhe nuk po ecën sipas standardeve ndërkombëtare. Kërkonte po ashtu të bëhej kujdes me masat e sigurisë dhe të kishte më shumë kontroll. Të gjitha këto reflektohen në dokument.
Që në nisje të tij, qeveria kërkon që të mos ketë shumë arrestime, por të zbatohen masa alternative sigurie. Por pjesa që shkaktoi dje përplasjen Dumani-Manja është te kontrolli. Qeveria kërkon të ngrihet një strukturë për kontrollin e SPAK, pra një lloj mekanizmi për të mos lejuar SPAK të veprojë sipas ligjit, por të orientohet sipas interesave.
REKOMANDIMET PRIORITARE PËR 2025-n
4. FUSHAT KRYESORE TË REKOMANDIMEVE
4.1 Sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut në qendër të punës së prokurorisë
4.1.1 Prezumimi i pafajësisë, i garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga legjislacioni procedural penal në fuqi, përbën një nga shtyllat themelore të procesit të rregullt ligjor dhe sundimit të ligjit. Në këtë kuadër, prokuroria ka detyrimin që, në çdo fazë të procedimit penal, të respektojë dhe të garantojë këtë të drejtë themelore. Respektimi i prezumimit të pafajësisë kërkon jo vetëm shmangien e deklarimeve publike që cenojnë integritetin e të dyshuarit/akuzuarit, por edhe ushtrimin me përmbajtje të kërkesës për masa sigurie personale. Në këtë drejtim, përdorimi i masave ekstreme të sigurimit, si arresti në burg ose në shtëpi, duhet të mbetet masë e jashtëzakonshme dhe e fundit, e rezervuar vetëm për rrethana që justifikohen nga rrezikshmëria reale e të hetuarit dhe nga pamundësia për të garantuar në mënyrë tjetër vijimin e procesit penal. Prokuroria, në përmbushje të këtij detyrimi, rekomandohet të sigurojë që çdo kërkesë për vendosjen e një mase sigurie të jetë e bazuar në mënyrë të qartë, të argumentuar dhe proporcionale, në përputhje me rrethanat konkrete të çështjes. Fokusi nuk qëndron vetëm në ekzistencën formale të garancive ligjore, por në masën se si ato zbatohen në praktikë dhe nëse prokuroria reagon ndaj çdo devijimi apo shkeljeje të tyre.
4.1.2 Njëkohësisht, është e domosdoshme që prokuroria të shmangë çdo vonesë të pajustifikuar në fazën e hetimeve, pasi këto vonesa ndikojnë drejtpërdrejt në zgjatjen e periudhave të pasigurisë për të pandehurin, në veçanti, kur ndaj tij është vendosur një masë kufizuese e lirisë. Zgjatja pa arsye objektive e hetimeve, cenon jo vetëm të drejtën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, por në thelb minon vetë parimin e prezumimit të pafajësisë. Në këtë drejtim, rekomandohet forcimi i mekanizmave të brendshëm të kontrollit dhe monitorimit të ecurisë së çështjeve penale në hetim, si dhe përcaktimi i standardeve të qarta për arsyetimin e afateve hetimore dhe për reagimin në rast të zvarritjes së tyre.
4.1.3 Po aq i rëndësishëm është edhe garantimi i plotë i të drejtës për përfaqësim dhe mbrojtje të drejtë ligjore gjatë të gjithë procedurës penale. Prokuroria ka detyrimin të sigurojë që i pandehuri të njoftohet menjëherë për të drejtën për të pasur një avokat dhe që kjo e drejtë të ushtrohet në mënyrë efektive dhe pa pengesa. Për këtë arsye rekomandohet respektimi i së drejtës për konsultim konfidencial me mbrojtësin, praninë e tij gjatë veprimeve procedurale, si dhe vendosjen në dispozicion menjëherë të kartës së të drejtave të tij.
4.1.4 Rekomandohet që prokuroria të rrisë përdorimin e masave alternative të parashikuara nga legjislacioni penal, duke pasur në fokus edhe të miturit, në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe me qëllimin e rehabilitimit dhe parandalimit të recidivizmit. Masat alternative, sipas legjislacionit penal, duhet të konsiderohen si instrumente të vlefshme që ruajnë balancën ndërmjet interesit të drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të individit.
Zbatimi më i gjerë dhe më i standardizuar i këtyre masave ndihmon jo vetëm në shmangien e mbipopullimit të sistemit penal dhe paraburgimeve të panevojshme, por edhe në promovimin e një drejtësie më sociale dhe më efektive. Rekomandohet që prokuroria të zhvillojë udhëzime të brendshme dhe trajnime të posaçme për zbatimin e këtyre formave alternative, si dhe të monitorojë praktikën për të siguruar konsistencë dhe qasje të barabartë në të gjithë sistemin.
4.1.5 Rekomandohet rritja e zbatimit të parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale për bashkëpunëtorët e drejtësisë, gjykimin e drejtpërdrejtë, gjykimet e posaçme, urdhrin penal, marrëveshjet e pranimit të dënimit, si mjete për të rritur efektivitetin e procesit penal dhe për të ulur ngarkesën e sistemit gjyqësor (backlog-un), në funksion të përfundimit të çështjeve brenda afateve të arsyeshme.
4.1.6 Rekomandohet që prokuroria të ndërmarrë masa të fuqishme për të garantuar respektimin e të drejtave procedurale të personave në hetim dhe të të pandehurve, përfshirë shmangien e ndalimeve arbitrare dhe të pajustifikuara, si dhe kontrollet dhe sekuestrimet që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Prokuroria duhet të sigurohet që çdo masë kufizuese e lirisë, përfshirë ndalimin dhe arrestimin, të bazohet në prova të mjaftueshme dhe të jetë masë e drejtpërdrejtë dhe e nevojshme për zhvillimin e hetimeve. Ndërsa sekuestrimet dhe kontrollet duhet të kryhen vetëm kur janë të justifikuara, proporcionale dhe në respektim të procedurave ligjore dhe standardeve të të drejtave të njeriut. Rekomandohet që prokuroria të ngrejë kapacitetet për të siguruar që të gjitha veprimet procedurale të jenë të dokumentuara dhe të mbikëqyrura, duke garantuar transparencën dhe llogaridhënien e proceseve. Përdorimi i masave të tilla duhet të jetë gjithmonë i kontrolluar nga organet gjyqësore dhe të mbështetet në një arsyetim të plotë dhe të argumentuar përpara se të ndërmerren. Po ashtu, rekomandohet të forcohen mekanizmat e kontrollit të brendshëm dhe jashtëm, për të parandaluar çdo abuzim dhe për të siguruar që çdo masë kufizuese e lirisë të respektojë të drejtat e individëve dhe të përmbushë kriteret e ligjshmërisë.
4.1.7 Rekomandohet përditësimi i materialeve informuese për publikun dhe palët e përfshira mbi
procedurën penale, me qëllim rritjen e transparencës, kuptueshmërisë dhe aksesit efektiv në drejtësi. Materialet informuese duhet të jenë të qarta, të përditësuara dhe të përshtatura për kategoritë e ndryshme të qytetarëve, përfshirë personat në hetim, të pandehurit, viktimat e veprave penale dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë. Përmirësimi i aksesit në informacion ndihmon në garantimin e të drejtave procedurale, zvogëlon pasigurinë juridike dhe rrit besimin e publikut në sistemin e drejtësisë penale.
Rekomandohet, gjithashtu, që materialet të jenë të disponueshme në formate të ndryshme, përfshirë digjitalisht dhe në gjuhë të thjeshtuar, kur është e nevojshme.
4.2 Forcimi i luftës kundër kriminalitetit
4.2.1 Rekomandohet rritja e numrit të hetimeve të çështjeve të filluara kryesisht, rekomandim i përsëritur ndër vite (numri i të cilave vijon minimal), me qëllim rritjen e rolit aktiv të prokurorit, dhe jo thjesht të vihet në lëvizje nëpërmjet referimeve të kryera nga institucione të ndryshme.
4.2.2 Të përmirësohet cilësia e hetimeve kundër korrupsionit, veçanërisht nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, si dhe të mbahet në vëmendje rritja e numrit të çështjeve të dërguara për gjykim. Rekomandohet të forcohet hetimi, ndjekja penale dhe dërgimi për gjykim i rasteve të korrupsionit, veçanërisht në nivele të larta.
4.2.3 Të rritet numri i hetimeve financiare për veprat penale që krijojnë të ardhura ose pasuri, duke nisur hetimin financiar që në momentin e regjistrimit të procedimit penal dhe duke rritur kërkesat për masa të përkohshme ndaj pasurive, duke përfshirë ato që janë përdorur ose janë në pronësi të personave të tretë. Rekomandohet të rritet numri i rasteve të konfiskimit përfundimtar të aseteve kriminale, që rrjedhin nga veprat penale të lidhura me korrupsionin.
4.2.4 Të mbahen në konsideratë, në mënyrë të veçantë, krimet në fushën e sigurisë kibernetike. Rekomandohet ngritja e njësive të specializuara brenda prokurorisë për luftën kundër krimit kibernetik, duke përdorur teknologji të avancuara.
4.2.5 Rekomandohet forcimi i luftës kundër krimit të organizuar përmes bashkëpunimit të qëndrueshëm me shtetet anëtare të BE-së dhe shtete të tjera, si dhe ndëshkimi brenda vendit me masa të efektshme, me qëllim reduktimin e tij.
4.2.6 Të rriten rastet e procedimeve të regjistruara dhe të dërguara për gjykim në lidhje me veprat penale në fushën e narkotikëve, duke diferencuar veprat penale që lidhen me sasi minimale të narkotikëve dhe duke ndërmarrë veprime të ashpra, brenda kompetencave të prokurorisë, për vendosjen e masave të sigurimit personal dhe dënimin për rastet e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
4.2.7 Të rriten rastet e hetimeve për veprat penale në fushën e trafiqeve, përfshirë trafikimin e të miturve, si kategori vulnerabël. Gjithashtu, të vijohet nga SPAK-u rritja e numrit të hetimeve për çështjet e krimit të organizuar dhe ashpërsimit të politikës penale për këto vepra.
4.2.8 Të shtohet vigjilenca dhe rastet e hetimit për format e reja të krimeve të kryera nga krimi i organizuar, si: krimi kibernetik i organizuar, hakerimi i sistemeve të institucioneve publike dhe bankave, vjedhja e të dhënave personale dhe financiare, mashtrimi online, përfshirë mashtrimin me kriptovaluta, skemat “phishing”, ransomëare etj., trafikimi i qenieve njerëzore në forma të reja, pastrimi i parave përmes formave të reja, tregtia e paligjshme online, përdorimi i rrjeteve sociale për shitjen e armëve, drogës, dokumenteve të falsifikuara, apo akses në llogari bankare të vjedhura,krimi mjedisor i organizuar, manipulimi i tregjeve financiare etj.
4.2.9 Të mbahen në vëmendje hetimet për veprat penale të mundshme në fushën e terrorizmit, duke mbajtur në konsideratë situatën globale dhe duke bashkëpunuar me institucionet që veprojnë në këtë fushë.
4.2.10 Të rriten rastet e hetimeve financiare për veprat penale të pastrimit të parave dhe produkteve të veprës penal, numri i çështjeve dhe të pandehurve të dërguar për gjykim, si dhe numri i sekuestrimeve/ konfiskimeve, rekomandim i përsëritur, që kërkon vëmendje të veçantë dhe njohjen e zhvillimin e kapaciteteve në lidhje me format e reja të këtyre veprave penale.
Rekomandohet të përmirësohen teknikat e hetimit të prokurorisë, si hetimi i krimit financiar, si dhe të përmirësohen sistemet dhe metodologjitë e analizës penale për zgjidhjen e çështjeve komplekse penale.
Të rritet përdorimi i masave të posaçme hetimore për të siguruar konsistencën ndërmjet sekuestrimit paraprak të aseteve dhe konfiskimeve përfundimtare.
4.2.11 Të shtohet vëmendja në lidhje me masat e sigurimit personal dhe masën e dënimit për veprat me natyrë gjinore, seksuale dhe diskriminuese, si dhe për rastet e keqtrajtimit/abuzimit/ shfrytëzimit e trafikimit të fëmijëve dhe grave.
4.2.12 Të shtohet vëmendja për dhunën ndaj grave në caktimin e masave të sigurimit personal dhe dënimin e autorëve të veprës penale, veçanërisht atyre recidivistë, si dhe në rastet kur kjo vepër ka ndodhur në prezencë të të miturve.
4.2.13 Të shtohet vëmendja ndaj veprave penale që lidhen me zgjedhjet, me qëllim hetimin e shpejtë dhe efikas të këtyre veprave penale.
4.2.14 Rekomandohet intensifikimi i hetimeve penale për veprat që prekin drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve, me fokus të veçantë ndaj shkeljeve në fushën e sigurisë ushqimore, në përgjigje të rasteve të fundit të ekspozimit të konsumatorëve ndaj produkteve të pasigurta dhe jashtë standardeve. Zhvillimet e fundit në vend, përfshirë denoncimet publike për shkelje të sigurisë ushqimore apo krimeve mjedisore, kanë rritur ndjeshëm shqetësimin shoqëror, lidhur me mungesën e kontrolleve efektive dhe ndëshkimin penal për shkelësit. Në këtë kontekst, prokuroria duhet të forcojë rolin e saj aktiv në hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre veprave, duke bashkëpunuar ngushtësisht me institucionet kompetente. Për më tepër, ndjekja e rasteve të tilla duhet të trajtohet me përparësi, si për shkak të rrezikut të lartë për shëndetin publik, ashtu edhe për të forcuar parandalimin dhe duke rritur besimin e qytetarëve në integritetin e zinxhirit të furnizimit ushqimor.
4.3 Integriteti, përgjegjshmëria dhe transparenca e veprimtarisë së prokurorëve dhe zyrave të prokurorisë
4.3.1 Rekomandohet që prokuroria të zhvillojë metoda më të mira për verifikimin e integritetit dhe profesionalizmit të kandidatëve për t’u punësuar në prokurori, në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi. Nevoja për zhvillimin e metodave të mira për kontrollin e vazhdueshëm të integritetit dhe profesionalizmit të kandidatëve dhe të punësuarve nuk duhet të mjaftohet vetëm me përfundimin e procesit të vetting-ut të bërë në kuadër të reformës së ndërmarrë në sistemin e drejtësisë.
4.3.2 Rekomandohet rishikimi i akteve të brendshme që rregullojnë punën e prokurorisë në mënyrë që të sigurojnë një sistem transparence dhe përgjegjshmërie. Kjo duhet shoqëruar me udhëzime dhe standarde të mira, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe kriteret më të mira ndërkombëtare, që zbatohen për organet e akuzës, të cilat duhet të jenë të disponueshme për publikun.
4.3.3 Të rishikohet mundësia për miratimin e modeleve standarde të dokumenteve të punës së përditshme të prokurorëve dhe zyrave të prokurorisë, duke garantuar më së miri respektimin e detyrimeve në raport me zbatimin e të drejtave të njeriut dhe njohjen e tyre nga publiku.
4.3.4 Rekomandohet ndërmarrja e veprimeve konkrete për shqyrtimin e plotë të ankesave apo nisjen e hetimeve, kryesisht në ato raste kur vërehet se mund të ketë baza dhe indicie të mjaftueshme për nisjen e hetimit disiplinor ndaj prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore, dhe referimin e rasteve pranë organeve kompetente. Marrja e masave të tilla duhet t’i shërbejë parandalimit të kryerjes së veprimeve, në kundërshtim me ligjin, dhe si rezultat, të kontribuojë në zëvendësimin e qasjes neglizhente, duke ulur tolerancën ndaj praktikave korruptive.
4.3.5 Llogaridhënia e brendshme krijon një proces pavarësie dhe perceptim publik të një sistemi ankimesh që është lehtësisht i aksesueshëm për publikun dhe shoqërinë civile. Procedurat për hetimin e shkeljeve dhe rezultatet e këtyre hetimeve duhet të përshtaten në mënyrë eficiente dhe të jenë transparente për publikun. Pavarësisht rezultateve të hetimeve për shkelje të ligjit, edhe dyshimi për kryerjen e saj mund të jetë i mjaftueshëm e të shërbejë si indicie për rishikimin e akteve dhe procedurave të brendshme.
4.3.6 Ndërkohë që legjislacioni konsiderohet i plotë, duke përmbajtur rregullat që i përshtaten standardeve ndërkombëtare dhe janë ngritur institucionet në përputhje me këto standarde, zbatimi praktik i tij në drejtim të transparencës dhe përgjegjësisë mbetet një sfidë. Në këtë kuptim rekomandohet rritja e kapacitetit në përdorimin e të gjithë mekanizmave të parashikuara nga legjislacioni, me qëllim garantimin e objektivitetit dhe transparencës së veprimtarisë së prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore.
4.3.7 Rishikimi i rregullave të etikës për prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe administratën e prokurorisë, si dhe i planeve institucionale të integritetit në raport me standardet e BE-së dhe kërkesat e vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë për rritjen e përgjegjshmërisë dhe transparencës në sjelljen etike dhe profesionale. Ky rishikimin duhet të sigurojë përshtatjen me këto standarde dhe që rregullat të jenë të aplikueshme për të gjitha zyrat e prokurorisë. Gjithashtu, duhet të sigurohet edhe publikimi dhe aksesimi i plotë dhe i thjeshtë i këtyre rregullave për njohje nga publiku. Zhvillimi i aktiviteteve për njohjen dhe zbatimin praktik të tyre është një tjetër rekomandim për të dy institucionet.
4.3.8 Rekomandohet marrja e masave për funksionimin e plotë dhe në mënyrë eficiente të sistemit të ndarjes së çështjeve, për të siguruar përmirësimin e mbarëvajtjes së hetimeve për çështjet, si dhe nxitjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë së prokurorisë në procedurat përkatëse. Ky sistem duhet që, gjithashtu, të sigurojë aksesueshmërinë në të dhëna, si dhe të garantojë paanësinë dhe onfidencialitetin.
4.3.9 Prokuroria të përcaktojë qartë vijën ndarëse midis detyrimit për ruajtjen e sekretit hetimor, respektimit të së drejtës së informimit dhe aksesit në dosje, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Për këtë qëllim, rekomandohet që të hartohet një metodologji e qartë e përdorimit të informacionit që përbën sekret hetimor, duke respektuar detyrimet ligjore për secilën nga këto fusha.
4.3.10 Në përputhje me legjislacionin e ri për mbrojtjen e të dhënave personale, prokuroria të përcaktojë rregulla të qarta për mbrojtjen dhe respektimin e të dhënave të subjekteve të hetimit nga punonjësit që disponojnë këto të dhëna për shkak të detyrës.
4.4 Sigurimi i eficiencës dhe ngritja e kapaciteteve institucionale
4.4.1 Me qëllim uljen e backlog-ut, vonesave të krijuara për shkak të numrit të madh të çështjeve, si dhe rritjen e cilësisë së hetimeve dhe thellimit në to, rekomandohet të krijohen seksione apo task-forca për të trajtuar në mënyrë të specializuar veprat penale që janë komplekse për t’u hetuar dhe kërkojnë njohuri të specializuara për hetimin e tyre. Kjo, me qëllim reduktimin e kohës që nevojitet për përfundimin e hetimeve dhe përqendrimin e veprimeve hetimore të duhura për krimet, të tilla si: korrupsioni, krimet e jakave të bardha, mashtrimi dhe çdo shkelje tjetër financiare, si dhe për veprat penale të dhunshme të kryera në kuadër të organizatave kriminale apo terroriste.
4.4.2 Rekomandohet që PP-ja dhe SPAK-u të rishikojnë kapacitetet dhe mjetet përkatëse të nevojshme për kryerjen e hetimeve, si dhe të miratojnë një strategji që i jep përparësi çështjeve të pazgjidhura të cilat janë në rritje të vazhdueshme.
4.4.3 Me qëllim rritjen e eficiencës dhe thellimit të veprimeve hetimore rekomandohet rritja e përdorimit të njohurive të posaçme dhe ekspertizës nga strukturat ekzistuese, të specializuara në fushat që lidhen me hetimin e veprave penale përkatëse.
4.4.4 Rekomandohet rritja e eficiencës në shpërndarjen dhe përdorimin e burimeve njerëzore për të rritur shkallën e suksesit të prokurorive.
4.4.5 Të rishikohet mundësia për miratimin e modeleve standarde të dokumenteve të punës së përditshme të prokurorëve dhe zyrave të prokurorisë, me qëllim reduktimin e kohës për kryerjen e veprimeve të hetimit, unifikimin e procedurave dhe veprimeve konkrete gjatë punës, rritjen e eficiencës së veprimtarisë, si dhe uljen e veprimeve të nevojshme për hetimin e çështjeve të prapambetura.
4.4.6 Rekomandohet rritja e rolit të PP-së dhe SPAK-ut për zhvillimin e trajnimeve të rregullta, me aktorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Këto trajnime duhet të kryhen rregullisht dhe duhet të standardizohen për t’i përshtatur njohuritë e prokurorëve dhe OPGJ-ve, në funksion të kryerjes së veprimeve hetimore.
4.4.7 Trajnimi i vazhdueshëm dhe zhvillimi profesional i prokurorëve janë thelbësorë për të siguruar kompetencën dhe efektivitetin e tyre në trajtimin e rasteve komplekse, veçanërisht të atyre që lidhen me korrupsionin. Programet e edukimit të vazhdueshëm duhet të përmirësohen, duke u fokusuar në zhvillimet më të fundit ligjore, standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira në punën e prokurorëve. Duhet të eksplorohen sa më shumë mundësi për diversifikuar temat e trajnimeve në mënyrë që të merren njohuri të posaçme dhe të gjithanshme për kategori të caktuara veprash penale, si dhe të diversifikohen subjektet që ofrojnë trajnime, krahas Shkollës së Magjistraturës.
4.4.8 Prokurorëve dhe OPGJ-ve duhet t’u ofrohen mundësi për specializim në fusha kyçe, të tilla si antikorrupsioni, krimet në fushën financiare, krimet kibernetike/kompjuterike dhe krimi i organizuar, përmes moduleve të avancuara të trajnimit dhe ëorkshop-eve. Për më tepër, mund të nxitet bashkëpunimi ndërkombëtar dhe programet e shkëmbimit, duke i lejuar prokurorët të fitojnë njohuri nga juridiksione të tjera dhe të ndajnë përvojat, duke pasuruar kështu aftësitë e tyre profesionale.
4.4.9 Rekomandohet që PP-ja dhe SPAK-u të bashkëpunojnë me Shkollën e Magjistraturës dhe aktorë të tjerë për të zgjedhur dhe për të implementuar një program për trajnimin, ngritjen e kapaciteteve dhe injektimin e burimeve financiare nëpërmjet një plani kombëtar veprimi për trajnimin për ndjekjen penale të korrupsionit.
4.4.10 Rekomandohet rritja e rolit të PP-së dhe SPAK-ut për ofrimin e trajnimeve të prokurorëve dhe OPGJ-ve për standardet dhe procedurat e BEsë, lidhur me ekstradimin dhe ndihmën e ndërsjellë juridike, për më tepër që Shqipëria ndodhet në një fazë të avancuar për integrimin e saj në Bashkimin Evropian.
4.5 Përdorimi i metodave bashkëkohore të hetimit
4.5.1 Rekomandohet që prokuroria të intensifikojë përdorimin e metodave moderne të hetimit, me qëllim rritjen e efikasitetit në zbulimin dhe ndjekjen penale të veprave penale me kompleksitet të lartë.
4.5.2 Rekomandohet rritja e numrit të rasteve të përdorimit të metodave bashkëkohore dhe të metodave të veçanta të hetimit, në përputhje me standardet ndërkombëtare hetimore.
4.5.3 Rekomandohet përmirësimi i infrastrukturës së teknologjisë së informacionit në zyrat e prokurorisë.
4.5.4 Rekomandohet rritja e përdorimit të teknologjive bashkëkohore të njohura, përfshirë inteligjencën artificiale, për analizimin dhe kryqëzimin e të dhënave të mbledhura për të siguruar shpejtësi në kryerjen e veprimeve hetimore.
4.5.5 Rekomandohet promovimi dhe zgjerimi i përdorimit të metodave bashkëkohore të hetimit, si p.sh.: hetimet proaktive të bazuara në inteligjencën kriminale, përdorimi i teknikave të mbikëqyrjes elektronike dhe përgjimeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi, zbatimi i analizës financiare dhe ndjekja e parimeve të hetimit pasuror, përdorimi i teknologjive digjitale për grumbullimin, menaxhimin dhe analizën e provave, si dhe rritja e kapaciteteve teknike dhe profesionale të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore për përdorimin e këtyre metodave.
4.6 Bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë
4.6.1 Rekomandohet vijimi i bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e politikave të përgjithshme në fushën penale, duke u angazhuar sistematikisht në procesin e hartimit, rishikimit dhe monitorimit të dokumenteve kombëtare në fushën e drejtësisë penale dhe luftës kundër kriminalitetit, duke kontribuar me të dhëna, analiza dhe rekomandime praktike mbi zbatimin e legjislacionit penal në praktikë, si dhe duke emëruar një pikë kontakti institucionale për pjesëmarrje të rregullt në grupet e punës për hartimin e këtyre dokumenteve.
4.6.2 Rekomandohet bashkëpunimi i ngushtë në përgatitjen e një metodologjie për hartimin e statistikës së njësuar në fushën e drejtësisë për shkëmbimin periodik të të dhënave statistikore penale (çdo 3 muaj), me qëllim unifikimin e burimeve zyrtare të informacionit. Mbledhja dhe përdorimi i të dhënave të tilla është thelbësor për një vendimmarrje të mbështetur në informacion të saktë e të plotë, sikundër edhe për planifikimin strategjik. Të dhënat nga SPAK-u dhe PP-ja duhet të jenë gjithëpërfshirëse, duke mbuluar kritere të ndryshme, përfshirë llojin e veprës penale dhe fazën e procedimit.
4.6.3 Rekomandohet vijimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë në cilësinë e autoritetit qendror për çështje të ndihmës juridike ndërkombëtare, me qëllim përmirësimin e efikasitetit në ekzekutimin e kërkesave për ekstradim, letërporosi dhe bashkëpunim të ndërsjellë penal.
4.6.4 Rekomandohet krijimi i një protokolli zyrtar për mbledhjen e të dhënave cilësore dhe sasiore nga prokuroria, që do të përdoren nga Ministria e Drejtësisë për përgatitjen e raporteve vjetore, periodike ose të veçanta, që i paraqiten Kuvendit, përfshirë tendencat në kriminalitet, zbatimin e strategjive dhe rekomandimet për përmirësim ligjor.
4.6.5 Rekomandohet që prokuroria të forcojë bashkëpunimin me shërbimin e ndihmës juridike dhe të kontribuojë në identifikimin dhe adresimin e çdo pengese praktike, që cenon ushtrimin e kësaj të drejte thelbësore.
4.7 Bashkëpunimi ndërinstitucional
4.7.1 Rekomandohet miratimi i një strategjie të përbashkët të PP-së dhe SPAK-ut, duke ndjekur reformat e ndërmarra tashmë, thelbësore për stabilitetin afatgjatë të vendit, për të pasur një qasje të koordinuar e gjithëpërfshirëse, si dhe për të lehtësuar e për të rritur bashkëpunimin ndërmjet tyre.
4.7.2 Rekomandohet bashkëpunimi me organet e specializuara dhe të ngritura për zbatimin e monitorimin e veprimtarisë, që ushtrohet në fusha të ndryshme të grupuara, si: siguria kibernetike dhe mbrojtja e të dhënave personale, dhuna ndaj grave, rekomandimet e MONEYVAL-it, veprat penale që kryhen në/dhe përmes rrjeteve sociale, krimet në fushën financiare dhe doganore, krimet mjedisore, krimet në fushën e shëndetit dhe sigurisë ushqimore, krimet në fushën e prokurimeve dhe tenderave etj.
4.7.3 Rekomandohet bashkëpunimi me institucionet përkatëse, me qëllim sigurimin e zbatimit të masave të parashikuara në strategjitë kombëtare, si ajo për të miturit, të drejtësisë, të viktimave të krimit, antikorrupsionit, trafikimit të qenieve njerëzore, sigurisë kibernetike, si dhe të gjitha strategjive të tjera sipas fushave përkatëse.
4.7.4 Rekomandohet që të vendosen pika kontakti ndërmjet prokurorisë dhe institucioneve përkatëse për vepra penale të cilat kërkojnë hetim të thelluar dhe njohuri të specializuara, me qëllim lehtësimin e komunikimit të shpejtë dhe efikas, formalizimi i rregullimit të marrëdhënies me to, si dhe miratimin e metodologjisë së saktë për funksionimin e pikave të kontaktit.
4.7.5 Rekomandohet rritja e efektivitetit të shkëmbimit të të dhënave me Ministrinë e Drejtësisë, ministritë e linjës dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, me qëllim identifikimin e saktë të trendeve në kryerjen e veprave penale për të siguruar marrjen e masave për zbatimin e një politike penale adekuate dhe koherente.
4.7.6 Rekomandohet që prokuroria të marrë masa për nënshkrimin e memorandumeve apo marrëveshjeve për shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve, sipas masave të vendosura nëpërmjet legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
4.7.7 Përpara se ndonjë e dhënë të shkëmbehet ndërmjet organeve, duhet të merret parasysh nëse kërkohet një memorandum mirëkuptimi ose marrëveshje për ndarjen e këtyre të dhënave, nëse nuk ekziston tashmë, e cila do të lehtësonte një shkëmbim të tillë të të dhënave. Kjo duhet të
adresojë, sipas nevojave, ndër të tjera, palët, organizatat e tjera, të përfshira në ndarjen/qasjen e të dhënave, të dhënat që do të ndahen, qeverisjen e informacionit, bazën ligjore dhe të drejtat e informacionit.
4.7.8 Të rritet bashkëpunimi nëpërmjet formave të ndryshme ose gjetjes së formave të reja të bashkëpunimit midis prokurorisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, në përputhje me nevojat e identifikuara nga secili institucion
4.7.9 Rekomandohet rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional për përgatitjen për procesin e vlerësimit të Shqipërisë nga MONEYVAL-i për pastrimin e parave/luftimin e financimit të terrorizmit.
4.8 Bashkëpunimi ndërkombëtar
4.8.1 Rekomandohet rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar, sipas legjislacionit në fuqi për të shënjestruar krimin e organizuar dhe krimin ndërkufitar.
4.8.2 Rekomandohet forcimi më tej i luftës kundër krimit të organizuar, duke përfshirë bashkëpunimin e vazhdueshëm me shtetet anëtare të BE-së dhe agjencitë e BE-së (përfshirë Europolin, në kuadrin e platformës multidisiplinare evropiane kundër kërcënimeve kriminale (EMPACT dhe Eurojust-in), të rrisë kapacitetin për të luftuar krimin kibernetik dhe pastrimin e parave, dhe parandalimin dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore.
4.8.3 Rekomandohet, gjithashtu, që të forcohet bashkëpunimi institucional, nëpërmjet rritjes së krijimit të skuadrave të përbashkëta hetimore për të trajtuar krimet komplekse ndërkombëtare, duke lejuar bashkëpunimin në kohë reale dhe ndarjen e provave. /Pamfleti
Lini një Përgjigje