TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Maj 2025, 13:16

Metamorfoza e turpit: Blendi Gonxhe, nga e emblema e zgjedhjeve të lira në arkitekt i krimit elektoral

Shkruar nga Pamfleti

 Metamorfoza e turpit: Blendi Gonxhe, nga e emblema e zgjedhjeve të lira

Në vitin 1996 u tërhoq zvarrë nga policia e Berishës si simbol i rezistencës opozitare. Sot, në 2025, është kthyer në arkitektin e krimit elektoral të PS-së në Vorë, me ndihmën e bandës së Xhabaftëve dhe Blerim Sherës...

Ka një fotografi që përshkon historinë politike të Shqipërisë si rrallë ndonjë tjetër. Është viti 1996 dhe një i ri i tërhequr zvarrë në asfalt nga policët e Sali Berishës, bëhet simbol i protestës së opozitës për dhunimin e zgjedhjeve të famshme të 26 Majit. Emri i tij: Blendi Gonxhe. Ishte atëherë një prej zërave më të fortë të Dhjetorit '90, kryetar i grevës së urisë së studentëve, njeri që fliste në emër të një brezi që kërkonte zgjedhje të lira dhe fundin e diktaturës.

Metamorfoza e turpit: Blendi Gonxhe, nga e emblema e zgjedhjeve të lira
Blendi Gonxhe, 26 Maj 1996 /

Ai udhëtoi në Shtetet e Bashkuara, ku u prit në Departamentin Amerikan të Shtetit për të dëshmuar mbi manipulimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe represionin shtetëror. Media ndërkombëtare e trajtoi si një figurë të re të opozitës, simbol të kurajos politike.

Por 29 vite më vonë, ajo figurë është shndërruar në të kundërtën e vetvehtes.

Blendi Gonxhe sot është ministër i qeverisë Rama, një zyrtar i plotfuqishëm, që në zgjedhjet e 11 majit 2025, përdori bandat dhe armët për të rrëmbyer votat në Vorë, për llogari të partisë që dikur e identifikonte si armike.

Përmes bandës së Xhabaftëve dhe të fortëve lokalë me në krye kryebashkiakun socialist Blerim Shera, Gonxhe nuk rrëmbeu vetëm votat e opozitës. Ai përdori dhunën dhe shantazhin për të asgjësuar edhe konkurrencën brenda vetë Partisë Socialiste, përmes votës preferenciale. Votat që duhej të ishin zgjedhje qytetare, u kthyen në rezultat të një strukture ushtarake zgjedhore të drejtuar nga grupime që janë të njëjtat me ato që dikur përbënin “krimin elektoral” të Berishës.

Kjo nuk është thjesht një ironi e historisë. Është shndërrimi më i dhimbshëm i një ideali në mjet pushteti, i një njeriu që ka dalë nga auditorët dhe sheshet, në një operator të pastër të makinës së kapjes së zgjedhjeve.

Gonxhe nuk është thjesht një rast i veçantë. Ai është pasqyra e një gjenerate që filloi si rebelim ndaj diktaturës dhe përfundoi si garanci për sundimin e krimit në zgjedhje. Ai është simboli tragjik i asaj që ndodh kur idealistët nuk dorëhiqen, por blehen. Kur kujtimet e dhimbshme shiten për një kolltuk.

Dhe më e rënda: askush në Partinë Socialiste nuk guxoi të reagojë për këtë farsë. Shokët e dikurshëm të Gonxhes, që ndoshta ndanë me të batanijën në greve, sot heshtin. Sepse vota preferenciale nuk i shpëton as ata më./Pamfleti

blendi gonxhe metamorfoza e turpit

Lini një Përgjigje