
Zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar ka paralajmëruar Berishën për sulmet ndaj ambasadores, Yuri Kim. Ky i fundit ka shfrenuar fantazinë dhe Escobar e ka paralajmëruar se do vuajë pasojat, duke nxitur antiamerikanizëm në Shqipëri. Në një intervistë për “Top Story”, ai tha se ambasadorja flet në emër të Sekretarit Blinken.
“Në rajon të gjithë ambasadorët veprojnë me mbështetje të Sekretarit të Shtetit dhe të Presidentit. Të gjithë ata po veprojnë në përputhje me direktivat tona. Dhe është për të ardhur keq që disa nga ambasadorët tanë në rajon janë vënë nën sulm personal. Para së gjithash mendoj se është e pajustifikuar, por së dyti mendoj se është jo diplomatike, sepse ajo që bën ambasadorja jonë, është pikërisht ajo që Sekretari dëshiron të bëjë. Nuk është personale, është çështje politikash. Të gjithë duhet ta njohin këtë dhe nëse do të shtojë një opinion personal, kemi një nga ambasaodret më të mira që shërben në Shqipëri”, tha ai.
Më tej, ai u shpreh se Berisha është duke nxitur antiamerikanizëm për interesat e tij politike dhe personale. Sipas Escobar, një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë, sepse SHBA është partneri kryesor i Shqipërisë. Duket se i dërgoi mesazh Saliut që të bëjë kujdes me ato që nxjerrë nga goja.
“Unë mendoj se ekziston rreziku që ka njerëz që po përdorin ndjenjat anti-amerikane për përfitime personale politike, dhe kjo nuk e ndihmon interesin tonë strategjik apo tuajin. Ndaj, do të isha shumë, shumë dyshues për këdo që vë në lëvizje ose u jep shtysë linjave anti-amerikane, sepse gjithçka që kemi bërë, veçanërisht në dy vitet e fundit, ka qenë për të thelluar marrëdhëniet strategjike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Dhe më duhet të them se Shqipëria zë një pozicion shumë të privilegjuar në politikën tonë të jashtme. Jemi konsultuar me ju dhe keni qenë pjesë e pothuajse çdo ngjarjeje globale për shkak të partneritetit tuaj me Shtetet e Bashkuara. Dhe ne jemi ndihmuar për të çuar përpara vlerat dhe synimet tona në Europë prej partneritetit tonë me Shqipërinë, jo vetëm në NATO apo Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe në mënyrë dypalëshe. Pra, do të thoja se kushdo që predikon çfarëdo lloj anti-amerikanizmi, në fakt nuk ka parasysh interesat e Shqipërisë”, tha Escobar.
Lini një Përgjigje