
Pasditen e sotme në Bruksel u mbajt Konferenca e 5-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, ku u miratua hapja e negociatave për tetë kapituj të përfshirë në Grupimin e 3-të: “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”.
I pranishëm në këtë konferencë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, e cilësoi këtë hap si një “gurthemel të ri”, duke theksuar se hapja e këtyre kapitujve reflekton progresin e bazuar në meritë të Shqipërisë dhe është një tregues i qartë i arritjeve të vendit në një kohë të shkurtër.
“Një gurthemel i ri i hedhur me hapjen zyrtare të Grup-Kapitullit 3 – Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse – gjatë Konferencës së 5-të Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel. Hapja e 8 kapitujve të rinj sot reflekton progresin e bazuar në meritë të Shqipërisë dhe është një tregues i qartë se sa shumë kemi arritur brenda një kohe shumë të shkurtër”, u shpreh Hasani.
Në grupimin 3 përfshihen tetë fusha ose kapituj: Kapitulli 10 (Transformimi Digjital dhe Media), Kapitulli 16 (Tatimet), Kapitulli 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare), Kapitulli 19 (Politika Sociale dhe Punësimi), Kapitulli 20 (Ndërmarrjet dhe Politika Industriale), Kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura), Kapitulli 29 (Bashkimi Doganor). Përparimi në këto fusha është thelbësor për të garantuar stabilitetin fiskal të Shqipërisë, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit.
Ky hap i ri në negociatat e anëtarësimit e afron Shqipërinë më pranë realizimit të vizionit të saj për integrim të plotë në BE deri në vitin 2030, duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët shqiptarë në jetën e përditshme.
Lini një Përgjigje