
Klevis Balliu, kandidat i koalicionit ‘Aleanca Shqipëria Madhështore’ në Qarkun e Tiranës në ‘Të Pashoq’ u shpreh i bindur se në zgjedhjet e 11 majit, opozita do të fitojë, ndërsa theksoi se ka një program që i jep zgjidhje problemeve të qytetarëve.
Në emisionin ‘Të Pashoq’, Balliu tha se mbështet plotësisht drejtësinë, por nuk mund të mbështesë një drejtësi politike. Balliu tha se këtë drejtësi e ka kapur Edi Rama, ndërsa e financoi George Soros. “Ju duken e pabesueshme juve kur Trump thotë se Soros ka kapur drejtësinë në SHBA. Atëherë si ka mundësi që të mos kapet në Shqipëri, kur ata që mbështet Soros janë në Qeveri”, tha Balliu. Sipas tij, Edi Rama duhet të gjejë një korridor të vogël për të shpëtuar kokën e tij, është në kërkim të shpëtimit të vet. “Edi Rama e di edhe vetë që do të humbasë, por do të shpëtojë kokën e vet”, tha Balliu.
Pse po e sulmoni institucionin që lufton krimin?
Balliu: Opozita lufton për të pasur drejtësi, por ne nuk mund të quajmë drejtësi kur goditet opozita politikisht. Për 1 vit Berisha u mbajt në arrest pa prova dhe fakte. Ilir Meta mbahet në burg pa prova dhe fakte. Masa vihet kur ke frikë se mos ka ndërhyrje në prova. Ilir Meta po kthehej, ishte jashtë dhe po kthehej, atëherë pse u arrestua? Duhet që Prokuroria dhe Gjykata të tregojë pse Ilir Meta ishte i rrezikshëm.
Unë do të mbështes drejtësinë, na intereson të gjithëve, por këtu drejtësia ka shkelur procedurat. Cila është arsyeja që Jamarbër Malltezi mbahet në arrest? Nuk ka asnjë provë dhe fakt. Nëse do të dilte një provë që Klevis Balliu ka ndërhyrë në hetime, atëherë le të caktohej masa e sigurisë.
Ju zeroni punën e drejtësisë?
Balliu: Më problematik shikoj faktin se kemi një kapje të sistemit nga George Soros. Në rastin e drejtësisë problemin që kam unë janë 47 mijë dosje të qytetarëve shqiptarë që nuk marrin dot drejtësi. Kemi mbetur 4 vjet pa një Gjykatë Kushtetuese, kur për shkak të mbylljes së Gjykatës së Lartë, qytetarët nuk marrin dot drejtësinë. Pse çfarë do të quajmë sukses dënimin e Alqi Bllakos për inceneratorët, kur të gjithë e dinë që përgjegjësinë e ka Edi Rama.
Atëherë pse qytetarët votojnë Edi Ramën?
Balliu: Edi Rama i vjedh zgjedhjet. Ai nuk ka fituar, i ka vjedhur me Bajrat, Avdylajt, Hajrat. Po ku janë këta sot? Ca në burg dhe ca të larguar dhe kjo ka ndodhur për shkak të denoncimeve të opozitës. Ata janë arrestuar nga prokuroria belge dhe francize, ne kemi dy vjet që flasim për Sky ECC. Edi Rama do të bëjë çmos për të vjedhur. Por ka një problem që ai nuk ka më atë imunitetin ndërkombëtar që kishte.
Lini një Përgjigje